Marco van Basten, në një intervistë për “Corriere della Sera”, ka dhënë mendimin e tij mbi debatin e 10 viteve të fundit: Messi apo Cristiano?
Ish-legjenda e Holandës dhe Milanit i ka idetë shumë të qarta: “Cristiano është një futbollist i madh, por ata që thonë se është më i mirë se Messi, mendoj se nuk marrin vesh nga futbolli. Messi është unik, i papërsëritshëm. Si ai dalin një herë në 50 ose 100 vjet”.
I konsideruar si një nga sulmuesit më të mirë të historisë, Van Basten tregoi edhe se çfarë mund të arrinte nëse nuk do ta kishte lënë futbollin në moshën 31-vjeçare për shkak të dëmtimeve.
“Praktikisht, unë e lashë futbollin që në moshën 28-vjeçare. Kisha fituar 3 çmime Topi i Artë. Shikoni Messin dhe Cristianon që po fitojnë ende, edhe pas të tridhjetave.
Kavilja më jepte shumë dhembje, isha i dëshpëruar dhe qetësuesit po më shkatërronin. Ka qenë një periudhë shumë e keqe për mua dhe bashkëshorten time”, kujton Van Basten.