Duhet një mbrojtës patjetër. Milani është prej kohësh në kërkim të një lojtari që do të forconte prapavijën e trajnerit Stefano Pioli që në janar. E gjithë vëmendja ishte te Mohamed Simakan i Strasburgut, i konsideruar si mbrojtësi adapt për Milanin, por francezi ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju dhe do të qëndrojë 2 muaj larg fushave.
Futbollisti 20-vjeçar u dëmtua në ndeshjen me Lensin dhe duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, çka bën që Milani të heqë dorë prej tij, ose ta shtyjë marrëveshjen për në një moment të dytë. Drejtuesit e klubit po shohin tashmë alternativa të tjera dhe dy janë emrat në tavolinë për momentin.

Njëri është Kabak i Shalkes dhe tjetri Tomori i Çelsit. I dyti të gjithëve u krijon përshtypjen se është një futbollist shqiptar dhe me shumë mundësi nga Berati, por në fakt është shtetas anglez, me origjinë afrikane dhe që ka lindur në Kanada. Fikajo Tomori luan si në qendër, ashtu edhe në të djathtë të mbrojtjes, por te londinezët nuk ka shumë hapësira. Kurse Kabak është një lojtar i kërkuar edhe më parë nga Milani.
Për një mbrojtës qendre është duke punuar edhe Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Emri i fundit që qarkullon si një përforcim te Lacios është ai i Shkodran Mustafit, që tek Arsenali nuk ka pasur hapësirë kohët e fundit dhe mund të kthehet në Itali pas shumë vitesh.