Deputetja, Jorida Tabaku duke folur gjate mbledhjes se pare te Komisionit hetimor parlamentar “Per kontrollin e ligjshmerise se veprimeve te organeve publike ne procedurat per ndertimin dhe administrimin e impianteve te trajtimit te mbetjeve urbane”, qe do te hetoje koncesionet e inceneratoreve./r/n/r/nMP, Jorida Tabaku speaks during the first meeting of the Parliamentary Commission of Inquiry "On controlling the legality of actions of public bodies in procedures for construction and administration of urban waste treatment plants", which will investigate the concession of incinerators.

“Sekret bankar”, 3 banka refuzojnë kërkesën e komisionit hetimor për inceneratorët

Të paktën tre banka të nivelit të dytë kanë refuzuar t’i vënë në dispozicion komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e ligjshmërise se veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane”, të dhëna bankare për kompanitë që kanë përfituar kontratat koncensionare dhe personat përfitues që qëndrojnë pas tyre, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallia.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku lexoi të martën listën e institucioneve që i kanë kthyer përgjigje kërkesave të këtij komisioni për informacion në funksion të hetimit për ngritjen e impanteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Ajo tha se bankat kanë përdorur standarde të dyfishta në përgjigjet e tyre. Tre banka kanë refuzuar të japin informacion duke i cilësuar të dhënat si konfidenciale dhe të mbrojtura nga “sekreti bankar” .

Raiffessen Bank, Tirana Bank dhe Abi Bank kanë përdorur të njëjtin argument në përgjigjet e tyre, ndërsa Fi Bank dhe Pro Credit Bank kanë vënë në dispozicion të dhënat e tyre bankare. Ndërsa pjesa tjetër e bankave kanë kërkuar të dhëna shtesë për gjeneralitetet e personave dhe kompanive për të cilët kërkohen të dhënat bankare.

“Ne do të dërgojmë një kërkesë Bankës së Shqipërisë, do të ripërsërisim kërkesën për informacion për të gjitha bankat që kanë refuzuar”- tha Tabaku, duke paralajmëruar se nëse edhe pas këtij momenti nuk do të sjellin të dhënat, do të përballen me “padi penale”.

Ajo e cilësoi pa bazë ligjore refuzimin e bankave duke sjellë si precedent ligjor një komision të mëparshëm hetimor të parlamentit, ku bankat “kanë vënë në dispozicion të dhëna bankare për një person, i cili as nuk ishte përfitues i fondeve publike”.

Anëtari demokrat i komisionit, Belind Këlliçi, e cilësoi këtë refuzim si bindje ndaj presionit të bërë nga Mirel Mërtiri, personi kyç që është pas kompanive përfituese të këtyre konçensioneve.

“Që t’i përgjigjen bankat një hajduti për të mos sjellë të dhënat këtu, kjo është e patolerueshme”, tha ai. “Ky person arrin deri aty sa na dikton ne punën tonë në komision”, shtoi Këlliçi.

Por, për nënkryetaren e komisionit, socialisten Ermonela Felaj, qëndrimi i bankave është në përputhje me ligjin.

“Ne kemi qëndrim tjetër, kur bëhet fjalë për kërkesën për të dhëna personale, ose të dhëna që janë sekret bankar”, tha ajo duke kërkuar që të mos paragjykohen përgjigjet e bankave.

Po ashtu deputetja tjetër e PS-së, Anila Denaj theksoi se “ka një referencë ligjore në përgjigjet e bankave dhe ligji prevalon”.

Deputeti i PD-së Luçiano Boçi argumentoi se bankat nuk mund të pengojnë dhënien e informacionit ndaj një personi në hetim.

“Për të vërtetuar korrupsionin ne do të ndjekim paranë, nëse nuk kemi informacion se ku ka shkuar paraja çfarë do hetojmë”, tha ai.

Por për Felajn komisioni hetimor ngrihet për çështje dhe jo për persona dhe atributet e tij nuk janë të njëjta me atë të prokurorisë apo gjykatave.

“Statusin e personit në hetim e vendos prokuroria”, tha ajo duke iu referuar Mirel Mërtirit dhe “duhet pyetur prokuroria nëse ai është në hetim”.

“Në fund të ditës ky është një komision politik dhe institucionet e pavarura, ku futen dhe bankat, kanë detyrimet e tyre të sjelljes”shtoi Felaj.

Përveç bankave, edhe Drejtoria e Policisë së Shtetit kishte refuzuar të jepte të dhënat e sistemit TIMS për lëvizjet e disa zyrtarëve qeveritarë dhe emrave përfitues pas koncensioneve duke i cilësuar këto të dhëna “sekret shtetëtor”.

Tre kompanitë përfituese për inceneratorët gjithashtu nuk kishin sjellë të dhëna për bilancet e tyre financiare në komision, ndërsa Drejtoria e Tatimeve kishte sjellë një CD me listpagesat e këtyre kompanive.

Në fund të mbledhjes anëtarët e PD-së bënë kërkesa të reja për informacion, drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim për të gjitha pretendimet e saj për këtë çështje, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Infrastrukturës për protokollet e hyrje-daljeve të Mirel Mërtirit e Klodian Zotos në këto ndërtesa.

Nga PS erdhi kërkesë për disa gjykata për vendime gjyqësore që kanë lidhje me personat e përfshirë në këtë çështje si dhe një kërkesë për Policinë e Shtetit për të dhënat e TIMS-it për pretendimet e ngritura në disa media për udhëtime të kreut të opozitës Lulzim Basha me Zoton dhe Mërtirin.

“Nëse vërtetohet që Basha ka pasur takime me këta persona atëherë qëllimi i këtij komisioni kompromentohet,” tha Felaj.

Tabaku i quajti “ofendime të turpshme” aludimet e Felajt.

“Kam që në 2016-ën që merrem me hetimin e kësaj afere dhe këtu po hetojmë një krim financiar për 400 milion euro të qytetarëve shqiptarë”, përfundoi ajo.

Check Also

“Korrupsioni është kancer”, paralajmëron Yuri Kim: SHBA po ndërmerr hapa shtesë

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka paralajmëruar hapa shtesë nga SHBA për të luftuar …

Gruaja e ish-deputetit që u ekzekutua nxjerr emrat dhe ndryshon dëshminë

Dyshimet se vrasja e biznesmenit shkodran Pashko Ujka mund të ketë ndodhur për shkak të …

Negociatat, pse nuk ndodhin para prillit 2022

Nën shqetësimet e përhapjes së pandemisë, vendet e Bashkimit Europian po diskutojnë pak, ose aspak …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *