Ngec reforma zgjedhore, PD akuzon PS dhe paralajmëron votim të njëanshëm të Kodit

Konsensusi mes partive politike për një reformë zgjedhore duket i largët. Mbledhja e Këshillit Politik ka dështuar sot, pasi palët nuk kanë rënë dakord për dy çështje për mënyrën e administrimit të procesit të zgjedhjeve dhe për sistemin zgjedhor në Shqipëri. Socialistët e demokratët ndahen qartazi për sa i përket procesit të administrimit të zgjedhjeve. Partia Demokratike ka kundërshtuar variantin e propozuar nga PS-ja me ekspertët e komisionit, ku parashikohen se që numëruesit e votave dhe komisionerët të jenë apolitik. Ndërsa edhe socialisti Damian Gjiknuri nga ana e tij ka rrëzuar edhe draftin e paraqitur nga ana e opozitës.
Sipas ish-deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, nisma e paraqitur nga PS-ja është një hile, pasi të “pavarurit” që do të administrojnë procesin zgjedhor do të jenë komisionerët e PS-së dhe kjo sipas tij, u pa edhe në zgjedhjet lokale të 2019, ku opozita nuk mori pjesë e bojkoti procesin.

“Një gjë që ne propozojmë është rinumërimi i votave para se të nxirret rezultati, në mënyrë që nëse ndonjë komisioner i ka shkuar ndërmend që të vjedhë votat e partive të tjera, jo vetëm të ndëshkohet administrativisht por të përgjigjet dhe penalisht dhe rezultati të shkojë aty ku e kanë çuar zgjedhësit. Propozimi i Gjiknurit ka vetëm dy forma: ose pranoni versionin ekzistues të administratës që e kontrollon mazhoranca sot, ose të kalojë në një model ku komisionerët do të jenë të pavarur nga partitë politike por do të jenë totalisht të varur nga qeveria nën lëkurën e administratës publike të depolitizuar që nuk ekziston”, theksoi Bylykbashi.
Përfaqësuesi i PD-së në tryezën e bisedimeve, deklaroi më tej se “nuk mund të pranohet një qasje e tillë, qëndrimi intransigjent i Gjiknurit me propozimin e opozitës, duke refuzuar këtë propozim, sot u përvijua një linjë që çon drejt një miratimi të njëanshëm të drafteve të Partisë Socialiste. Ne këtë nuk e pranojmë. Ne do të luftojmë për një Kod Zgjedhor që nuk i shërben Partisë Socialiste, por shqiptarëve”.

Gjiknuri: Propozimi i PD nuk sjell depolitizim

Socialisti Damian Gjiknuri ka qenë i qartë në qëndrimin e tij, duke bërë të ditur se propozimet e partive politike t’i kalojnë ekspertëve të OSBE-së dhe të ODIHR për dhënien e mendimeve.
“Propozimi i bërë nga PD, përkundrazi është një sistem i përforcuar i përfaqësimit politik, por që fut ndonjë element të administrimit teknik pa vendimmarrje, do të thotë që vendimmarrjet kryesore prapë i kanë përfaqësuesit politikë. Ne mendojmë që ka ardhur momenti dhe meqenëse ka pasur edhe një draft të përgatitur nga ekspertë teknikë të komisionit, ekspertiza e ODIHR të japë një opinion në lidhje me këto propozime. Pra, ODIHR të thotë se cili prej këtyre propozimeve është më afër adresimit të rekomandimit të kahershëm që është depolizitim dhe departizim i procesit zgjedhor”, u shpreh Gjiknuri.
Formula që kanë paraqitur ekspertët teknik të komisionit është sipas përfaqësuesit Gjiknuri shumë e mirë, sepse është formulë e hapur, e balancuar dhe që përbëhet jo vetëm nga zyrtarë shtetëror siç thuhet, por përbëhet nga çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili aplikon. “PD solli një version tjetër. Unë mendoj që ka ardhur momenti ti drejtohemi ODIHR për të na dhënë një opinion, se cili nga këto opsione adreson më mirë rekomandimet e ODIHR ose ndryshe më mirë PD të dalë dhe të thojë që ne duam skemën politike siç është, megjithëse fatkeqësisht janë ankuar se administrimi zgjedhor nuk ka qenë i duhuri”, u shpreh Gjiknuri.

Hajdari akuzon: Nuk duan ndryshimin e sistemit
Në mbledhjen e Këshillit Politik, demokratja Rudina Hajdari ka paraqitur në tryezën e bisedimeve katër variantet për ndryshimin e sistemit. Më tej përfaqësuesja e opozitës parlamentare u shpreh se PD-ja nuk ishte për sistemin, duke shtuar se PS-ja ishte hapur. “Në çdo parti, po të shikoni listat ka vetëm servila. Duan njerëz që mund ti menaxhojnë jo që kanë një mendim të pavarur. Ftoj partitë opozitare që duan ndryshim në këtë vend jo vetëm të bëjnë video dhe të vjedhin kauzat e të tjerëve, as të dalin në sheshe e ulërasin kot, por të mbështesin hapa konkrete që u japin të drejtë qytetarëve të zgjedhin deputetët e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë”, deklaroi Hajdari, duke shtuar se ajo nuk do të hiqte dorë nga kauza e saj.
Gjiknuri nga ana e tij deklaroi se PS-ja është hapur për të diskutuar ndryshimin e sistemi, por theksoi se këtë nuk mund ta realizonte vetëm me njerën prej opozitave. Socialistët janë të mendimit se janë të kënaqur me sistemin aktual, por nëse do të kishin idenë e ndryshimit mund të ndalonin koalicionet parazgjedhore, duke i lënë ato që të krijohen pas zgjedhjeve, këto të ndikuara nga rezultati i zgjedhjeve. Nga ana e tij, Bylykbashi rrëzoi idenë se PS-ja ishte pro diskutimit të ndryshimit të sistemit. “Në tavolinë, Gjiknuri nuk shprehu ndonjë qëndrim dhe nuk mbështeti asnjë prej propozimeve të Rudina Hajdarit, përkundrazi PD-ja është shprehur e hapur për të ndryshimin e sistemit”, theksoi Bylykbashi.

Check Also

PD akuza qeverisë për koncesionin Milot-Fier: Vetëm një ofertues për tenderin €1,2 miliardë

Partia Demokratike akuzoi qeverinë Rama se ka rritur artificialisht kostot e ndërtimit të rrugës Milot-Fier …

Albert Mullai emërohet drejtor i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura

Albert Mullai është drejtuesi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura. Ministrja e Mbrojtjes …

Merkel: Të hapim negociatat me Maqedoninë, me Shqipërinë…ndoshta

Zgjerimi mbetet një temë diskutimi e dorës së dytë në Bashkimin Europian, ku vendet anëtare …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *