Meta kërkon dorëheqjen e Gjonajt: Të hënën e padis në SPAK

Presidenti Ilir Meta deklaroi se do të dorëzojë brenda ditës së hënë kallëzimin penal ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të cilën e ftoi gjithashtu që të japë dorëheqjen brenda këtij afati, pasi sicc tha e kishte humbur besimin e shprehur me dekret prej tij.

“Brenda ditës së hënë do të depozitoj në SPAK kallëzimin penal për ministren në detyrë të Drejtësisë zonjën Etilda Gjonaj dhe jo vetëm për të. Ministrja e Drejtësisë e ka humbur besimin e Presidentit të Republikës prandaj do të mirëprisja brenda ditës së hënë dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë si një ish-ministre”, deklaroi Meta.

Presidenti këmbënguli se bëhet fjalë për një tentativë flagrante për grusht shteti nga provat e paraqitura një ditë më parë prej tij, ku rrethi i personave të përfshirë sipas Metës është më i gjerë se vetëm ministrja Gjonaj.

“Ministrja duke urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë ka shkelur ligjin për Qendrën e Botimeve Zyrtare, ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe sipas këtyre ligjeve vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk publikohen në Fletoren Zyrtare dhe asgjëkundi tjetër, por vetëm në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë në pjesën e KED. Ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë rol në këtë pjesë. Urdhërimi i botimit pa iu kërkuar zyrtarisht nga askush janë shkelje skandaloze dhe të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve nga ministrja e Drejtësisë, ka konsumuar me zyrtarë të lartë të këtij institucioni disa vepra penale”, vijoi ai.

Ftesa publike e Ilir Metës për dorëheqje mori përgjigje pak më vonë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo e hodhi poshtë këtë si mundësi, ndërsa u shpreh e gatshme që të përballet me akuzat e ngritura kundër saj në SPAK.

“Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër”, shkroi përmes Twitter-it ministrja e Drejtësisë.

Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër.

— Etilda Gjonaj (@GjonajEtilda) February 21, 2020

Gjonaj i cilëson daljet e fundit publike të Presidentit meta si pa ekuilibër etik, por e përshëndet atë për një fakt.

“E përshëndes që ka zgjedhur t’i drejtohet SPAK me një kallzim penal për mua; një marrëzi e radhës po të paktën në rrugë institucionale, madje drejt një institucioni të dalë nga Reforma që ai lufton pa fre!”, vijoi ministrja.

Check Also

Meta kthen ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit: Ndërhyn në procesin zgjedhor

Presidenti Ilir Meta riktheu për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për “Policinë e Shtetit”, …

Vdekjet nga Covid-19, Basha: Prokuroria të hetojë, mjekët asnjë përgjegjësi

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me disa mjekë dhe specialistë të shëndetësisë …

PD akuza qeverisë për koncesionin Milot-Fier: Vetëm një ofertues për tenderin €1,2 miliardë

Partia Demokratike akuzoi qeverinë Rama se ka rritur artificialisht kostot e ndërtimit të rrugës Milot-Fier …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *