Marku nuk kursen kritikat për Kuvendin Kombëtar: Teatër absurd. PD në pikën më kritike, duhet strategji e re

Me tone të ashpra dhe kritike deputeti i zgjedhur demokrat Mark Marku i është drejtuar sot Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ai kërkoi që të bëhet një analizë e thellë për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit dhe të ndryshohet strategji. Sipas tij situata në të cilët ndodhet PD sot është dramatike, ndërsa nuk i kurseu kritikat edhe për organizimin e Kuvendit. Marku e cilësoi Kuvendin Kombëtar një teatër absurd, që nisi dhe përfundoi pa përfunduar diskutimet e drejtuesve politikë.

“Ky Kuvend mblidhet në një moment dramatik për PD dhe shoqërinë shqiptare. Për mua është një situatë dramatike. Pritje, dhe të gjithë prisnim që 25 prilli të sillte ndryshim. Në fakt ndodhi e kundërta. Në vend të ndryshimit sot kemi një regjim më të përforcuar, me një shumicë solide votash. Kjo erdhi kryesisht, siç thuhet dhe në analizën e zgjedhjeve, qeveria e Edi Ramës u angazhuar në një operacion masiv të blerjes së votës. Me punën e jashtëzakonshme të PD në qarkun Lezhë, ne arritëm të fitonin 33 mijë e 96 vota. Rezultat ky i përkthyer në mandate 4 nga 7 që ka. Morëm një rezultat shumë të mirë. Madje edhe më të mirë se rezultati i vitit 2009, pasi kam qenë kandidat për deputet. Duhet të ketë një qasje nga PD që të jetë fituese në qendrat e mëdha urbane. Duhet të ndryshojmë strategji, taktika, fushatën. Por kjo është histori që duhet diskutuar”.

Duke e konsideruar PD në pikën më kritike të saj dhe propozimet e Bashës që nuk sjellin asgjë të re, Marku u shpreh se duhet një strategjie re që pas 4 vjetësh të mos themi që na vodhën sërish. Sipas tij PD po shndërrohet në një dekor të regjimit.

“Për herë të parë në historinë e pluralizmit, PD nuk arriti të vijë në pushtet, pas dy mandateve të qeverisë tjetër. Sot PD ka marrë një numër të madh votash. Ka një numër më të madh deputetësh në parlament. Iu bëj thirrje që ta mendojmë këtë. PD është në pikën më kritike të saj, pavarësisht rezultatit. Pse? Sepse kundërshtari ynë politik me këto zgjedhje, është shndërruar në regjim politik me rrezik të lartë. Anëtarësia e PD, opinioni publik, mendoj se kanë pritshmëri tjetër nga ajo që po bëjmë ne sot. Mënyra se si po përballemi në këtë Kuvend, është jashtë kontekstit ku ndodhemi. Nëse ne nuk kapin kohën politike, nëse s’jemi në kohë politike, ne rrezikojmë që pas 4 vitesh të mblidhemi këtu dhe të themi; “na vodhën prapë”. “Ose masakër zgjedhore”. Duhet të mendojmë seriozisht që mos të na vjedhin sërish. Na kanë vjedhur një herë, nuk bëhet fajtor i vjedhur për vjedhësin. Kur të vjedhin për herë të dytë, e ke një farë faj. Kur na vjedhin dy herë shtëpinë, e ke pak fajin dhe ti, se ke lënë bravën hapur. Duhet të mendojmë më seriozisht. Ky kuvend do të prodhojë për fat të keq…pasi u mbyll pa filluar. Madje dhe diskutimet tona janë qesharake, se po flasin pasi janë mbyllur votimet. Nisi procedura dhe po bëhet votimi. Teorikisht nuk duhet të flisja. Ndihem i fyer, për mënyrën se si u zhvillua diskutim, pasi ti mbyll Kongresin dhe bën votimin, dhe unë diskutoj këtu. Është teatër absurd. Por nuk prish punë, le ta luajmë këtë teatër absurd”.

Sipas tij “ky Kuvend do të prodhojë dy gjëra; do të miratojë disa propozime të zakonshme për ndryshime statusore për zgjerimin e kryesisë, apo zgjerimin e kuvendit, apo mënyrat e zgjedhjes së kandidaturave të pushtetit vendor. Zgjero sa më shumë Kuvendin, por aq më shumë e defunksionalizon. Janë propozime që në thelb s’kanë kurrfarë relevante për gjendjen ku ndodhemi. S’ka çaluar puna jonë se kryesia ka pasur pak anëtarë. Apo jemi këtu ku kemi për shkak se Kuvendi ka pasur 100 e duhet ta bëjmë 500. Po hajde ta bëjmë partinë të gjithë Kuvend Kombëtar! Kemi thirrur një kuvend të jashtëzakonshëm për të miratuar gjëra të zakonshme, krejt të zakonshme, në një situatë krejt të jashtëzakonshme, Kjo për PD, për vendin dhe shoqërinë shqiptare. E shenojmë PD në një gjendje permanente opozitare, duke krijuar mentalitetin e të qenit në opozitë. Komoditetin e të punuarit për të qenë në opozitë, pa perspektivë të ardhjes në pushtet. Siç e ka thënë dhe akademiku Fuga; ndodhemi para rrezikut që ta disfunskionalizojmë PD-në si opozitë, duke e shndërruar në dekor të regjimit. Se opozitë ka dhe në vende jodemokratike si Rusia, edhe në Bjellorusi, edhe në Turqi dhe Venezuelë, por forcat që mbajnë gjallë regjimin janë në pushtet dhe opozita po aq në opozitë”.

Marku propozon që për të ardhur në pushtet Partisë Demokratike i duhet një proces transformimi i madh, një kongres i jashtëzakonshëm i rithemelimit, me përfaqësues nga të gjithë faktorët brenda e jashtë PD që duan ndryshimin.

Për këtë arsye mendoj se që PD të vijë në pushtet duhet të hap një proces transformimi të madh, të bëjë një akti rithemelimi dhe kjo bëhet duke pasur një misioni. Cili është misioni? Unë mendoj, rithemelimi i vetvetes dhe i Republikës së Re, që ne e nisëm, kryetari Basha e mbajti për një kohë të gjatë si fjalë kyce të diskursit të vet politik, por që për fat të keq e braktisi. Unë e kam propozuar prej 2012, kur shihja si po degradonim, një akti rithemelimi. Atëherë mbase ishte i nxituar, sot mendoj jemi shumë vonë, por duhet ta bëjmë. Rithemelimi nuk do të thotë shkrirjen e partisë, por është kusht për jetëgjatësinë e saj. Si parti jetëgjatë e pluralizmit, ne duhet ta bënim një akt rithemelimi edhe sikur të kishim fituar. Partitë tradicionale po shkojnë drejt rrënimit, për shkak të lëvizjeve populiste. Unë mendoj, një nga arsyet pse PD është e pabesueshme si ofertë ndryshimi, është se vetë e refuzon ndryshimin.

Propozoj që në këtë kongres të zakonshëm të merret një vendim, gjë që është e pamundur por gjithsesi ekziston mundësia për të korrigjuar gabimet, të merret një vendim për krijimin e një komisioni për një kongres të jashtëzakonshëm të rithemelimit të PD, me përfaqësues nga të gjithë faktorët brenda e jashtë PD që duan ndryshimin:

Krijimin e një komisioni rithemelues të PD si edhe me ftesa për kontribute jashtë partisë, por me dashamirës të partisë.

Hartimin e një platforme të re e statute të ri për një funksionim normal të demokracisë në parti. kështu si janë partitë në Shqipëri ne do vojmë automatikisht drejt autoritarizmit në qeverisje. Ne themi jemi parti demokratike, po nuk jemi fare demokratike, gjithcka e cakton kryetari, kryesia një grup i vogël.

Nuk të lenë një periudhë amullie, duhet një drejtim tranzicional i partisë deri në një kongres tjetër ku të ndahet drejtimi i partisë nga drejtimi i punës ristrukturues strategjike të partisë.

Kërkoj ribërjen e analizës për zgjedhjet, duke parë vec pengesave legjitime edhe dobisitë tona në fushatë në program dhe afrimin e njerëzve. Duhet të bëjmë një analizë të thellë të problemeve që kemi ne në 30 vite. Ka 30 vjet që nuk jemi parti e parë në vend”.

Sipas Markut analiza nuk mund të bëhet nga njerëz që e kanë përgjegjësinë e humbjes.

Analiza s’mund të bëhet nga njerëz që e kanë përgjegjësinë e humbjes. Një mik i imi, Nurellari ka hedh një ide interesante, të bëhet një monitorim analize e jashtme, Analizën s’mund ta bëjë Gaz Bardhi, s’kam asgjë me Gazin, por s’mund të bëjë analizën e punës, kur do analizojë edhe veten dhe nxjerr që i ka realizuar maksimalisht PD pritshmëritë aty ku ka humb, dhe minimalisht aty ku ka fituar në Lezhë apo Kukës. Është pa sens që ai që është vetë i përfshirë në çështje të bëjë analizën time. S’mund ta bëjë, as kryesia, as kryetari i partisë sepse secili do thotë që ‘po e rëndoj pak këtë se duam ta heqim’. Kush kupton nga politika e kupton që s’ka lidhje me analizën janë të funksionalizuar për të bërë disa lëvizje artificiale.

Ricaktimi i datës së kongresit ku të nisë një erë etapë e re politike për të gjithë ne. Nuk ka afate mendoj unë, të bëhet ngadalë në mënyrë të mirëmenduar. Vetëm kështu do arrijmë të përballemi me Ramën, të ndërtojmë strategji, të kemi kredibilitet, përndryshe frikë kam nuk e uroj kurrë po ka rrezik që pas 4 vitesh të jemi sërish kështu, do të bëjmë prapë si viktima”

Check Also

Çdo javë tampon nga mësuesit dhe studentët që refuzojnë vaksinën

Rriten infektimet nga përhpaja e variantit Delta, por kufizimet për qytetarët nuk ndryshojnë. Komiteti i …

Dënimi me 2 vite burg i Llallës, reagon Kim: Askush nuk është mbi ligjin, drejtësia kundër zyrtarëve të korruptuar

Ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme …

Vala e rritjes së çmimeve në vend, nga po vjen dhe sa do të vazhdojë

Vala e rritjes së çmimeve erdhi si cunam në tregjet globale këtë vit, por në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *