Kryeministri korrigjon veten për “ndalimin e qirave”

Përmes një statusi keqdrejtues në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama deklaroi mesditën e së enjtes se ka vendosur të marrë një masë shtesë, duke ndaluar pagesën e qirasë për biznesin e vogël, që është aktualisht i mbyllur për shkak të Pandemisë COVID-19 si dhe për familjet në vështirësi ekonomike.

“Me aktin normativ për masat e veçanta do të ndalohen pagesat e qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës”, deklaroi Rama.

“Qiradhënësit do të ndalohen t’u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qirasë përkatëse,” shtoi ai.

Por ndërsa kjo deklaratë sugjeronte “çlirimin” nga barra e qirave, në aktin normativ të publikuar në fletoren zyrtare [link], paragrafët e cituar nga Rama pothuajse verbatim, pasohen nga një paragraf tjetër, në të cilin thuhet se qiratë e papaguara nuk anulohen, por ato do të shlyhen më vonë, sipas një marrëveshjeje private që do të arrihej mes qiramarrësit dhe qiradhënësit.

Kryeministri nuk bëri të qartë se për çfarë arsyeje nevojitet një akt normativ për të rregulluar një marrëdhënie kontraktuale mes dy subjekteve private. Në anën tjetër, paraqitja e gjysmës së fakteve, sjellje tipike e medias tabloide, zuri vend këtë herë në median që i përket kryeministrit të vendit.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare kanë dhënë deklarata të paplota mbi vendimmarrjen e tyre.

Në fillim të krizës, kryeministri Edi Rama dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko firmosën një dokument, të cilit i vunë emrin “urdhër” përmes të cilit “urdhëronin” bankat e nivelit të dytë që, në rast se një kredimarrës kërkonte shtyrjen e afatit të kredisë së tij me tre muaj për shkak të krizës, bankat “ta procesonin këtë kërkesë brenda tri ditësh”.

Urdhri nuk saktësonte nëse bankat duhet ta pranojnë këtë kërkesë apo jo ndërsa vetë bankat sqaruan se kërkesa të tilla do të pranohen vetëm pasi këto të fundit të binden se kredimarrësi në fjalë ka rënë në vështirësi financiare.

Në një njoftim të Shoqatës Shqiptare të Bankave sqarohet gjithashtu ajo çfarë Rama dhe Sejko harruan ta thonë në deklarimet e tyre publike: kreditë do të riskedulohen me marëveshje private mes kredidhënësit dhe kredimarrësit, ndërsa interesat e kredive për muajt gjatë të cilave nuk do të paguhen këstet, do të vijojnë të llogariten si zakonisht.

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *