Koronavirusi, karantina te Konvaleshenca në Durrës

Shqipëria nuk është futur ende zyrtarisht në listën e vendeve të prekura nga koronavirusi, por në vazhdën e zhvillimeve në Itali, Greqi dhe Maqedoninë e Veriut autoritetet thonë se probabiliteti që kjo të ndodhë në orët e ditët në vijim është i lartë.

Për këtë arsye, Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të enjte Komitetin Kombëtar të Sigurisë.

“Nuk kemi asnjë rast të konstatuar, por në linjë me OBSH dhe ekspertët e saj kemi kryer të gjitha hapat e përcaktuar për të përgatitur përballjen me shfaqjen e mundshme të koronavirusit në territorin tonë”, deklaroi Kryeministri.

Rama renditi më pas masat e marra për t’u përballur me epideminë.

“Kemi vendosur në alert të gjithë sistemin shëndetësor, janë përcaktuar protokolle të sakta dhe janë shpërndarë udhëzues sipas rekomandimeve të OBSH për gjurmimin e rasteve që në pikat kufitare, ndjekja e kontakteve. Janë trajnuar 800 profesionistë të shëndetit dhe ato vazhdojnë. Janë dyfishuar ekipet shëndetësore në pikat kufitare. Në aeroportin “Nënë Tereza” dhe në portin e Durrësit dhe atë të Vlorës janë caktuar ambiente për izolim dhe karantinë të përkohshme. Janë marrë masa për rritjen e stokut të mjeteve të mbrojtjes specifike personale për të gjitha hallkat e shërbimit shëndetësor. Është siguruar stoku i medikamenteve dhe terapive antivirale dhe janë marrë masat për trajtim intensive në rast paraqitje të rasteve të rënda. Është alokuar një fond 1 mln dollarë për rritjen e stokut aktual të mjeteve mbrojtëse. Komiteti teknik ka vlerësuar disa struktura publike spitalore dhe akomoduese si të përshtatshme për karantina. Ne kemi përcaktuar shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e Durrësit, shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT dhe spitali “Shefqet Ndroqi” kanë në gatishmëri struktura në dispozicion për nevoja terapie intensive. Urgjenca mjekësore ka marrë masa për të përballuar mbi 5 mijë thirrje në ditë”, deklaroi Rama, duke përsëritur që qytetarët që dyshojnë se janë të prekur të mos u adresohen menjëherë spitaleve, por të telefonojnë në numrin 127.

Mes masave të marra ishte edhe udhëzimi i dhënë nga Ministria e Arsimit për shtimin e higjienës sanitare nëpër institucionet arsimore.

“Çdo ditë nëpër shkolla, mësuesit kanë orientuar nxënësit se si të parandalojnë përhapjen e viruseve duke u bazuar në rekomandimet më të mira të Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Larja e shpeshtë e duarve është masa kryesore që mund të ndërmerret; Maskat janë të panevojshme kur nuk ka simptomë gripale; Antibiotikët nuk duhet të merren pa rekomandimin e mjekut”, deklaroi ministrja Besa Shahini përmes një postimi në rrjetet sociale.

Rama bëri thirrje për qetësi dhe të mos përhapet panik.

“Shprehjen e nevojës për qetësi dhe për të mos e lënë veten që të çoroditemi nga infedemia. Nga klikimet në burime të absurditetit informativ, që me papërgjegjshmëri shpërndajnë lajme të rreme dhe rrisin efektin shumë të rrezikshëm të infedemisë duke krijuar ankth dhe panik”, deklaroi Kryeministri.

Rama tha se një prej godinave që do të përdoret si karantinë është Konvaleshenca në Durrës.

“Në rastin e parë të vendosjes së karantinës ne kemi përcaktuar vendosjen e shtëpisë së pushimit të Ushtarakëve në zonën e Durrësit. Me OBSH është përcaktuar përmbushja e të gjitha kushteve. Në spitalin “Shefqet Ndroqi” ka kapacitete shtesë. Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhrin për masat e shtuara në shkolla. Janë rekomanduar qytetarët të kufizojnë udhëtimet jo të domosdoshme në zonat e prekura”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor shqiptar është në gatishmëri dhe në gjendje që paralelisht me përballimin e një epidemie të mundshme të koronavirusit në vend, të përballojë edhe patologjitë e tjera.

“Pra kemi siguruar normalitetin e punës sa u takon patologjive të tjera. Sistemi ynë shëndetësor, ka marrë masat dhe është në gatishmëri për të gjitha skenarët me të cilat mund të përballemi në të ardhmen. Probabilteti është që të prekë edhe Shqipërinë”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama solli një statistikë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të argumentuar se nuk ka nevojë për panik.

“Mos harroni këtë statistikë të konfirmuar nga OBSH, 97 për qind e të prekurve nga koronavirusi shërohen. Së dyti, i prek të gjithë, askush nuk është imun, por godet fort më të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje, që janë të sëmurë. Përballohet me sukses nga persona të shëndetshëm dhe nga fëmijët. Kështu që është e rëndësishme që të informohemi në kohë reale nga burimet zyrtare, dhe të mbyllim sa më shumë derën e virusit të infodemisë që hyn përmes kanaleve, portaleve dhe burimeve të llogjeve dhe pazare dhe duke menaxhuar ankthin dhe panikun me solidaritet, duke besuar tek solidariteti dhe tek mbështetja e pakufijshme që ne u japim të gjithëve dhe jemi të përgatitur në çdo situatë”, tha Rama.

Por, nga Partia Demokratike mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë nga ana e Kryeministrit Edi Rama jo vetëm që e cilësojnë si tepër të vonuar, por edhe vazhdim i propagandës së qeverisë.

“Mbas një sorollatje disajavore, deklarimesh e përgënjështrimesh, vetëm propagandë për të fshehur paaftësinë e amullinë organizative që vazhdon, Rama sot më në fund caktoi një ambient ku do të vendoset karantina. Çdo gjë duhet marrë me rezerva. Nëse është e vërtetë kjo, dikush duhet të bëjë publike karakteristikat teknike të karantinës, parimet e futjes aty, oganizimin e mbrojtjen nga infektimi i brendshëm dhe padyshim të bëjë të mundur transparencë të plotë për ato”, thotë Tritan Shehu.

Shehu thotë gjithashtu se ka mungesa të mëdha në të gjitha nivelet e sistemin shëndetësor, duke filluar nga laboratorët, e deri tek mbështetja reanimatore lëvizëse tek materialet e konsumit që mungojnë krejtësisht.

“Për këto kudo po përgjigjen kryeministrat, e jo ndonjë mjek”, mbyll reagimin e tij Tritan Shehu.

Check Also

Kosova mbyll shkollat më 18 dhjetor, Hoti optimist për situatën

Kosova do të mbyllë shkollat për një muaj, nga data 18 dhjetor deri më 18 …

Raporti i FMN, Basha: U konfirmuan kërkesat e PD ndaj qeverisë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha të martën se raporti i FMN për Shqipërinë konfirmon …

Raporti kritik i FMN, Topalli: Faji edhe i PD që nuk e kontrolloi qeverinë

Ish-nënkryetarja e PD, aktualisht e angazhuar në një tjetër forcë politike “Lëvizja për Ndryshim”, Jozefina …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *