Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur faljen e mbi 9 mijë gjobave që Policia e Shtetit ka vendosur gjatë situatës së jashtëzakonshme. Z. Rama bëri të ditur se bëhet fjalë për 7 mijë gjoba për këmbësorët dhe gati 2 mijë gjoba për drejtues automjetesh.
“Kemi vendosur mos ekzekutimin e këtyre gjobave dhe kthimin e të gjitha patentave dhe të gjitha mjetet e bllokuara. Javën e ardhshme me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal le të startojnë të gjithë të barabartë”, u shpreh z. Rama.
Lidhur me masat e reja lehtësuese, kryeministri bëri të ditur se ka pasur biseda me drejtuesit e qeverive të Austrisë dhe Suedisë, dy vende që kanë ndjekur mënyra të ndryshme për të luftuar coronavirusin.