Ambasadorja Kim takohet me Metën, Ramën dhe Bashën: Silluni me përgjegjshmëri

Rritja e tensionit politik dhe përshkallëzimi i deklaratave mes presidentit Ilir Meta dhe mazhorancës, e konkretisht me kryeministrin Edi Rama ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, të cilët janë venë menjëherë në lëvizje për të shuar përplasjet ndërinstitucionale. Ambasada e SHBA publikoi pasditen e së mërkurës një deklaratë të ambasadores Yuri Kim, e mbajtur pas takimit me tre udhëheqësit kryesorë të politikës shqiptare, presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.
“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Kim. Më pas ambasadorja ka bërë publike kërkesën që klasa politike të tregojë maturi.

Foto arkiv, ambasadorja ne takimin me kryeministrin Edi Rama

“Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, deklaroi Kim.
Fillimisht ambasadorja është treguar e kujdesshme, duke theksuar se qëllimi i këtyre takimeve ka qenë vendimi i marrë nga ana e konferencës së donatorëve dhe më pas dhënë mesazhin direkt për klasën politike shqiptare.
“Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi”, theksoi ambasadorja.
Takimet e ambasadores amerikane vijnë menjëherë pasi presidenti Ilir Meta deklaroi se do të organizonte një tubim më 2 mars si kundërpërgjigje të asaj që e ka cilësuar të grushtit të shtetit nga ana mazhorancës me kapjen e institucioneve kushtetuese.
Gjithashtu qëndrimet më të fundit të Metës ishin edhe si një paralajmërim për të nxjerrë ndonjë dekret për shpërndarjen e Parlamentit. Një ditë më parë presidenti Meta pati një takim edhe me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ndërsa ky i fundit pas një takimi me aleatët do të paralajmëronte edhe nisjen e protestave dhe duke shtuar se “asnjë nuk e ndalte rotacinin politik”. Situata politike është tensionuar për shkak të ligjit të miratuar nga mazhoranca me të cilin e zhvesh disi presidenti nga kompetencat sa i përket betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që këto përshkallëzime dhe paralajmërimet e mundshme për protestë po shënohen në prag të vendimit të Komisionit Europian sa i përket çeljes së negocitave me Bashkimin Europian.

Për takim me ambasadoren Kim, kryeministri Edi Rama mbajti një postim në rrjetet sociale, duke e falendëruar për ndihmën që SHBA po i jep për rindërtimin, pavarësisht se nga konferenca e Donatorëve kishte vërejtje për fondet e pakta.
“Falenderoj ambasadoren e SHBA për lajmin e mirë se SHBA do ta rrisin shumën e deklaruar në Bruksel për Rindërtimin. Nisja e punës së përbashkët për Akademinë e Transparencës realizon një kërkesë tonën ndaj miqve të çmuar për ta bërë Rindërtimin shembull edhe në këtë aspekt”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

SHBA ka premtuar se do të japë fonde për ngritjen e Akademisë së Transparencës, e për këtë ka akorduar 5 milionë USD. Ky institucion do të sherbejë për monitorimin e fondit prej 1,15 miliardë euroe të mbledhur në konferencën e donatorëve që do të përdoret për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

Check Also

Kosova mbyll shkollat më 18 dhjetor, Hoti optimist për situatën

Kosova do të mbyllë shkollat për një muaj, nga data 18 dhjetor deri më 18 …

Raporti i FMN, Basha: U konfirmuan kërkesat e PD ndaj qeverisë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha të martën se raporti i FMN për Shqipërinë konfirmon …

Raporti kritik i FMN, Topalli: Faji edhe i PD që nuk e kontrolloi qeverinë

Ish-nënkryetarja e PD, aktualisht e angazhuar në një tjetër forcë politike “Lëvizja për Ndryshim”, Jozefina …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *