Rama, shqiptarët, Europa

Nga Genc Burimi

Në një intervistë dje për mediat italiane që e pyesnin për gjestin  e “bamirësisë” së dërgimit të mjekëve shqiptarë në Itali, Rama përfitoi nga rasti për t’i futur dhe një “takë” BE-së duke e kritikuar se e ka lënë të vetme Italinë.

Pasi iu dha mësime shqiptarëve në videon e tij të fundit ku pa komplekse u vetëquajt  si “baba” i kombit (pjesa e parë e këtij shkrimi), pasi  u jep mësime amerikanëve dhe europianëve sesi i bëhet ballë krizës (pjesa e dytë e këtij shkrimi), Rama u përgatit me siguri tani terrenin shqiptarëve se harrojeni ëndrrën europiane, pasi europianët do kacafyten midis tyre për koronabondet (pjesa e tretë).

A po vepron siç duhet Kryeministri që po merr atribute të cilat edhe një monark do t’ia kishte zili?

“Baba” i kombit apo përfitues i taksave të kombit

S’më ishte dhënë rasti të ndiqja ndonjë nga videot e shumta që kryeministri u adreson rëndomtazi këto kohë bashkëkombasve, deri te kjo e fundit që disa kolegë më shtynë me insistim ta shihja. Nuk dola i zhgënyer. I paparë Edi Rama.

Ose më mirë e kisha parë dikur,  tek roli i kujdestarit,  luajtur në mënyrë të paharrueshme nga Kadri Rroshi tek “Lulëkuqet mbi mure”. Si ky kujdestari ogurzi i jetimores me krahun e thyer nga «bastardët» e vegjël që i kishin vënë një spango te kreu i shkallëve për ta rrezuar, edhe Rama ndjehej në atë video po aq i tërbuar e hakmarrës ndaj “kopilave” që guxojnë dhe i bëjnë sot kritika online mbi menaxhimin e krizës.

Fillimi i fjalimit me temën “unë jam babai juaj” dhe po jua shtyp kokën për të mirën tuaj se ndryshe do vdisnit të gjithë, ishte patetik. Por qesharakja nuk vret kurrë. Ajo të bën dhe më shumë për të qeshur.

Po aty ku Rama nuk bën të qeshë asnjë shqiptar është tek personalizimi ekstrem i rolit të tij. Ta dëgjoje atë, është sikur ai do i paguajë pensionistët dhe të papunët e krizës prej xhepit të tij. Është e krejt e kundërta që po ndodh. Janë shqiptarët me taksat e tyre që kanë paguar, paguajnë dhe do paguajnë, të cilët po mbajnë me një të ardhur të sigurt mujore  Edi Ramën dhe gjithë ministrat e tij në këto ditë vetëizolimi.

Falë kësaj sigurie financiare, falë kësaj rente që populli i tij i paguan atij, ai gjen kohën dhe luksin të monologojë me minuta të tëra duke u treguar dhëmbët shqiptarëve që nuk janë dakord me të si një shëmbëlltyrë karikaturale e Berishës me 1996 apo e Berishës me 2009 kur kërcënonte nga maja e Kuvendit t’u shkulte dhëmbët me darë atyre që e kundërshtonin.

S’do e mendoja që një politikan si Rama, ish-anarkist dhe artist të cilët lirinë e mendimit dhe të kundërshtimit duhet ta kenë si natyrë të dytë të bjerë kaq poshtë e mos ta durojë në këtë pikë kritikën. E ftoj të rivijë sërish tek Franca e lirive dhe e Volterit për një stazh pas koronavirusit.

Edi dhe Perëndimorët

Është e pakuptueshme që pas sulmit kundër të tijve që guxojnë dhe e kritikojnë, Rama iu ndërse edhe SHBA-ve dhe Europës. Vëllaut amerikan i tha ne video se ju mbase nuk e keni për gjë të lini të vdesin mijëra vete nga koronavirusi, por unë nuk e kam këtë luks me shqiptarët (!)

E habitshme! Dramatike! Por e ka një shpjegim. Më gjykoni  në mbarim të krizës, – u thotë Rama shqiptarëve. Nëse proporcionalisht me popullsinë do kemi në Shqipëri me pak vdekje se në Amerike apo në vendet europiane, kjo do i dedikohet vetëm masave të “babait te kombit”.

Duhet dëgjuar e ridëgjuar fjalimi Ramës për ta besuar se ai thotë pikërisht këtë. Gjatë gjithë asaj videoje prej 20 minutash, Rama  e vë “stekën” aq lart se po ua shpëton ai secilit prej bashkëkombasve individualisht jetën, saqë mos të shkojmë tani e ta bezdisim për gjerat “bajate” që do mbërrijnë shumë shpejt si kriza fatale ekonomike  apo fundi i ëndrrës europiane për Shqipërinë.

Loja e fjalëve me jetët që po u ruan shqiptarëve, i shërben kryeministrit të relativizojë kështu dështimet që priten në fusha të tjera si ajo ekonomike dhe e integrimit. Kështu duhet kuptuar sensi i fjalëve qe tha po ashtu dje Rama për Sky24 të Italisë. Shqipëria po ju ndihmon, u tha ai italianëve, pas nisjes së 30 mjekëve shqiptare për në Itali. Shqipëria po e bën detyrën e saj, por e keqja po u vjen nga Europianët që po u lënë në baltë. Ju nuk do ja dilni dot vetëm me bono e ndihmë shtetërore, nëse pjesa tjetër e Europës nuk ju ndihmon, ishte mesazhi i Ramës për Italinë e Kontes.

Por ky mesazh ishte në fakt për shqiptarët. Pasi kur nuk do ja arrijë Italia, si do jo arrijë Shqipëria? Domethënë ju kritikë në Shqipëri, a s’më lini rehat, a s’e shikoni ç’bëhet matanë detit tek fuqia e gjashtë në botë? Ju kritikë që nesër po ashtu do të më vërsuleni kur nuk do të ketë hapje negociatash për integrim, a nuk e shihni që as për Italinë Europa nuk po çan më kokë, e jo më për ne?

E gjithë filozofia aktuale e Ramës mund të përmblidhet kësisoj në një fjali: më mire se unë s’ka në Shqipëri, pasi shihni Amerikën ku do vdesin me mijëra nga virusi, e shihni Italinë ku pas koronavirusit rrezikon t’i marre përpara vala e krizës ekonomike. Pak a shume si Presidenti i Kinës që duke çuar maska në perëndim, i tregon popullit të tij se është më i fortë dhe se vetë perëndimorët.

Ky diskurs është i papranueshëm. Ai fillon së sheshuari çdo mendim ndryshe dhe mund të përfundojë deri tek panevojshmëria për të mbajtur zgjedhje pasi asnjë pushtet tjetër s’mund të ishte më i mirë se ai i Ramës. Kjo është një filozofi makiavelike në politikë, e cila duhet luftuar me të gjitha mjetet e fjalës së lirë sepse ajo mund të bëjë po aq dëme sa koronavirusi…

Korona-bondet: Me Merkel apo me Konten

Nëse Rama po mbyt me ultimatumet për vetëizolim çdo debat në Shqipëri mbi perspektivën ekonomike të vendit, krejt ndryshe po ndodh në Europë. Nëse Rama nuk po bën asnjë transparencë se cilat do jenë nevojat financiare afat shkurtra të vendit dhe si do te zgjidhen ato, me borxhe të jashtme, apo me prerje kartëmonedhash nga Banka e Shqipërisë, apo me rritje taksash apo me shkurtime drastike në administratë, në shkolla, spitale e deri tek rrogat e pensionet, pra nëse Rama e refuzon debatin në emër te “konservimit” të jetës nga koronavirusi, nuk është kjo që po ndodh në Europë.

Aty ka debat mbi të gjitha këto opsione. Duke kritikuar Europën Rama e ka gabim që “i fut hundët” jo atje ku nuk i takon pasi çdo njeri mund të kritikojë, po atje ku nuk është interesi ynë si shqiptarë. Duke kritikuar Europën egoiste sipas tij me Italinë, Rama po kritikon me vetëdije apo pa vetëdije Merkelin, sepse është ajo, kancelarja gjermane që po refuzon qe t’i shtrihet një bulevard me euro Italisë dhe vendeve të Europës së Jugut.

Është ajo që i tha “Nein”, koronabondeve. Nëse ka një shans fare minimal që Shqipëria t’i afrohet Europës ajo është Gjermania e Merkelit. Sidomos në këto momente kur Makron edhe më shumë se Italia do ketë nevojë për firmën e Merkelit që Banka Qendrore Europiane te zgjidhë qesen apo të japë garancinë e saj.

S’e kuptoj, çfarë loje luan Rama? A është i ndërgjegjshëm ai se duke denoncuar egoizmin financiar të BE-se ndaj Italisë, po u bën autogol shqiptarëve? Tema është teknike dhe kërkon një artikull më vete për t’i hyrë thellë polemikës aktuale midis europianëve. Vështirë edhe për ekspertët më të eksperimentuar të përcaktojnë kush ka të drejtë, krahu i Europës së Veriut me në krye Gjermaninë, apo ai i Jugut që “mbrohet” nga Franca.

Me dy fjalë, këto vende të jugut të Europës të cilat po zhyten në një krizë të re, pasi ishin tashmë në një krizë të pafund ekonomike me borxhe publike që prekin apo tejkalojnë 100% të PBB-se (Itali, Greqi, Spanjë, Portugali, Francë etj), këto vende kanë nevojë për një rubinet të pafund fondesh për të paguar shpenzimet astronomike si pasojë e krizës së koronavirusit siç janë para se gjithash rrogat e thuajse të gjithë punonjësve të sektorit publik e privat.

Ideja e këtij grupi të Jugut është kjo: Nëse çdo vend merr borxh më vete në tregjet financiare, vendet me ekonomi me paterica si Italia do të kenë përqindje të lartë interesi (siç e pësoi  në fillim të krizës së kaluar Greqia deri në 10% interesa). Por nëse ky borxh nuk merret nga çdo vend europian individualisht por nga një konsorcium europian, atëherë interesi do të ishte më i ulët se brenda këtij konsorciumi është Gjermania që e “ngre” shume notën mesatare.

Nëntë vende europiane firmosën kështu një peticion të përbashkët për krijimin e këtij borxhi të përbashkët që mban emrin korona-bond. Por Merkel e shtyrë nga Austria dhe sidomos Holanda i thanë jo kësaj ideje. Sepse korona-bondet si borxhe në emër të BE-se do t’i bënin edhe këto vende me ekonomi të shëndoshë garante për borxhet e Italisë dhe të vendeve të tjera “të dobëta” të BE-së.

Për të mos dalë si egoiste, Merkel dhe vendet e tjera të Europës së Veriut, propozojnë vënien në funksionim të MES, Mekanizmi Europian i Stabilitetit i pajisur deri në 500 miliardë euro. Që do të thotë se BE-ja, ose më mirë Banka Qendrore Europiane është e aftë vetë të nxjerrë këto shuma “borxh” për të cilat kanë nevojë vendet europiane në krizë.

Por MES që u vu në lëvizje në rastin e Greqisë funksionon si FMN-ja. Domethënë që ky borxh europian u jepet vendeve europiane vetëm nëse ato pranojnë të bëjnë reforma strukturore liberale, gjë që e refuzojnë kategorikisht Italia dhe Franca, të cilat e kanë të pamundur të bëjnë reforma te tilla si ato që pësoi Greqia sidomos në këto momente krize ku opinionet publike të vendeve të Jugut s’do t’i pranonin kurrë.

Është në këtë debat shumë teknik “inter-europian” që ndërhyn Rama. Ndërkohë që në manovrat diplomatike që do të fillojnë për koronabondet midis Francës dhe Gjermanisë, Shqipëria ka interes të jetë në krahun e fuqisë ekonomike që do të diktojë rregullat e saja në këtë moment, domethënë të Gjermanisë. Shqipëria duhet të synojë të përfitojë nga Gjermania që t’u vërë vendeve skeptike për zgjerim si kusht se ato që vende që duan të kenë akses në koronabonde apo në MES (mekanizmi europian i stabilitetit) të mos ta bllokojnë zgjerimin e BE-së në Ballkan.

Kryeministri ynë duhet të mendojë më shumë sesi të mbrojë interesat e vendit në lojën e shahut europian që ka nisur apo do të nisë së shpejti, sesa të bëhet regjisor i vetes për video që vetëm ai dhe disa kuriozë si autori i këtij shkrimi i shohin.

Check Also

Të pandehur që bëjnë adetin e patriotizmit

Prej dy ditësh përcillet në media ceremonia e rastit për festat e nëntorit. Në mënyrë …

Si e vrasim të vërtetën!

Nga Irena Beqiraj Jam rritur duke menduar se e vërteta me shumë gjasa del nga …

Mësimi online, vendim i trishtë që duhet shpjeguar

Vendimi për të kthyer mësimin online na shqetëson pa masë. Megjithëse mund ta rrokje me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *