Një Plan Marshall COVID-19 për Europën

Philippe Legrain

Ministrat e financave të Eurozonës më në fund ranë dakord më 9 prill për një paketë masash për t’iu përgjigjur krizës COVID-19. Por përballë një emergjence të paprecedentë mjekësore dhe ekonomike, ato duhet të jenë shumë më të guximshme.

Izolimet e vendosura në shumicën e vendeve europiane janë ekonomikisht shkatërruese. Për shkak se shumë biznese janë mbyllur dhe pothuajse të gjithë janë të izoluar në shtëpitë e tyre, shpenzimet e konsumatorit kanë rënë tej mase, ashtu si edhe aktiviteti ekonomik. Falimentimi po afron për shumë kompani, papunësia po rritet dhe të ardhurat familjare po tkurren.

Sipas një vlerësimi zyrtar, ekonomia e Francës tani po funksionon me kapacitet rreth dy të tretat. Duke supozuar se tkurrje të ngjashme po zbatohen në të gjithë Bashkimin Europian, një izolim prej tre muajsh do të bënte që prodhimi vjetor të binte me rreth 8%, një shok shumë më i madh sesa ai i krizës së vitit 2008-2009. Spanja që varet nga turizmi mund të goditet edhe më shumë.

Për më tepër, humbjet mund të jenë shumë më të mëdha, sepse ekonomitë nuk ka të ngjarë ta rimarrin veten aq shpejt sa edhe u rrëzuan. Pasiguria do të mbetet. Konsumatorët me borxhe dhe të trembur nuk mund të rikthehen në nivelet e mëparshme të shpenzimeve, edhe nëse kanë punë. Bankat mund të jenë jo të gatshme ose të paafta për të dhënë hua dhe shumë biznese të sëmura nuk do të shërohen kurrë. Askush nuk mund të përjashtojë bllokime të mëtejshme në muajt në vazhdim.

Prandaj, qeveritë europiane me të drejtë janë hedhur në veprim, për të mbështetur bizneset e mbetura pa para dhe punëtorët e privuar nga të ardhurat. Por pjesa më e madhe e eurozonës nuk është përgjigjur aq fuqishëm sa Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Në Francë dhe Spanjë, stimuli fiskal është vetëm rreth 2% e të ardhurave kombëtare dhe është akoma më i ulët në Itali. Këto janë reagime krejt të pamjaftueshme për atë që mund të shndërrohet në një depresion masiv.

Pse nuk po bëjnë mjaftueshëm qeveritë e eurozonës? Problemi nuk janë rregullat fiskale të eurozonës apo rregullat e ndihmës shtetërore të BE-së, të cilat janë pezulluar ose relaksuar. As qasja në treg nuk është problem, po të kemi parasysh që kostot e huazimit të qeverive janë gati-zero ose negative. Problemi, përkundrazi, është frika e vazhdueshme se rritja e borxheve do të çojë në masa shtrënguese shtypëse, që do të vendoseshin nga BE-ja pasi të kalojë pandemia, dhe se nevojat më të larta të qeverive për rifinancim mund të shkaktojnë një krizë tjetër financiare.

Tani për tani, Banka Qendrore Europiane ka qetësuar tregjet duke u angazhuar të blejë të paktën 750 miliardë euro (820 miliardë dollarë) obligacione qeveritare dhe të korporatave këtë vit, përmes Programit të ri fleksibël të Blerjeve të Emergjencës Pandemike (PEPP), përveç programit të shpallur më parë të lehtësimit sasior, me vlerë 360 miliardë euro.

Por eurozona mbetet një ngrehinë e paqëndrueshme dhe prirja e saj për shtrëngime është thjesht në gjendje pritjeje. Ajo i mbijetoi panikut të viteve 2010-2012 sepse tregjet besuan tek angazhimi i presidentit të atëhershëm të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, se kjo e fundit do të bënte “gjithçka që do të nevojitej ” për të ruajtur bashkimin monetar dhe qeveritë u lehtësuan më pas. Por pasardhësja e Draghi-t, Christine Lagarde, që atëherë e ka minuar angazhimin e tij duke deklaruar se “ne nuk jemi këtu për të mbyllur këto përhapje” (duke iu referuar interesit shtesë të paguar nga huamarrësit më me risk, siç është Italia, në krahasim me ato më të sigurta, siç është Gjermania). Ekziston një rrezik i vërtetë i një krize financiare, pasi të përfundojë PEPP-ja.

Ndoshta, problemi më i madh është politik. Pandemia duhej të kishte bërë bashkë europianët përballë një kërcënimi të përbashkët që nuk respekton kufij kombëtarë. Përkundrazi, shtete individuale kanë ngritur secili gardhet e veta. Kur Italia bëri një thirrje urgjente për ndihmë mjekësore në fund të shkurtit, asnjë nga 26 vendet e tjera të BE-së nuk u përgjigj, derisa e bëri Kina. Franca dhe Gjermania në të vërtetë e ndaluan eksportin e pajisjeve mjekësore, duke u tallur praktikisht me tregun e vetëm të BE-së. Po kështu, fqinjët e Italisë në zonën e Shengenit nxituan të mbyllnin kufijtë.

Më keq, kriza e COVID-19 ka ringjallur përçarjet dhe paragjykimet e krizës 2010-2012. Në një kohë kur shumë italianë dhe spanjollë po vdesin, disa europiano-veriorë, veçanërisht ministri i shurdhët i financave të Holandës, Vopke Hoekstra, kanë lënë të nënkuptohet se europianët e jugut janë në vështirësi për shkak se janë të shkujdesur dhe vanitozë.

Nuk është për t’u habitur që kriza po forcon ndjenjat anti-BE dhe partitë nacionaliste populiste, veçanërisht në Itali. Edhe Sergio Mattarella, presidenti pro-BE i vendit, është dëshpëruar nga mungesa e solidaritetit. Ndërkohë, Vëllezërit e Italisë, të cilët janë edhe më ekstremë se partia e ekstremit të djathtë La Liga, janë rritur në votime. Një qeveri e re nacionaliste e vijës së ashpër mund të vendosë të lëshojë bono të tregtueshme për të lehtësuar kufizimet e saj fiskale dhe daljen e Italisë nga euro. Kjo është gjëja e fundit që i duhet eurozonës.

Për të shmangur një katastrofë më të gjerë ekonomike, për të larguar rrezikun e një krize financiare dhe për të siguruar një solidaritet politik shumë të nevojshëm, europianët duhet menjëherë të fillojnë një “Plan Marshall COVID-19 “. Për t’iu përgjigjur shkallës së krizës, eurozona duhet të angazhohet të mobilizojë të paktën 1 trilion euro (8% e PBB-së), që duhet të ofrohen si grante – jo kredi që do të shtonin ngarkesat e borxhit kombëtar – për marrësit e kualifikuar, në të gjithë bashkimin monetar. Kjo mund të ndihmojë për nevoja mjekësore siç janë testimi, të mbështesë europianët e goditur nga papunësia dhe të ndihmojë në mbjelljen e farërave të rimëkëmbjes ekonomike.

Plani duhet të financohet duke lëshuar një borxh të përbashkët që Banka Qendrore Europiane do ta blinte dhe përballonte për të ardhmen e parashikueshme. Në dallim nga “koronabonot” e përkohshme që Gjermania, Holanda dhe të tjerët kanë refuzuar, ky Plan i ri Marshall nuk do t’i kushtojë asgjë taksapaguesve europianë, veriorë ose jugorë. Dhe duhet të vijë me një klauzolë, për të siguruar ata që kanë frikë se do të krijohet një bashkim i përhershëm fiskal nga dera e pasme.

Masat e dakordësuara deri më tani nga ministrat e financave të eurozonës janë shumë të mangëta. Garancitë e huasë për bizneset më të vogla janë të dobishme. Por huatë e BE-së për të ndihmuar në financimin e shpenzimeve mjekësore dhe skemat e mbrojtjes së punësimit në të vërtetë do ta shtojnë problemin e Italisë, i cili nuk është qasja në treg, por hapësira fiskale. Vendimi për të krijuar një Fond Rimëkëmbje bazuar në “instrumente financiare inovative” është një konflikt i pakuptimtë dhe qeveritë mbeten të bllokuara për lëshimin e borxhit kolektiv. Europianët duhet të shpresojnë vetëm që liderët e tyre të arrijnë në konkluzionin se, herët a vonë, një Plan Marshall i financuar nga Banka Qendrore Europiane është rruga e duhur përpara./BIRN

Check Also

Venecia kritikon socialistët për ndryshimet e njëanshme në kushtetutë

Komisioni i Venecias shprehu keqardhje për procedurën e ndjekur nga Partia Socialiste dhe mbështetësit e …

Mirel Mërtiri, padi kundër BIRN Albania për dëm ‘moral dhe ekzistencial’

Me pretendimin se raportimi për lidhjet e tij me koncesionet e trajtimit të mbetjeve urbane …

A mund të jetë Bitcoin, ari i ri? Analistët parashikojnë rritje me 19 herë deri në dhjetor 2021

Bitcoin, kriptomonedha më e njohur në botë, po zhurmon përsëri në mesin e komunitetit të …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *