Nëse mbledhësit e kanoçeve do bënin joga

Nga Koloreto Cukali

Ditari i Rezistencës: Dita 10 e kiametit

 

1-Burri i kanoçeve

Poshtë, në rrugicën time kalon burri me biçikletë që mbledh kanoçe. Në mëngjes, dëgjohet thirrja e përdyditëshme e burrit rom që mbledh lavatriçe të vjetra. Të dy këta bredhin rrugicave pa mbrojtje, pa doreza e pa maska. Çmimi i tyre mund të jetë 2-3 fishi i asaj që ata nxjerrin në ditë. Pastruesja e pallatit nuk vjen dot, sepse banorët nuk e duan – nga frika. Ajo kërkoi të vinte në fakt, edhe pse në këto kushte ajo do duhej të kishte frikë nga ne. Sepse, ajo duhet të ushqejë fëmijët dhe jeton me pagën e ditës. Ajo ka vetëm borxhe dhe po nuk punoi nuk ha.

Ndaj, këta dalin rrugëve në kërkim të punës e të bukës, pa mbrojtje, e duke neglizhuar çdo frikë nga Covid-i. Ndryshe nga “elitat” që shqetësohen se u mbyll restoranti mondan, dhe që virusi i privoi nga vajtja në Korçë fundjavave, burri që mbledh kanoçe ka dhe një hall më të madh: të mbijetojë, sot.

Ndaj ai nuk pyet as për virus e as për Kryeministër.

2-Burri që bën joga

Unë nuk besoj që këta duan kasten të sfidojnë urdhërin e Ramës. Them “urdhërin e Ramës” sepse në këtë vend nuk ka qeveri, as institucione. Ka vetëm një njeri që komunikon nga Vila e Vet duke personalizuar çdo gjë. Ai është dhe Kryemjek, dhe Krye-specialist, dhe Krye-Edukatore, dhe Krye-redaktor, dhe Krye-polic…

Sigurisht, personalizimi i çdo mesazhi, është i qëllimtë. Ai kërkon që çdo njeri ta dijë që varet prej TIJ e jo prej shtetit e larg qoftë, Kushtetutës. Por, përtej kësaj, kjo formë komunikimi prodhon mjaft material studimi. Psh, pjesë e logorresë së propagandës ishte dhe një mesazh i para pak ditësh, ku ai i sugjeronte popullit që ngujimi duhet kaluar me joga dhe me agjërim!

Për kë flet ky njeri? Sigurisht, jo për burrin që shet kanaçe ose që mbledh lavatriçe të vjetra. Por, pyetja ime, shumë, vërtet shumë serioze, është. A e di ai ku jeton?

3- A i zë Covid deshtë nëse bëjnë joga?

Për pastruesen e di që nuk ka as sigurime e as ekziston gjëkundi e regjistruar. Dyshoj se dhe burri rom që mbledh lavatriçet të jetë i siguruar. Ashtu sikurse di me dhjetëra raste – raste që i njoh personalisht – që ose i kanë detyruar të regjistrohen me minimumin e sigurimeve, ose i kanë detyruar të punojnë në të zezë.

Por dhe sikur, numri i punëtorëve të ndershëm – e theksoj, se ka rëndësi, TË NDERSHËM – që nuk shtyjnë dot muajin është tepër, tepër i madh. Si mundet që dikush të jetë kaq i pandjeshëm sa t’u këshillojë të bëjnë joga, atyre që javën e fundit të muajit nuk i zë gjumi sesi do ushqejnë fëmijët, si do paguajnë borxhet?

Që Kryeministri është i pandjeshëm nga hallet e njerëzve këtë e dëshmon historiku i vendimeve të tij si Kryeministër. Ai është që prej fillimit, Kryeministri i “deshve” jo i “deleve”. Por, unë besoj që ka dhe një shpjegim tjetër. Ai është shkëputur, ka kohë, nga realiteti i këtij vendi dhe e ka rrethuar veten me shërbëtorë.

Ai, kur thotë “lum si ju që më keni mua që t’ju mbroj” e beson edhe vetë tashmë. Pavarësisht se nuk ka asnjë plan paraprak, pavarësisht se deri para 1 jave ngulte këmbë që Virusi është fryrje mediatike, pavarësisht se nuk ka kokrrën e idesë si do mbijetojë pastruesja e pallatit tim apo romi që mbledh lavatriçet e vjetra.

I mbyllur në vilë edhe ai vuan. I mungojnë darkat me ata, hallet e të cilëve janë të vetmet që njeh. Gënjen veten që po e kalon me joga. Është aq aq i rremë, aq fals dhe aq sipërfaqësor në atë që thotë, sa duket që nuk ka kuptuar asnjë nga rregullat kryesore të jogas: ajo bëhet që të eleminosh egon dhe unin personal.

Ç’ka duket shumë e vështirë që ta bëjë njeriu që gëzon se i ka rënë dhe një armë e re në lojën “të luajmë diktatorësh”: Covid-19.

Check Also

Ursula von der Leyen: A do të luajë njerëzimi si një skuadër më 2021?

Disa shtete, kërkimin për një vaksinë e shohin si një garë midis fuqive globale, që …

Vaksina anti- Covid, BE do ta shpërndajë edhe në Ballkanin Perëndimor

Bashkimit Europian ka njoftuat sot një lajm të mirë për të gjitha e Ballkanit Perëndimor, …

Përse na duhet shteti dhe jo vetëm tregu

Nga Irena Beqiraj Në një fragment tek 12 proverbat e ferrit William Blake thotë “Asnjë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *