“Lushnjari i Kolumbisë” e “Lushnjari i Tiranës” që mbrohet nga RENEA

Nga Elton Qyno

Që prej ditës së djeshme mediat online dhe ajo televizive, u çanë duke raportuar për një Shqiptar me nofkën “Jimmy, i etiketuar si koka i një grupi kriminal, që trafikonte Kokainë nga Kolumbia në drejtim të Amerikës dhe Europës. Kush e kush të nxirte detaje ekskluzive nga përkthimi i artikujve të mediave Kolumbiane në google translate, për “Jimmyn” ose Agim Çermën me origjinë nga Lushnja.

U arrit deri aty sa të flitej për një Shqiptar nga Lushnja, që ishte koka i organizatës kriminale dhe njeriu që kishte filluar të dominonte dhe rivalizonte kartele tradicionale si ai i “Medelin”, “Calit”, “Farku”, “Clan del Golfo” në Kolumbi, e kartele të tjera këto që kanë jo një e dy anëtarë, por mijëra të tillë.

Fillova të qesh për një moment. E di pse? Sepse imagjinova për pak sekonda që një lushnjar si Agim Çerma, i dënuar në Shqipëri për vrasjen e Gëzim Liçit në vitin 1997 dhe që më pas i kthyer në hajdut studiosh pikturash në Durrës, të kthehet në kokën e trafikut të kokainës dhe ti rinë “lepe-peqe” kartelet Kolumbiane.
Them hajdut, pasi Agim Çerma është dënuar në tetor të vitit 2004, me 5 vite burgim për akuzën e “Vjedhjes” së kryer në bashkëpunim.

Ky dënim lidhet me ngjarjen e 24 tetorit 2003, ku rreth orës 23:30 është vjedhur me thyerje studio private e piktorit R.Rr., që ndodhet në Currila Durrës. Pikërisht në këtë studio, Agim Çerma së bashku me personin tjetër G.C., kanë arritur të vjedhin një manjetofon, pompë uji, çadër plazhi dhe një karrocë dore.
Tani ky është niveli i Gëzim Çermës. Nga vrasës, i natyralizuar në hajdut dhe nga hajdut, i natyralizuar në trafikantin më “të madh” të kokainës në Kolumbi. E ku në Kolumbi!? Që nga aty, ka filluar gjithçka mbi historikun e trafikut të kokainës.

Por me sa duket, kolumbianët paskan pritur, gjithë këtë kohë që të vinte, Gimi i Lushnjës dhe të fillonin të punonin ndopak me kokainën.

Këto kartele që në çdo raport të DEA-s Ameriane dhe policive të Amerikës Latine, janë në top listën e dhjetë karteleve më të fuqishmëve, që furnizojnë botën me kokainë. Pa llogaritur këtu numrin e atentateve dhe vrasjeve, luftën frontale që bëjnë me policinë vendase, e deri në sulmet terroriste që këto kartele prodhojnë çdo vit.

Tani nëse ndjek tituj e mediave tona, të raportohet një situatë se në Kolumbi, paska dhe një “Eskobar” tjetër, por ai qënka Shqiptar jo vendali. Për një moment të duket, sikur kartelet më të fuqishme në Kolumbi, mezi kanë pritur, që të shkojë Gimja i Lushnjës, për ti orientuar se çfarë do bëjnë, dhe nga cila anë do ja nisin punës, se kanë ngelur trokë, u ka rënë puna fare.

E kam thënë edhe në shkrimet e mëparshme e vazhdoj ta them, që për më shumë se një dekadë, Shqiptarët kanë shkuar në burimin ku prodhohet kokaina, dhe synojnë të bëjnë të vetëm, tregtinë e këtij malli nga pika “A” që është burimi i kokainës deri në fund, që është “Finishi” i çuarjes sa saj në tregun Europian, Amerikan dhe Aziatik.
Po shqiptarët janë pak në këtë kontinent të madh dhe të rinj në këtë zanat. Kaq i kanë këllqet, kaq është takati i tyre dhe nuk mund të marin përsipër të zëvendësojnë grupet dhe kartelet tradicionale, duke i marë tregun atyre dhe pikërisht në shtëpinë e tyre. Se siç thotë një fjalë e urtë popullore “…s’të le Baloja, të hajë Laroja…”. Tani kush beson se Shqiptarët konkurojnë kartelet në Amerikën Latine, ai qoftë.

Për mua si gazetar i Kronikës, Grup Shqiptarësh më të fuqishëm në Amerikën Latine që bazën e veprimit e ka në Guajakyl të Ekuadorit është “Los Blancos” dhe nuk mund ti heq një paralelizëm me një grup tjetër Shqiptar, që vepron në këtë kontinent apo në Europë. Nuk po them që “Los Blancos”, konkuron kartelet vendase, por në nivel grupesh Shqiptare, ky është Nr.1. Jo ti arrestosh, por edhe nga themelet ti shkulësh, ky grup shqiptarësh ka linjën e vetë autonome të shumicës, të hipotekuar dhe që mbi të gjitha respektohet nga grupet e tjera.

Prezenca e shqiptarëve në këtë kontinent pa diskutim është bërë e dukshme nga guximi maksimal që ata kanë. I luajnë të gjitha kartat, ose do fitojnë mirë ose do i humbin që të gjitha. Dhe këtë formulë veprime e bëjnë në një vend, ku kokaina ritet ashtu siç riten gjembat ose ferat në Shqipëri. Guximshëm shqiptarët, depërtojnë në fushat e gjera të kokainës, ku padyshim qarkullon një treg I tillë që, nëse mer 100 kg, 30 kg janë qelepir, i ke falas.

Por që të meret tre ditë me rradhë media Shqiptare me Lushnjarin e Kolumbisë dhe të mos ketë kohë, qoftë dhe një ditë të vetme, që të meret me Lushnjarin e Tiranës, ky është kulmi. Portale dhe televizione kanë tre ditë që përkthejnë nga google translate artikuj të medias kolumbiane, për Lushnjarin e Kolumbisë, ndërsa nuk dinë dhe as ngurojnë të bëjnë ndonjë investigim se kush është Lushnjari i Tiranës.

Madje dhe gazetarët e policisë që kanë njohje të forta tek RENEA, nuk dinë se pse pikërisht efektivë të RENEA-s, jashtë orarit zyrtar të punës, mbrojnë dhe garantojnë sigurinë e Lushnjarit të Tiranës.
Ndaj që thellohuni, thellohuni…

Check Also

Çdo javë tampon nga mësuesit dhe studentët që refuzojnë vaksinën

Rriten infektimet nga përhpaja e variantit Delta, por kufizimet për qytetarët nuk ndryshojnë. Komiteti i …

Dënimi me 2 vite burg i Llallës, reagon Kim: Askush nuk është mbi ligjin, drejtësia kundër zyrtarëve të korruptuar

Ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme …

Vala e rritjes së çmimeve në vend, nga po vjen dhe sa do të vazhdojë

Vala e rritjes së çmimeve erdhi si cunam në tregjet globale këtë vit, por në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *