Ku ka gabuar Shqipëria në raport me Kinën?

Ditët e fundit është parë një ftohje e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën. Kjo ka nisur të ndjehet prej kohësh, por ditët e fundit kur vendi ka më shumë nevojë është ndjerë edhe më shumë.

Sinjali i ftohjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, do të vinte dy javë më parë, kur Shqipëria i kërkoi ndihmë Kinës për të përballuar situatën me pandeminë e koronavirusit. Zv/ ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi se kishte bërë një komunikim zyrtar me ambasadën e Republikës së Kinës duke ia shprehur këtë kërkesë.

Më një prill, ashtu si në të gjitha vendet e Ballkanit, Kina i dhuroi Shqipërisë 1 mijë teste për Covid-19. Por ndryshe nga rajoni, për Shqipërinë, ndihma do të përfundonte me kaq.

Pekini ka vazhduar shpërndarjen e 30 ventilatorëve në Maqedoninë e Veriut, dërgimin e ndihmave mjekësore dhe 3 mijë testeve në Mal të Zi, dhe nisjen e mjekëve dhe pajisjeve drejt Serbisë dhe Bosnjës. Por deri më tani, për vendin tonë nuk është dërguar as edhe një ndihmë tjetër.

Ku kemi gabuar ne në raport me Kinën?

Zanafilla e kësaj ftohje erdhi menjëherë pasi qeveria shqiptare mbështeti rezolutën e Perëndimit për të drejtat e protestuesve të Hong Kongut. Kjo rezolutë duket se ka pasur impakt të madh në marrëdhëniet dy-palëshe. Që pas kësaj rezolute pjesa më e madhe marrëveshjeve dypalëshe janë lënë pezull.

Marrëdhëniet me Kinën pësuan më pas një tjetër goditje të rëndë pasi qeveria shqiptare dëgjoi këshillën e SHBA-së për të mos futur teknologjinë 5G nga kompania shtetërore kineze Huawei. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar edhe Shqipërisë të qëndrojë larg Kinës, duke e cilësuar këtë të fundit si kërcënimin dhe armikun më të madh vendeve të NATO-s. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka vlerësuar sërish sot Shqipërinë për mos blerjen e rrjetit 5G nga Kina duke deklaruar se vendi ynë fitoi një “betejë” në luftën për siguri.

Por në këtë betejë, Shqipëria duket se ka humbur partneritetin me Kinën. Ky partneritet mund të kishte luajtur një rol kyç në luftën kundër koronavirusit. Ashtu si Serbia, edhe Shqipëria ka nevojë urgjente për maska dhe pajisje mjekësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vendi ynë ka vetëm 140 ventilatorë.

Bashkimi Europian ka parashikuar se koronavirusi mund të prekë rreth 70% të popullsisë së Europës, një skenar i papërballueshëm jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga një pjesë e madhe e vendeve anëtare të BE-së. Për vendin tonë, ku numri i maskave dhe ventilatorëve është i kufizuar, donacionet e jashtme janë jetësore. Por deri më tani, të paktën publikisht, Kina nuk duket e gatshme të “zgjasë dorën”.

Shqipëria herë pas herë gabon në marrëdhëniet e saj me shtete të mëdha. E përfshirë nga zelli për të qenë besnik i një shteti të madh, hedhim në erë marrëdhëniet me miq të tjerë. Shqipëria është një vend fare i vogël, për të vendosur ekuilibra mes gjigantëve. Prandaj gjithmonë duhet të jetë e udhëhequr nga interesat e saj. Mjafton të shikoj strategjinë Serbisë, e cila ka aleat të rëndësishëm Rusinë dhe Kinën, por kurrë nuk heq dorë edhe nga bashkëpunimi me SHBA dhe BE.

 

Vini re: Ky material është pronë intelektuale e portalit Argumentum

Check Also

Të pandehur që bëjnë adetin e patriotizmit

Prej dy ditësh përcillet në media ceremonia e rastit për festat e nëntorit. Në mënyrë …

Si e vrasim të vërtetën!

Nga Irena Beqiraj Jam rritur duke menduar se e vërteta me shumë gjasa del nga …

Mësimi online, vendim i trishtë që duhet shpjeguar

Vendimi për të kthyer mësimin online na shqetëson pa masë. Megjithëse mund ta rrokje me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *