COVID-19 po ndihmon qeveritë me axhenda joliberale edhe në Europë

Nga Gjergj Erebara

Besohet se një program kompjuterik i krijuar me synimin e kontrollit të popullsisë në rast protestash, i quajtur “njohja e fytyrës”, po ndihmon qeveritë në mënyrë surprizuese që të identifikojë bartësit potencialë të COVID-19 duke mundësuar në këtë mënyrë kufizimin e përhapjes së pandemisë. Njëkohësisht me këtë, shumë qeveri gjysmëdemokratike kanë zgjedhur të shpallin “luftë” dhe të miratojnë ligje të jashtëzakonshme si për kohë lufte, duke ngatërruar shprehjen figurative “jemi në luftë” me situatën reale të luftës, në të cilat, qeveritë i japin vetes të drejta të plota për të dhunuar liritë themelore të njeriut, situatë kjo shumë e ndryshme me atë të katastrofës natyrore, në të cilën, qeveritë, ndonëse marrin fuqi për të vepruar pa proces të rregullt ligjor për shkak të urgjencës, nuk kanë ndonjë arsye të shëndoshë për të dhunuar të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve të vet si në kohë lufte.

Të shqetësuar nga një keqpërdorim i tillë i situatës së krijuar nga COVID-19 nga disa qeveri në kontinentin Europian, dhjetë organizata ndërkombëtare që luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve iu drejtuan të Martën me një letër publike drejtuesve më të lartë të Këshillit të Europës duke i kërkuar të veprojë me vendosmëri kundër këtyre praktikave të cilat aktualisht po ndodhin edhe në kontinentin Europian dhe me raste, edhe mes anëtarëve të Bashkimit Europian.

“Ne, organizatat firmëtare të lirisë së shtypit dhe lirisë së shprehjes, po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë mbi rreziqet që qeveritë të përfitojnë nga pandemia COVID-19 për të ndëshkuar median e pavarur dhe kritike si dhe për të vendosur kufizime në aksesin për vrojtim nga media mbi vendimet dhe veprimet e qeverisë”, shkruhet në letër, e cila është firmosur nga këto organizata: ARTICLE 19, Association of European Journalists (AEJ), Committee to Protect Journalists (CPJ), European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), European Federation of Journalists (EFJ), Free Press Unlimited (FPU), Index on Censorship, International Federation of Journalists (IFJ), International Press Institute (IPI) dhe Reporters Ëithout Borders (RSF).

“Para së gjithash ne jemi thellësisht të shqetësuar nga hapat e nxituar të disa qeverive për të pretenduar se kanë fuqi të plota për të kriminalizuar promovimin e informacionit të rremë të lidhur me COVID-19,” shkruhet në letër.

“Organizatat tona janë shumë të vetëdijshme për rreziqet që mbart dizinformimi dhe se si ai po përdoret nga aktorë të paskrupuj për të shpërndarjë panik dhe ndasi. Gjithsesi, kjo nuk justifikon fuqitë drakoniane që mund të përdoren kundër gazetarëve, puna e të cilëve është me rëndësi vendimtare për promovimin e të kuptuarit nga publiku të çështjeve të shëndetit dhe për të garantuar llogaridhënie.”

Ogranizatat janë të shqetësuara në veçanti nga një ligj i ri në Hungari, në të cilin, nën sugjerimin e emergjencës civile, parashikohen dënime me deri pesë vjet bur për personat që gjykohet se “përhapin informacion të rremë”.

Organizatat janë gjithashtu të shqetësuar nga pasojat e masave të fuqizuara mbikëqyrëse të vendosura për të monitoruar përhapjen e virusit. Ndërsa pranohet se masa të tilla mund të kenë efekte pozitive në termat e luftës kundër përhapjes së virusit, organizatat kërkojnë që përdorimi i mjeteve të tilla dhunuese duhet me doemos të kufizohet vetëm për efekt të ndalimit të pandemisë dhe duhet të jetë nën mbikëqyrjen e duhur të autoriteteve të pavarura.

“Mbikëqyrja e palimit rrezikon privatësinë dhe të drejtën e të dhënave personale si dhe aftësinë e gazetarëve për të mbrojtur burimet. Ajo pengon gjithashtu aftësinë e gazetarëve për të raportuar dhe komentuar mbi çështje me rëndësi publike për shkak se shkakton vetë-cenzurë dhe minon lirinë dhe pluralizmin e medias,” shkruhet në letër.

Shqetësimi i tretë lidhet me disa qeveri si Slovenia, Republika Çeke (dhe Shqipëria), të cilat kanë reduktuar praninë fizike të gazetarëve në konferenca për shtyp ose i kanë anuluar ato fare.

“Masa të tilla nuk duhet të lejohet të kufizojnë aftësinë e medias për të pyetur qeveritë,” shkruajnë organizatatat.

Letra thekson se ka një shqetësim në rritje për sulme trollsash në internet ndaj gazetarëve që kritikojnë qeveritë gjatë raportimeve të tyre mbi masat e ndërmarra nga qeveritë në kuadër të pandemisë.

“Në një periudhë kur të drejtat themelore po pezullohen nëpër Europë, ne kemi nevojë për vrojtim kritik nga media kundër abuzimeve të këtyre fuqive të reja më shumë se kurrë më parë,” thuhet në letër.

Organizatat i kërkojnë Këshillit të Europës që të veprojë ndaj ligjit hungarez njësoj siç veproi me ligjin shqiptar kundër medias, duke i kërkuar një opinion Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias është një trupë këshilluese e Këshillit të Europës për çështje kushtetuese, opinionet e së cilës kanë peshë të lartë morale në vendet anëtare.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare me 47 vende anëtare.

Check Also

Miti i intubimit – Çfarë na tregojnë statistikat: Vdes apo shpëton

“Nëse futesh në intubim nuk ka kthim mbrapa!” Ky është një mit urban që në …

Raporti i EuroBarometer: 71 përqind e shqiptarëve e konsiderojnë shumë keq ekonominë në vend

71 përqind e shqiptarëve e konsiderojnë gjendjen ekonomike në vend si shumë të keqe, sipas …

Banorët presin shtëpitë e reja, por në Kurbin e Lezhë ende nuk kanë filluar shembjet

Kol Paçuku, banor i lagjes numër 4 në Laç, pret prej një viti lajme për …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *