Corona po ngadalësohet, njerëzimi do të mbijetojë!

Nga Monika Stafa

Laureati i Nobelit dhe profesori i Stanford Michael Levitt papritur u bë një figurë mjaft popullore në Kinë në kulmin e pandemisë së koronavirusit, duke i dhënë këtij populli qetësi në kulmin e ankthit dhe frikës. Ndërsa siguron se bazuar mbi statistika virusi është në rënie në një pjesë të botës.

Michael Levitt, laureat i Nobelit, një profesor amerikano-izraelit që jep leksione mbi biologjinë strukturore në Universitetin e Stanfordit, papritur u bë një emër mjaft i dashur në Kinë, në kohën e pikut të pushtimit të saj nga Covid-19. Ai me njohuritë e tij, i dha siguri opinionit publik duke shpjeguar se ajo cfarë po ndodh ka një vijueshmëri procesi që bazohet mbi shkencë. Prof. Levitt nuk zbuloi një trajtim apo ndonjë kurë, ai thjesht bëri atë që di të bëjë më mirë: përpunoi shifrat e ndjekjes së këtij procesi që prej fillimit të herës. Statistikat e çuan atë në përfundimin se, në kundërshtim me parashikimet e zymta që jepen herë pas here, përhapja e virusit do të ndalojë.

Mesazhet qetësuese që prof. Levitt u dërgoi miqve të tij në Kinë, u përkthyen në gjuhën e vendit dhe u transmetuan nga një person në tjetrin, duke e kthyer atë në një personazh popullor për kombin aziatik. Parashikimet e tij ia dolën të ishin tepër të sakta: numri i rasteve të reja të raportuara çdo ditë, filloi të njohë rënie që nga 7 shkurti. Ndërsa një javë më vonë, niveli i vdekshmërisë shënoi ulje në grafik, gjithashtu. Për t’iu përgjigjur skepticizmit të atyre që se njohin, Prof. Levitt, vërtet mund të mos jetë një ekspert në epidemiologji, sic dhe e pohoi vetë në një intervistë telefonike për një të përditshme financiare, “Calcalist”, më të njohurën në Izrael, por ai ka njohuri mbi përpunimin e të dhënave statistikore.

Intervista për gazetën e njohur, fillimisht ishte planifikuar të mbahej në kompleksin modern Sarona në Tel Aviv, ku Levitt banon. Por pasi ai u përfshi nga një e ftohur, sigurisht “jo corona”, biseda u realizua me telefon. Edhe pse Levitt beson se pandemia do ta bëjë kurbën e saj, ai tërheq vëmendjen për të gjitha masat e sigurisë që po merren aktualisht nga të gjitha shtetet e botës dhe nevojën për t’iu bindur atyre.

Michael Levitt e fitoi çmimin Nobel për kimi në vitin 2013 për “zhvillimin e modeleve që operojnë në shkallë të pafundme për sisteme kimike komplekse”. Ai nuk e ka menduar asnjëherë të jetë një profet që paratha, fundin e kësaj fakeqësie që na ka pllakosur; sepse ndodhi kaq rastësisht. Gruaja e tij, Shoshan Brosh, është një studiuese e artit kinez dhe një kuratore për fotografët vendas, që do të thotë se çifti ndan kohën e tyre mes SH.B.A., Izraelit dhe Kinës. Kur shpërtheu pandemia, Brosh u shkroi miqve në Kinë për t’i mbështetur ata. “Kur ata na thanë se sa e ndërlikuar situata paraqitej, unë vendosa t’u hedh një vështrim më të thellë numrave me shpresën për të arritur në një përfundim,” shpjegoi Levitt. “Shkalla e infeksionit të virusit në provincën Hubei u rrit me 30% çdo ditë – dhe kjo është një statistikë e frikshme.

Unë nuk jam një ekspert i gripit, por mund të analizoj numrat dhe kjo shifër konsiderohet një tregues në rritje”, vazhdon ai. “Me këtë ritëm, sipas tij, e gjithë bota duhet të ishte infektuar brenda 90 ditësh. Por më pas, tendenca ndryshoi”. Kur Levitt filloi të analizojë të dhënat në 1 shkurt, Hubei kishte 1,800 raste të reja çdo ditë dhe brenda gjashtë ditësh ky numër arriti në 4.700. “Dhe pastaj, më 7 shkurt, numri i të prekurve filloi të bjerë në vijë të drejtë dhe nuk u ndal. Një javë më vonë, e njëjta gjë ndodhi me numrin e vdekjeve. Ky ndryshim dramatik në kurbë, shënoi pikën mesatare dhe mundësoi parashikim më të mirë se kur do të përfundojë pandemia.

Bazuar në këtë, arrita në përfundimin, shton profesori i biologjisë, se situata në të gjithë Kinën do të përmirësohet brenda dy javësh. Dhe, me të vërtetë, tani ka shumë pak raste të reja infeksioni”. Levitt e krahasoi situatën me interesin bankar – nëse ditën e parë një person merr një normë interesi prej 30% në kursimet e tij, ditën tjetër do të marrë 29% dhe kështu me radhë, “do e kuptoni që përfundimisht, kështu ju nuk do të fitoni shumë”. Mesazhet që u shpërndau miqve të tij, u përkthyen shumë shpejt duke dhënë shpresë në Kinë dhe njerëzit që dëshironin të siguroheshin, nëse i atribuoheshin atij të gjitha këto informacione filluan të kontaktonin vetë prof. Levitt. Bazuar në zvogëlimin e numrit të rasteve të infeksionit dhe vdekjeve, tha ai, virusi ndoshta do të zhduket nga Kina deri në fund të marsit.

Fillimisht, çdo pacient me koronavirus në Kinë, tha Levitt, infektonte mesatarisht 2.2 persona në ditë- një tregues me rritje të frikshme që mund të çojë drejt katastrofës. “Por pikërisht atëherë numri filloi të bjerë, dhe numri i infeksioneve të reja të përditshme tani po shkon drejt zeros”. Ai e krahasoi atë sërish me normat e interesit: “edhe nëse norma e interesit vazhdon të bjerë, ju prapë fitoni para. Shuma që keni investuar nuk zvogëlohet, ajo thjesht rritet më ngadalë. Por kur diskutoni për sëmundjet, ajo i frikëson shumë njerëzit sepse vazhdojnë të dëgjojnë çdo ditë raste të reja.

Fakti që niveli i infeksionit po ngadalësohet, do të thotë që fundi i pandemisë është afër”.
Ekzistojnë disa arsye për këtë, sipas Levitt. “Në modelet e rritjes me tregues të konsiderueshëm, ju pretendoni se njerëz të tjerë mund të infektohen çdo ditë dhe keni të drejtë, sepse ju vazhdoni të takoni njerëz të rinj. Por, nëse e konsideroni rrethin tuaj shoqëror, në thelb ju duhet të mendoni se po takoni të njëjtët njerëz çdo ditë. Njerëzit e rinj janë ata që ju takoni në transportin publik, p.sh., ndaj duhet t’i evitoni njerëzit e rinj me patjetër.

Një arsye tjetër që shkalla e infeksionit është ngadalësuar ka të bëjë me udhëzimet që juve ju është dhënë tani lidhur me distancën njëri me tjetrin. “Ju nuk përqafoni çdo person që takoni tani në rrugë, dhe po shmangni takimin ballë për ballë me dikë që ka madje dhe të ftohtë, si ne”, tha Levitt. “Sa më shumë t’u përmbaheni këtyre rregullave, aq më shumë mund ta mbani infeksionin nën kontroll. Kështu që, në këto rrethana, një transportues do të infektojë vetëm 1.5 persona çdo tre ditë dhe niveli i përhapjes do të vazhdojë të ulet”. Karantina është vetëm një faktor që ndikon në këtë ulje të përhapjes, sipas Levitt, por ka edhe të tjerë në aksion.

“Ne e dimë që Kina ishte nën karantinë thuajse të plotë, njerëzit largoheshin nga shtëpia vetëm për të bërë blerjet e ushqimeve bazike duke shmangur kontaktet me të tjerët. Në Ëuhan, i cili kishte numrin më të madh të rasteve të infeksionit në provincën Hubei, të gjithë kishin një shans të infektoheshin, por vetëm 3% e tyre u infektuan”, shpjegon profesori. “Edhe në Princess Diamond (anija e cila u prek nga virusi), shkalla e infeksionit nuk arriti të shkonte më shumë se 20% të infektimit të saj”.

Bazuar në këto statistika, tha Levitt, arrij të konfirmoj se shumë njerëz thjesht janë natyrshëm imunë ndaj virusit.
Shpërthimi i rasteve në Itali është shqetësues, shtoi aikur u pyet gjatë intervistës, por vlerëson se vjen si rezultat i një përqindje më të lartë të të moshuarve krahasimisht me Kinën, Francën apo dhe Spanjën. “Për më tepër, kultura italiane është shumë e ngrohtë dhe italianët kanë një jetë shumë më të pasur sociale. Për këto arsye, është e rëndësishme të vazhdoni të qëndroni larg njëri- tjetrit dhe të parandaloni që personat e sëmurë të jenë në kontakt me njerëz të shëndetshëm”, këshillon profesori.

“Kina bëri një punë të shkëlqyeshme dhe arriti të fitojë kontroll të plotë mbi virusin. Aktualisht, unë jam më i shqetësuar për Shtetet e Bashkuara. Ajo duhet të izolojë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur për të fituar kohë për përgatitje të mëtejshme. Përndryshe, mund të përfundojë në një situatë ku 20,000 të infektuar mund të zbresin në spitalin më të afërt në të njëjtën kohë dhe sistemi i kujdesit shëndetësor të kolapsohet”. “Sa më të rrepta të jenë masat mbrojtëse, aq më shumë autoritetet do të fitojnë kohë për t’u përgatitur për trajtimin e nevojshëm. Izraeli po përgatit një vaksinë dhe ky mbetet një lajm i mirë, por ende do kohë të vijë deri te njerëzit”, tha ai për gazetën e njohur financiare në Tel Aviv.

Levitt gjatë intervistave të tij këto ditë të fundit, ka shmangur ndërkohë parashikimin në rang global. Në Kinë, tha ai, numri i infeksioneve të reja, së shpejti do të arrijë në zero, ndërsa Koreja e Jugut është duke kaluar pikun mesatar dhe shpejt mund të shkojë drejt fundit. Sa i përket pjesës tjetër të botës, është ende e vështirë të flasim, tha ai. “E gjitha kjo do të përfundojë kur të gjithë ata që janë të sëmurë, të takojnë vetëm njerëzit që janë infektuar. Qëllimi nuk është të arrijmë në atë situatën që përjetoi anija e lundrimit javë më parë, që e gjitha u izolua aq shpejt”.

Check Also

I gjithë Ballkani shtrëngon masat anti-Covid, Shqipëria thyen trendin

Qeveritë në Ballkan duket se ishin të vendosura të mos i rikthenin izolimin edhe pse …

Ursula von der Leyen: A do të luajë njerëzimi si një skuadër më 2021?

Disa shtete, kërkimin për një vaksinë e shohin si një garë midis fuqive globale, që …

Vaksina anti- Covid, BE do ta shpërndajë edhe në Ballkanin Perëndimor

Bashkimit Europian ka njoftuat sot një lajm të mirë për të gjitha e Ballkanit Perëndimor, …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *