Anti KÇK dhe paraja informale që nuk i solli asnjë të mirë ekonomisë

Rreth 4 vjet më parë, kur flukset e parave, që vinin nga kultivimi dhe trafiku i paligjshëm i narkotikëve, po bëheshin të dukshme, një debat lindi lidhur me efektet që ato do të sillnin në ekonomi. Një pakicë mbronte idenë se pavarësisht origjinës, këto “eksporte” do të ndikonin pozitivisht pasi po paguheshin me vlera të larta fermerët në bujqësi dhe një pjesë e parave gjithsesi do të përdorej në vend, duke nxitur konsumin.

Por, pjesa më e madhe e ekspertëve ishin kundër, duke filluar nga problemet afatshkurtra, si largimi i vëmendjes nga bujqësia, shtrembërimi i tregut të punës, rritjen e përdorimit të narkotikëve në vend, denigrimin e biznesit të ligjshëm, dhe deri ato afatgjata si denatyrimin e votës, forcimin e grupeve kriminale, zgjerimin e këtij kriminalizimi të ekonomisë me anë të pastrimit të këtyre parave, kalimin drejt drogave më të forta, që në një rreth vicioz do të vazhdonte të amplifikonte më tej të gjitha këto dukuri.

Një paralelizëm u hoq me shtetet e tjera të Amerikës Latine, ku përvoja kishte treguar se vendet që janë mbështetur te kultivimi i narkotikëve sot janë më të varfër se fqinjët e tyre, janë të zhytura në konflikte sociale dhe kanë një renditje më të përkeqësuar në indeksin e zhvillimit njerëzor, ndërsa disa prej tyre janë ndër shtetet me numrin më të lartë të vrasjeve në botë për 100 mijë banorë.

Sot, sa vjen e po bëhet më e qartë që rendja drejt fitimeve afatshkurtra e të larta apo edhe më keq e “zgjidhjes” së problemit të rritjes ekonomike dhe konsumit me anë të kësaj metode nuk ishte veçse një iluzion. Realiteti po tregon se rritja ekonomike është ngadalësuar, duke arritur në 2019-n në nivelin më të ulët në pesë vite. Familjet shqiptare vijojnë ende të shpenzojnë pjesën më të madhe të parave për t’u ushqyer (44% e totalit të shpenzimeve, më e larta në Europë dhe ndër më të lartat në botë), një tregues direkt i varfërisë.

Në të ardhurat për frymë, në raport me mesataren europiane nuk është bërë asnjë progres, por ka mbetur në nivelin e 30-31%, njësoj si katër vite më parë, duke ngecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, ose kapjen e mesatares së BE-së. Shumë tregues janë përkeqësuar, ku më kryesorin përmendim atë të perceptimit të korrupsionit. Krimi jo vetëm u rrit në vend (Të dhënat e INSTAT tregojnë se ka një lidhje të drejtë mes vrasjeve dhe veprave penale të evidentuara për drogë, sidomos në vitin 2016), por ai arriti deri në nivele të larta qeverisëse, siç e dëshmuan shumë raste, kur funksionarët u detyruan të linin detyrën pasi u zbulua e shkuara e tyre.

Zhvlerësimi i fortë i euros, që nuk shpjegohet dot me kanalet zyrtare të hyrjes së valutës, dëmtoi eksportuesit, shumë prej të cilëve sot po shohin rënie të fitimeve të tyre, ndërsa eksportet kanë ardhur në rënie. Kalimi nga kanabisi në drogat më të forta dhe kapja e tregjeve ndërkombëtare përmes importeve direkte nga vendet e origjinës së prodhimit të narkotikëve vetëm sa i përforcoi burimet e hyrjes së parave informale.

Së fundmi, Shqipëria u fut sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga mekanizmi i kontrollit të Komisionit Europian, një lajm i keq ky sidomos për sistemin financiar vendas dhe tregues se reformat e ndërmarra legjislative nuk kishin arritur të bindnin se Shqipëria e kishte seriozisht në luftën kundër pastrimit të parave.

Ndërtimi është sektori tjetër që po njeh një rritje që sërish është e pamundur të shpjegohet nga ekonomia formale. Në mënyrë paradoksale oferta e lartë nuk po ul çmimet, përkundrazi ato po rriten edhe pse pagat kanë mbetur në vend dhe njerëzit po ikin. Kjo dukuri është dëshmia më e dukshme se si paratë informale, jo vetëm që nuk i sollën asnjë të mirë ekonomisë, por ato zhvlerësuan dhe kursimet e shumicës së popullsisë, që i kishin fituar me mund e një punë të ndershme.

Shtrenjtimi i kostove të jetesës përballë pagave të ulëta, një klimë e zymtë dhe mungesë perspektive po i nxit shumë shqiptarë të kërkojnë të ardhmen në emigracion. Në këtë mjedis po zhvillohet sot, aksioni i pagëzuar me emrin e “artit” Anti KÇK (kap çfarë të kapësh). Ashtu si në një film, ku qëllimi kryesor është tërheqja e vëmendjes së shikuesit, sekuencat me sekuestrimin e makinave luksoze nuk janë veçse një shfaqje, por me skenar jo vetëm të dobët, por edhe fund të parashikueshëm.

Sfondi i ndërtimeve që po pushtojnë të pa shqetësuar çdo cep të kryeqytetit, shpesh me burime të dyshimta, është një dëshmi se shteti nuk i ka hyrë kësaj çështjeje nga themelet (luftimit të origjinës së parave të pista), vetëm po përpiqet më një bojatisje të bukur të mbulojë një fasadë të plasaritur rëndë.

Monitor

Check Also

Siguracionet, ligjet nuk mbrojnë konsumatorin kur kompanitë falimentojnë

Tregu shqiptar i sigurimeve është zgjeruar ndër vite, si në rastet kur kërkoi vitin e …

Kakofonia e ekspertizave mban pezull të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës

Ardit Dulemata i ka ende të freskëta kujtimet e mëngjesit të 26 nëntorit 2019, gati …

Mësimi online, vendim i trishtë që duhet shpjeguar

Vendimi për të kthyer mësimin online na shqetëson pa masë. Megjithëse mund ta rrokje me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *