A ia vlejnë vërtet inceneratorët apo tarifat e ulëta janë një hile?

Përgjigja e kësaj pyetjeje është 1 milion dollarë, edhe pse inceneratorët janë nën dritën e ngjarjeve të fundit, kur ka një komision hetimor parlamentar dhe një ish- ministër të burgosur në hetim nga SPAK për korrupsion.

Hetimet e komisionit dhe ato të drejtësisë janë fokusuar tek pjesa nëse ka korrupsion. Megjithëse komisioni i inicuar nga opozita tentoi të ngrejë stekën dhe të godasë politikisht mazhorancën për mënyrën sesi ajo menaxhon paranë publike dhe zgjidh çështjet e mjedisit, hetimi nuk u përqendrua mbi leverdishmërinë e projekteve të incereratorëve, kapacitetet e tyre që tejkalojnë 3 fish sasinë e mbetjeve dhe ca më pak akoma nëse djegia ishte politika më e mirë mjedisore e ndjekur nga qeveria.

Të mërkurën, në komisionin hetimor, kryeministri Edi Rama nuk u lodh duke proklamuar projektin e inceneratorëve si një revolucion dhe jo vetëm si një faturë.

Ai disa herë tha se përpara se ai të vinte në pushtet vetëm gjysma e Shqipërisë asistohej për pastrimin, ndërsa sot falë politikave mjedisore pastrohen mbi 80% e vendit.

Gjithsesi as kjo përgjigje nuk mjafton për të kuptuar nëse ia vlejnë inceneratorët si zgjidhje për pastrimin nga plehrat. Hetimi u ndal tek fatura dhe shpërdorimi për qëllim përfitimi. Por kjo është njëra anë e medaljes. Tjetra anë e medaljes a është djegia vërtet metoda që na i heq fushat me plehra nga sytë duke mos na e dëmtuar shëndetin?

Fatkeqësisht komisioni hetimor ashtu siç u zhvillua nuk mundi të na i jap këto përgjigje dhe as presim që të jenë në raportin final, edhe pse kjo është pyetja që i intereson më shumë publikut. Le të supozojmë për një çast se investimi për inceneratorët kushton vetëm 2 lekë dhe nga këto, 1 lekë janë vjedhur nga qeveria. Ky është krim i rëndë pavarësisht shumës. Por nëse ndërtimi i tyre do të ishte zgjidhja më e mirë për të pasur një atdhe me të pastër dhe më pak sëmundje që vijnë si rezultat i ndotjes sërish ndërtimi do ia vlente barra qiranë.

Ne po shqetësohemi për këtë të dytën sepse e para ka hyrë në hullitë e hetimit nga drejtësia.

Dy personalitete më reputacion profesional dhe integriteti, Irena Beqiraj dhe Kledi Xhaxhiu, që të dy ish zv- ministra të qeverisjes së socialistëve, nëpërmjet rrjeteve sociale kanë dhënë disa të dhëna interesante të cilat ngrënë disa shqetësime edhe më të rëndësishme se vetë korrupsioni.

Siç edhe e përmendi Kryeministri në komisionin hetimor, “skepticizmin” që kishte kundrejt inceneratorëve ia shoshiti kostoja e ulët e djegies për ton që propozonte koncensionari. Ai krenar radhiti edhe Francën që i digjte mbetjet me 150 euro toni. Beqiraj dhe Xhaxhiu tregojnë që është pikërisht kostoja e ulët për ton sinjali i kuq i cili duhet të kishte shtuar skepticizmin duke na kujtuar proverbin e famshëm “për një të varfër pa eksperiencë nuk është vendim i mirë ekonomik që të blejë lirë”.

Duke ju referuar edhe rasteve të ngjashme, informacioneve shkencore por edhe studimeve siç është ai për menaxhimin e mbetjeve urbane në BE, çertifikuar nga Komisioni Europian, apo Guidës Europiane të menaxhimit të mbetjeve, me të drejtë pyesin se si ka mundësi që kostoja e incenerimit në Shqipëri e paraqitur nga koncesionari është 51 euro kaq e ulët krahasuar me vende të ndryshme të BE-se ku mesatarja e kësaj kostoje ka qenë 71 Euro në vitin 2001 dhe për shkak të rritjes së kërkesave për përmirësime teknologjike sot është rreth 134 euro për ton.

“A ka gjetur koncensionari ndonjë metodë, apo teknologji të lirë që bota nuk e njeh por që mbron maksimalisht ambientin edhe shëndetin ? Apo?”- bën pyetje retorike zonja Beqiraj.

Ndërsa zoti Xhaxhiu saktëson më tej duke specifikuar se 40- 45 përqind e kostos së incenerimit e zënë filtrat që mbajnë pastër dhe me sa më pak emetime të rrezikshme të gazit të çliruar nga djegia e plehrave. Ai shkruan se “E vetmja mënyrë për të inceneruar me kosto të ulët është vetëm djegia pa respektuar kushtet teknike (temperaturën e furrës) dhe duke çaktivizuar filtrat, e cila i ngjan djegies tradicionale por me ndryshimin që në vend që të ndodhë në qiell të hapur…ndodh në një ndërtesë në dukje industriale!!!

Ky është një dyshim i fortë i cili vë në pikëpyetje të madhe jo vetëm fizibilitetin raportin kosto/përftim që është argumenti bazë me të cilin mbrohet qeveria, por edhe një politikë të tërë të ndjekur prej saj për pastrimin e Shqipërisë nga plehrat.

Sepse deduksioni dhe frika është e qartë; A mos vallë ne shqiptarët po paguajmë më shumë për tu ndotur po njësoj nga emetimet e rrezikshme të inceneratorëve si dikur me fushat e djegies në qiell të hapur?

Xhaxhiu shkon me tej duke thënë që duhet të ketë tre matje të pavarura të emetimit të gazrave nga djegësit, i pari nga vetë koncensionari, i dyti nga agjencia e mbrojtjes së mjedisit dhe i treti nga një agjenci e pavarur ndërkombëtare. Publiku duhet të informohet për këto matje. Është matja e këtyre emetimeve thotë Znj. Beqiraj që në 2014 në Chopenhagen pezulloi punën e djegësit që i kishte kushtuar Danimarkës 500 milion euro.

Nëse gjendet korrupsion me inceneratorët ky është një krim që nuk e mohoi as kryeministri, por nëse publiku nuk sigurohet jo me fjalë e batuta politike por me matje të emetimit të gazrave se djegia e plehrave përmes këtyre inceneratorëve është me standard dhe nuk rrezikon jetën, më shumë se korrupsioni ky është një krim i dyfishtë që implikon një qeverisje.

Qeveria, nëse është e përgjegjshme siç pretendon më së pari, duhet të sigurojë veten dhe më pas publikun se kostoja e ulët e incenerimit nuk është në kurriz të standardeve teknologjike që duhet të përmbushen gjatë përdorimit të këtyre impianteve, që nuk ka ndërtuar pa kriter kapacitete 3 herë më të mëdha sesa sasia e plehrave që prodhohen në Shqipëri siç pretendojnë donatorët, që nesër mund t’i hapin rrugë importit të plehrave dhe të jap garancitë përmes mekanizmave kontrollues dhe transparent se inceneratorët nuk na krijojnë kosto shtesë në shëndet nëpërmjet emetimit të gazrave. Pastaj “pak rëndësi ka kush e njeh Zoton” – thotë Irena Beqiraj

Check Also

Identikiti i presidentit të ri, pas kazusit Meta dhe ri-arrnimi i Kushtetutës

Nga Ben Andoni “Pasoja juridike” e munguar: Kjo ishte kamerdarja që shpëtoi sipas specialistëve të …

Betonieret në Tiranë, shoqata e ndërtuesve dhe i gjori Veliaj

Lavdosh Ferrunaj Në fakt Veliaj po korr atë që ka mbjellë. Është në hall të …

Nëse nuk ka përgjegjës për TECin e Vlorës pse duhet të ketë përgjegjës për inceneratorët?

Lavdosh Ferruni Deri tani rasti me spektakolar i vjedhjes së shqiptarëve dhe talljes së tyre …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *