Operacioni i befasishëm i forcave speciale RENEA dhe FNSH në zonën e Kurbinit, ku dyshohej se fshiheshin dy nga autorët e vrasjes së biznesmenit Shkëlzen Kastrati në Fier, përfundon me prangosjen e një 30-vjeçari, që u kap me armë pa leje.
Burime zyrtare bënë me dije se Cen Karriçi u kap me një pistoletë të markës “GLOCK” dhe 16 fishekë të kalibrit 9 mm, që i mbante pa leje.
Gjatë kontrolleve nga RENEA dhe Forcat Operacionale, janë sekuestruar targa të vjedhura që u përkisnin automjeteve të tjera, e që dyshohet se do të përdoreshin për të kryer ngjarje kriminale, kryesisht atentate.
Burime zyrtare nga policia e shtetit për Almedia Post bëjnë me dije se operacioni është kryer në shtëpinë e Ervis Martinit, personazh i njohur i botës së krimit.
Dje ai është shoqëruar në polici sëbashku me pesë persona të tjerë, por ditën e sotme janë lënë të lirë.
Policia e ka mbajtur sekret shoqërimin e tij, ndërsa e ka përmendur shkarazi që u shoqëruan pesë persona.
Bashkë me Martinin ka qenë dhe një person i shpallur në kërkim me inicialet E.M për gjuajtje me armë ndaj një hoteli.
Në zonën Fushë-Krujë-Krujë-Kurbin, dyshohet se veprojnë disa grupe kriminale të rrezikshme të vrasësve me pagesë.
Policia sqaroi se është arrestuar 30 vjeçari Cen Karriçi, i cili është poseduesi i armës së zjarrit dhe targave të vjedhura, si dhe me precedentë të mëparshëm penalë, në fushën e krimeve ndaj personit.
Aksioni nisi falë disa telefonatave dhe ankesave të qytetarëve anonimë, në “Komisariatin Dixhital”.
Në ndërhyrje morën pjesë edhe Drejtoria e Lezhës dhe Komisariati i Policisë Kurbin, kurse kontrollet u bënë në banesat dhe lokalet në Milot, Laç e Lezhë. Akuzat ndaj Karriçit janë “armëmbajtja pa leje” dhe “vjedhja”.
Më poshtë njoftimi i policisë:
Kontrolle të befasishme në disa ambiente për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Kontrollet nga Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit , DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin.
Gjatë kontrolleve sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe targa të vjedhura që u përkisnin automjeteve të tjera që dyshohet se do të përdoreshin për të kryer ngjarje kriminale.
Vihet në pranga 30- vjeçari, poseduesi i armës së zjarrit dhe targave të vjedhura
30-vjeçari me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj personit.
Gjithashtu, u shoqëruan për verifikim edhe 5 persona me precedent të mëparshëm penal.
Në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, si dhe bazuar në informacionet e ardhura nga qytetarët në ‘Komisariatin Dixhital’, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente në Milot, Kurbin e Lezhë.
Si rezultat i kontrolleve , në Fushë-Milot, në ambientet e jashtme të një kompleksi u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “GLOCK”, me një krehër me 14 fishekë, që i përkiste shtetasit C. K., 30 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik në xhepin e xhupit iu gjet një krehër i markës “GLOCK”, me 16 fishekë të kalibrit 9 mm pa leje.
Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është autori i vjedhjes se targave të shpallura në kërkim nga DVP Shkodër të vjedhura më datë 19.09.2019, të cilat u gjetën brenda ambienteve rrethuese të objektit.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit C. K., për veprat penale “Armëmbajtja pa leje ” dhe “Vjedhja” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Kontrollet kanë vijuar edhe në disa ambiente të tjera në qarkun e Lezhës, ku gjatë kontrolleve janë shoqëruar për verifikim disa persona me precedent të mëparshëm penal.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për mbështetjen dhe besimin duke denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të paligjshmërisë , duke ju siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm nga strukturat e Policisë së Shtetit./Almedia Post