Vaksina, a e la BE Ballkanin në mëshirë të fatit?

“Secili për veten, zoti për të gjithë”. Kjo është sipas kryeministri Edi Rama qasja e Bashkimit Europian për shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit në Ballkanin Përëndimor.

Duke njoftuar nisjen e vaksinimit në vendit tonë, i cili është i dyti në rajon pas Serbisë që siguron dozat e para, Rama nuk i kurseu kritikat ndaj BE-së, duke thënë se Europa nuk po tregohet solidare dhe se Ballkani Perëndimor është lënë në mëshirë të fatit.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kishte premtuar në dhjetor se BE do të ketë më shumë vaksina sesa është e nevojshme për banorët e saj në 2021 dhe tregoi se blloku mund të ndajë furnizimet e tij shtesë me Ballkanin Perëndimor dhe vendet në Afrikë. Sipas saj, BE do t’i shpërndajë këto vaksina nëpërmjet nismës Covax dhe aleancës GAVI. Por ndërkohë që mijëra njerëz në të gjithë Bashkimin Europian filluan të përveshin mëngët muajin e kaluar për të bërë vaksinën kundër koronavirusit, Ballkani u la pas dore, duke u ndjerë i izoluar dhe i braktisur.

Disa javë më vonë u bë e qartë se Covax nuk do të dorëzonte dozat e para në Ballkan përpara pranverës. Komisioni Europian ka njoftuar në dhjetor qeveritë e Ballkanit Perëndimor se Covax nuk mund të sigurojë vaksinën për vendet e rajonit përpara majit dhe se BE nuk “mund të bëjë asgjë për këtë”, një lajm që sipas mediave serbe ka alarmuar rajonin, duke vënë në lëvizje vendet të sigurojnë vaksinën në rrugë të tjera. Kjo do të thoshte që vendet e BE-së do të kryejnë vaksinimin pothuajse të plotë të popullsisë së tyre, në mënyrë që vetëm pas kësaj, vendet e Ballkanit Perëndimor të fillonin të vaksinojnë njerëzit e tyre.

Në këto kushte, Kosova dhe Shqipëria u hodhën vetë në aksion për të siguruar vaksinën nga Pfizer.

Vendet e Ballkanit kanë luftuar për të pasur akses në vaksinat COVID-19 nga kompani dhe programe të shumta, por përvec Shqipërisë dhe Serbisë, vendet e tjera janë ende duke pritur për vaksinat për një afat të pacaktuar. Kosova ka siguruar 500,000 vaksina anti-COVID-19 nga kompania farmaceutike Pfizer por nuk është e qartë nëse ato do të mund të arrijnë përpara shkurtit.

Për disa vende të Ballkanit Perëndimor, nisma e OBSH-së, COVAX dhe dhurimet vullnetare të BE-së janë mënyra e vetme për sigurimin e vaksinave. I pari që kritikoi BE-në për lënien në harresë të vendit të tij, ishte Presidentit i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili tha se kishte qenë në bisedime me Brukselin në tre muajt e fundit të 2020-it, por se rrezultati ishte i papërfillshëm.

“Ne negociojmë me Rusinë, Kinën të gjithë të tjerët që gjithashtu mund të sigurojnë vaksinën, pasi që kemi nevojë për sasi shumë më të mëdha dhe nuk mund të vazhdojmë të presim nga BE-ja”, u tha Vuçiç mediave serbe. “Nga BE-ja na thonë se do të na i sjellin vaksinat pasi të kenë vaksinuar një pjesë të mirë të qytetarëve të tyre.”

Duke parë boshllëkun e lënë nga BE-ja, fuqi të tjera janë hedhur në veprim.

Kryeministri Rama iu përgjigj ashpër Ambasadës Ruse në Tiranë pasi ajo publikoi një mesazh në mediat sociale ku thuhej se Moska zyrtare ishte gati të furnizonte menjëherë Shqipërinë me vaksinën “Sputnik V”, megjithëse ajo nuk është e certifikuar në BE.

“Si person u ndjeva i indinjuar dhe si europian u ndjeva i turpëruar, ndërsa si kryeministër i Shqipërisë u ndjeva më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të përjashtohen nga mundësia e mbrojtjes njëkohësisht me europianët e tjerë,” tha Rama.

Në Ballkan, përshtypja mbizotëruese është se blloku ka dështuar edhe një herë të ndihmojë rajonin në kohë krize. Siç zbulon B92.net, Serbia dhe Shqipëria e kundërshtuan fuqimisht në fund të 2020-s Brukselin, duke kërkuar vendosmërisht sigurimin e vaksinën për rajonin përpara pranverës. Kjo e detyroi Komisionin Europian të bindte vendet anëtare për koordinimin e dhurimeve të vaksinave në vendet e Ballkanit Perëndimor derisa Covax të nisë shpërndarjen në maj. Por përveç miratimiy të një fondi shtesë për t’i ndihmuar vendet e rajonit të sigurojnë vaksinën, BE nuk ka bërë deri më tani asnjë lëvizje shtesë.

Mali i Zi është mbështetur deri më tani vetëm tek COVAX. Podgorica ra dakord në tetor të paguante 646,000 euro për 248,800 doza të mjaftueshme për 20 përqind të popullsisë.

Ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Kenan Hrapović tha se kjo nismë ishte “opsioni më i favorshëm për të gjitha vendet më pak të zhvilluara dhe vendet në tranzicion, përfshirë Malin e Zi, për sa i përket prokurimit të vaksinës për COVID-19, sepse siguron një shkallë të lartë të sigurisë dhe transparencës. Por vendi fqinj ka mbetur në pritje me shpresën se BE do të shpërndajë dozat e para përpara prillit, ndërkohë që partitë pro-ruse dhe pro-serbe në pushtet kanë rritur tonin e kritikave kundër unionit.

Maqedonia e Veriut gjithashtu pret që të marrë 800,000 doza përmes COVAX. Shkupi po shikon gjithashtu mënyra për të siguruar 800,000 doza të tjera direkt nga kompania AstraZeneca, me të cilë ka nënshkruar tanimë një kontratë. Por asnjëra nga këto mundësi nuk pritetet ta cojë vaksinën anti-covid në kohë, kryeministri Zoran Zaev u hodh po ashtu në veprim duke punuar për një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 800 mijë vaksinave.
Por fillimisht, Shkupi do të ketë mundësi të marrë vetëm 6 mijë vaksina të cilat pritet të mbërrijnë në muajin shkurt. Marrëveshja është pritur me një dëshpërim të lartë nga qytetarët pasi sasia e parë përmban shumë pak doza, ku do të kenë mundësi të vaksinohen vetëm 3 mijë persona. Kryeministri Zoran Zaev, e cili ndodhet në bisedime edhe me Bullgarinë për marrjen e dozave të para, ka kritikuar si rrallëherë BE-në duke thënë se është në pritje të solidaritetit të Brukselit, por ashtu si me negociatat Shkupi po lihet në pritje.

Epidemiologu i Maqedonisë së Veriut Dragan Danilovski e krahasoi situatën aktuale të vaksinave në Ballkanin Perëndimor me pabarazitë e vërejtura gjatë fundosjes së Titanikut në 1911.

“Të pasurit kanë kapur të gjitha varkat e shpëtimit, duke mos lënë asnjë për të pafatët,” tha ai.

Edhe Bosnja ka rezervuar vaksinat përmes COVAX por thotë se nuk mund të presë deri në prill për të marrë dozat e para. Por si Serbia, Republika Srpska kryesisht e populluar nga serbët, është gjithashu në bisedime për vaksinën Sputnik.

“Ne jemi duke negociuar intensivisht me institucionet kompetente ruse për shpërndarjen e vaksinës Sputnik dhe, realisht, kontingjenti i parë do t’i dorëzohet Republika Srpska në shkurt të vitit të ardhshëm,” i tha Dusko Peroviç, kreu i Përfaqësimit të Republikës Srpska në Moskë.
“Unë i besoj vaksinës ruse, nuk u besoj narrativave tregtare që vijnë nga Perëndimi,” deklaroi Milorad Dodik, udhëheqësi i Serbëve të Bosnjës, duke i bërë thirrje qëverisë të ndonte së shpresuri tek BE-ja dhe të lidhte një kontratë me Rusinë.

Serbia ishte vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka siguruar vaksinën, deri më tani, duke marrë dërgesa nga Pfizer-BioNTech dhe vaksina Sputnik V e zhvilluar nga Rusia. Sidoqoftë, Serbia nuk ka doza të mjaftueshme për të filluar vaksinimet masive, pasi vetëm 25,000 doza të vaksinës Pfizer-BioNTech dhe 2,400 të vaksinës ruse kanë mbërritur.

Programi i vaksinimit i Serbisë filloi në 24 dhjetor, tre ditë para BE, kur Kryeministrja Ana Brnabic, ashtu si kryeministri Rama, mori dozën e parë në përpjekje për të rritur besimin e publikut tek vaksinën, pasi shumë qeveri të Ballkanit gjithashtu luftojnë për t’iu kundërvënë një lëvizje të fortë anti-vaksinimi.

Check Also

Gjermania ndryshon rregullat për shqiptarët, ambasada: Ja kushtet e reja

Gjermania ka ndryshuar kushtet e hyrjes në kufijtë e saj për të gjithë udhëtarët shqiptarë, …

Largohet nga detyra e drejtorit të Albpetrol, Flamur Mato

Largohet nga detyra drejtuesi i Albpetrol, Flamur Mato, i cili zëvendësoi pak muaj më parë, …

Koçi në SPAK: Bota e krimit në Fier, lidhje të konsoliduar me politikën, zyrtarëve u dhëmbi deklarata ime

Ish-zv.Ministri i Mbrojtjes, aktualisht kryetar i emëruar i PS-së për Fierin, Petro Koçi, dëshmoi për …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *