Thellohet skandali/ 300 mijë dollarë për lobim në USA, LSI nuk e deklaron në bilancin e partisë

Shuma e paguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta në 2017-n vetëm për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vetëm maja e ajsbergut të një fushate lobuese që kjo forcë politike dhe Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit, kanë ndërmarrë në Uashington.

Suksesi i kësaj fushate vihet në diskutim nga ngjarjet që rrodhën më vonë, ku sot Ilir Meta, ndoshta pas Sali Berishës është ‘armiku numër 1’ i amerikanëve në Tiranë.

Gjithsesi, LSI dhe Ilir Meta para se të kontaktonin kompaninë McKeon Group në 2017-të për lobim në Uashington kanë paguar të paktën 300 mijë dollarë si detyrim nga një kontratë e nënshkruar me kompaninë Global Security & Innovative Strategies (GSIS).

Kontrata është nënshkruar në fillim të vitit 2016-të me një afat gjashtëmujor. Sipas termave të saj, LSI dhe Ilir Meta do të paguanin 30 mijë dollarë në muaj kompaninë amerikane për të lobuar në Kongres dhe administratën presidenciale në atë vit.

Në lidhje me termat dhe kushtet e kontratës, pagesën e të tjera detyrime e të drejta që u lindnin palëve, kompania amerikane i dërgon një letër Ilir Metës, në atë kohë kryetar i Kuvendit.

“I nderuar kryetari i Kuvendit, Meta. Në vazhdim të bisedave tona mbi angazhimin, kjo letër (marrëveshja) dokumenton kushtet e marrëdhënies sonë kontraktuale. GSIS do të këshillojë LSI-në, udhëheqësit e saj dhe deputetët e anëtarët e saj në qeveri mbi ngjarjet e eventet globale. GSIS do të angazhohet pranë qeverisë amerikane, pranë Bashkimit Europian për të prezantuar zotimin e LSI-së për zbatimin e reformës në drejtësi dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë”, thuhet në letrën që kompania i ka dërguar Metës më 3 janar të 2016-s.

Kontrata detyronte LSI-në dhe Ilir Metën që të paguante për 6 muaj me radhë kompaninë në shifrën totale prej 180 mijë dollarësh (30 mijë dollarë në muaj). Por, kostoja e fushatës lobuese ka qenë thuajse dyfish. Te bilancet e dorëzuara nga vetë kompania te autoritet amerikane, GSIS thotë se ka marrë nga LSI rreth 297 mijë dollarë.

Shtesa e pagesave argumentohet me një pjesë të kontratës, sipas të cilës LSI ishte e detyruar që të mbulonte të gjitha shpenzimet, përfshirë këtu udhëtime, dreka e darka që përfaqësuesit e kompanisë ndërmerrnin për zbatimin e kontratës së lobimit. Për pagesat deri në 1 mijë dollarë për këto shërbime nuk nevojitej miratimi i LSI-së, për faturat më të larta se kjo shumë, sipas marrëveshjes kërkohej miratimi i saj.

Ky lobim dhe kjo kontratë duket krejtësisht normale dhe brenda ligjeve dhe në SHBA brenda ligjeve është negociuar dhe firmosur. Por, problemet janë në Shqipëri. Shpenzimet prej të paktën 300 mijë dollarësh, ose rreth 300 mln lek nuk janë pasqyruar mes shpenzimeve të LSI-së në bilancet që kjo parti ka dorëzuar për vitin 2016-të.

LSI deklaron në KQZ se 2016-n e ka mbyllur me një bilancë monetare prej 32 milionë lekësh, ndërsa te shpenzimet në zërin konsulencë, siç logjikisht duhet të futen edhe shpenzimet për lobim i deklaron rreth 11.7 milionë lek, ose rreth 100 mijë dollarë. Pra, shifra prej rreth 300 mijë dollarësh që kjo parti i ka paguar kompanisë GSIS për lobim në SHBA e BE nuk figuron gjëkundi.

Atëherë nga buruan mbi 200 mijë euro te tjera me të cilat u pagua GSIS? Shifra nuk justifikohet as nga donacionet e anëtarësisë. Ligji parashikon që partia të deklarojë çdo shumë mbi 100 mijë lek të dhuruar nga individë. Për 2016-n, ajo deklaron 42 individë që kanë dhuruar më shumë, në një total prej rreth 26 mln lekësh. Në listë janë emra deputetësh e drejtorash të LSI-së në atë vit, por mes tyre ka edhe emra për të cilët janë ngritur dyshime nëse vërtet kanë dhuruar për LSI-në.

Gjithsesi, diferenca e madhe mes shumës së deklaruar nga LSI si shpenzime konsultimi në 2016-n ngre dyshime se të paktën 200 mijë euro për të paguar shërbimet e kushtueshme të kompanisë GSIS kanë dalë drejtpërdrejt nga xhepat e Ilir Metës.

Meta dyshohet se ka përdorur njerëz të besuar për të transferuar këto para në banka dhe më pas është paguar kompania lobuese. Përveç bankave, janë përdorur edhe kompanitë offshore, si në rastin e lobimit të 2017-s me kompaninë “Dorelita Limited”, që pagoi 600 mijë euro për McKeon Group.

Por, kush janë të besuarit e Metës që dyshohet se kanë shërbyer si pagues fiktivë? Njëri prej tyre dyshohet se është Muharrem Berisha, ish-peshëngritës i dekoruar së fundmi nga Ilir Meta. Emri i tij u bë publik për herë të parë në 2010-n, kur PS akuzonte Metën se kishte blerë në zonën e bllokut godinën e LSI-së, me një vlerë që shkonte qindra mijëra euro.

Pas këtyre akuzave, Muharrem Berisha doli si pronari në letra i godinës. Ai tha se e kishte blerë atë në 2006-n dhe se ja kishte dhënë LSI-së me qira, por edhe se vetë ishte anëtar i kësaj force politike.

Emri tjetër që dyshohet si deklarues fiktiv është ai i Elona Gurit, gjithashtu aktiviste e LSI-së dhe për të cilën ka pasur akuza dhe ka edhe dyshime se ka shërbyer edhe si përcjellëse e pagesave për shpenzimet shkollore të familjes së çiftit Meta në Britaninë e Madhe.

Për të vijuar më pas me emrat e tjerë të përfolur se kanë shërbyer si deklaruar fiktivë, që nga Erisi Zaimi, Helena Gaçe, Josi Prifti dhe Agron Xhafa. Këta emra janë akuzuar se kanë pastruar paratë e korrupsionit të Ilir Metës, duke i futur në sistemet bankare. Më pas, nga bankat shumat transferoheshin në kompani offshore, apo në llogaritë e LSI-së dhe nga llogaritë e partisë është paguar fushata lobuese në SHBA.

Kjo është e vetmja mënyrë që të justifikojë ‘deficitin’ 200 mijë dollarësh në bilancet e LSI-së për 2016-n, përsa kohë vetë kjo parti ka heshtur në lidhje me këtë mosrakordim bilancesh, ku nga njëra anë në SHBA deklaron 300 mijë euro lobim dhe nga ana tjetër në Shqipëri deklaron rreth 100 mijë euro të tilla. ©Almedia Post

Check Also

Mazhoranca drejt zgjedhjes së Presidentit që dëshiron

Kuvendi e quajti të hënën të ezauruar edhe raundin e tretë të votimit për president, …

Dy emrat e rinj për President: Një poet disident dhe një mjek-gjeneral!

Duket qartë se opozita nuk do të dërgojë një kandidat të sajin në raundin e …

Putin dhe Vuçiç pakt për gazin, Kurti i çon “selam” BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Vuçiçit dhe Putinit …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *