Të investosh në borxhin e qeverisë; Individët blenë 22 milionë euro në obligacione për tremujorin

Individët rritën sërish investimet në obligacionet e qeverisë shqiptare në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), blerjet e obligacioneve në tregun primar nga individët arritën në 2.73 miliardë lekë, ose rreth 22 milionë euro. Statistikat tregojnë se investimet e individëve në këto instrumente u rritën me 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Me uljen drastike të normave të interesit të depozitave, individët vitet e fundit kanë kërkuar kthime më të larta në tregun e letrave të borxhit të qeverisë, duke u orientuar më shumë tek instrumentet afatgjatë. Deri në vitin 2016, portofoli i investimeve të individëve në letrat e borxhit të qeverisë dominohej nga bonot e thesarit. Pas vitit 2016, raporti u përmbys në favor të obligacioneve.

Edhe për tremujorin e parë 2021, investimet e individëve në bono përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF pësuan rënie me 18.9%, ndërsa gjatë vitit 2020 rënia kishte qenë 12%. Individët po zgjerojnë horizontet e investimit në afate më të gjata, në funksion të kthimeve më të larta.

Për obligacionet me maturim 10-vjeçar, kuponi aktualisht është në nivelin në 5.38% dhe ky është kthimi më i lartë që ofron tregu financiar në monedhën vendase. Tendenca e pjesëmarrjes direkte në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë është në rritje. Në vitet e fundit, investimet direkte në obligacione po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë blerjen e kuotave në fondet e investimit, që përgjithësisht për lekun janë një formë e grumbulluar e investimit po në letrat e borxhit të qeverisë.

Pjesëmarrja në ankandet e tregut primar bëhet nëpërmjet ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Aktualisht në Shqipëri ka 12 shoqëri komisionere për investimin në tituj, por pjesa dërrmuese e volumit të transaksioneve nga individët bëhet nga bankat tregtare e licencuara për këtë shërbim. Investimi në obligacione është bërë gjithmonë përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar, ndërsa investimi në bono thesari mundësohej edhe nga Banka e Shqipërisë. Por, në gusht 2020, Banka e Shqipërisë vendosi ndërprerjen e ofrimit të shërbimit të pjesëmarrjes në ankandet e bonove për individët. Duke filluar nga viti 2021, banka qendrore nuk do të pranojë më hapjen e llogarive të reja për këtë qëllim dhe individët do të mund ta marrin këtë shërbim vetëm prej bankave tregtare të licencuara nga AMF.

Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, individët, në mënyrë direkte apo nëpërmjet bankave, mbanin rreth 17% të stokut të borxhit të brendshëm publik në fund të muajit mars 2021. Në vlerë, kjo përkthehet në afërsisht 110 miliardë lekë.

Check Also

Skenari i plehrave: Si u dhjetëfishuan kostot e menaxhimit të mbetjeve të Durrësit

Javën e parë të qershorit, kontejnerët e mbeturinave në Durrës u tejmbushën sërish me plehra, …

Në Bruksel propozohet sanksionimi i të akuzuarve për korrupsion, KE sqaron çdo të ndodhë me të shpallurit “non grata” në SHBA

Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian miratoi me 58 vota pro, 8 kundër …

“Ju kisha thënë”, qëndrimi i Holandës për negociatat, Rama: Zgjedhjet mbaruan, Shqipëria u zhbllokua

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas qëndrimit të Holandës për negociatat me Shqipërinë. Me anë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *