Shqipëria merr PO me kushte për hapjen e negociatave me BE

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian i hapi dritën jeshile çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të martën; vendim i cili u duartrokit si “lajm i mirë në kohë të zymta” nga ministri gjerman për Europën, Michael Roth.

Dakordësia mes vendeve të Bashkimit Europian u arrit në rrethana të jashtëzakonshme –ku për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi COVID-19, ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së e diskutuan perspektivën e zgjerimit përmes një video-konference.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi përgëzoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përmes një konference të zhvilluar gjithashtu online, ndërsa theksoi se Bashkimi Europian ishte i gatshëm të merrte vendime strategjike në këto kohë të vështira.

“Me këtë vendim, ne vendosëm në shina procesin e zgjerimit dhe ofruam besueshmëri jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor,” tha Varhelyi.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi theksoi megjithatë se premtimi për hapjen e negociatave vjen me një paketë kushtesh për të dy vendet. Zyrtarët e Bashkimit Europian i konsideruan kushtet “të rrepta, por të ndershme”.

Kushtet për Shqipërinë renditen në dokumentin e Komisionit Europian që i parapriu video-konferencës së ministrave të Jashtëm; të cilat lidhen me përfundimin e reformës zgjedhore, reduktimin e mëtejshëm të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në BE, respektimin e të drejtës së pronës –veçanërisht për minoritetet si dhe monitorimin e ligjit të qeverisë për median online.

Rimëkëmbja e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese mbeten gjithashtu ndër kushtet kryesore, ndërkohë që dokumenti shpreh rezerva edhe për numrin e ulët të zyrtarëve të lartë të hetuar për korrupsion.

Shqipëria është nën monitorim të rreptë nga Komisioni Europian veçanërisht për dy çështje- të drejtën e pronësisë së minoriteteve si dhe ligjin e qeverisë “Rama” për mediat online.

“Shqipëria duhet të miratojë me shpejtësi legjislacionin që lidhet me programin e vitit 2017 të ligjit për mbrojtjen e minoriteteve. Komisioni është duke e monitoruar ngushtësisht këtë çështje dhe do të vazhdojë ta monitorojë atë edhe në të ardhmen,” thuhet në dokument.

“Komisioni është gjithashtu duke monitoruar zhvillimet mbi ligjin e medias, për të cilin Komisioni i Venecias pritet të japë një opinion në Mars,” thuhet në raport. Publikimi i opionionit të Venecias është shtyrë për në qershor.

Kryeministri Edi Rama e priti pa eufori vendimin e vendeve anëtare dhe premtoi plotësimin e çdo detyre.

“Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj në mes të një lufte botërore. Do të vijojmë po njëlloj dhe do t’i bëjmë detyrat e kësaj shtëpie, jo se na i kërkojnë ata, por amaneti i të parëve dhe borxhi që u kemi fëmijëve tanë,” tha Rama me fokus te beteja kundër epidemisë së COVID-19.

Ngritja e gjykatave

Zbatimi i plotë i reformës në drejtësi mbetet ndër prioritetet e Bashkimit Europian për Shqipërinë. Ngritja dhe vënia në funksion të plotë e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese mbetet gjithashtu një nga kushtet që duhen plotësuar sa më parë.

Komisioni Europian evidenton progres në zbatimin e reformës në drejtësi, përmes avancimit të procesit të vetingut dhe ngritjes së institucioneve të reja.

“Deri më tani, 60% e magjistratëve të vetuar janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen Procesi po vazhdon të kryhet në tërësi,” thuhet në dokument.

Komisioni adreson gjithashtu vakuumin e krijuar nëpër gjykata për shkak të vakancave të krijuara, ndërsa vlerëson se Këshilli i Lartë Gjyqësor po ndërmerr masa për rishpërndarjen e magjistratëve si dhe përmes rekrutimit të të paktën 75 magjistratëve të rinj në Shkollën e Magjistraturës.

Dokumenti i Komisionit Europian thekson se institucionet e reja në kuadër të reformës në drejtësi janë tashmë funksionale, me përjashtim të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Sa i përket Gjykatës së Lartë, Komisioni informon se vazhdon procesi i verifikimit të kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur.

“Procesi pritet të përfundojë në mars 2020 për kandidatët jo-magjistratë, duke lejuar kështu një prej dhomave të Gjykatës që të jetë funksionale. Kandidatët e tjerë do të promovohen nga sistemi i gjykatave gjatë 4-mujorit të parë 2020,” thuhet në raport.

Komisioni evidenton gjithashtu progres edhe në rimëkëmbjen e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa thekson edhe mosmarrëveshjen mes Presidentit Ilir Meta dhe maxhorancës për zgjedhjen e njërit prej anëtarëve.

“Ka mosmarrëveshje lidhur me një nga gjyqtarët e fundit të emëruar, për shkak të interpretimit të ndryshëm për procedurën e emërimit nga presidenti i Republikës,” thuhet në raport, duke përmendur se për këtë çështje do të kishte edhe një opinion të Komisionit të Venecias. Opinioni i bërë tashmë publik i dha të drejtë interpretimit të bërë nga presidenti Meta.

Ngritja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK është vlerësuar gjithashtu si një progres, ndërsa renditen edhe hapat e ndjekur për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Bashkimi Europian ka caktuar dy ekspertë të drejtësisë penale për të asistuar ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit,” thuhet në raport.

Pak zyrtarë të lartë të hetuar  

Lufta kundër korrupsionit analizohet gjerësisht në dokumentin e Komisionit Europian për Shqipërinë, por shembujt e suksesit numërohen me gishtat e dorës.

Si rezultat i prekshëm përmenden gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu, dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për shpërdorim detyre, dënimi i tre gjyqtarëve të Apelit të Durrësit dhe një gjyqtari të Gjykatës së Lartë për Korrupsion si dhe arrestimet e kryera ndaj 12 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë për shpërdorim detyre.

Raporti thekson se numri i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë u ul në vitin 2019 krahasuar me një vit më parë; nga 108 çështje në 2018 në 90 çështje gjatë 2019-s. Zbritje shënoi edhe numri i zyrtarëve të lartë të akuzuar- nga 7 raste në 2018 në 5 raste në 2019.

Komisioni Europian kërkon përpjekje më të mëdha nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

“Ndërsa numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, vendimet e formës së prerë ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë mbeten të limituara,” thuhet në raport.

Sipas Komisionit Europian, Shqipëria ka forcuar kapacitetet operacionale, kordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, përmes ngritjes së një Task-Force Antikorrupsion, krijimit të drejtorie të veçantë në Ministrinë e Drejtësisë si dhe ngritjes së një rrjeti kordinatorësh antikorrupsion në vjeshtën e vitit 2019.

Në dokument vlerësohen përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar si dhe intensifikimi i bashkëpunimit policor me vendet anëtare të BE-së dhe Europolin- duke sjellë operacione të gjera dhe arrestimin e anëtarëve famëkeqë të grupeve të krimit të organizuar.

Në raport renditen një sërë operacionesh ku forcat shqiptare kanë marrë pjesë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të cilat kanë sjellë sekuestrime të lëndëve narkotike si dhe arrestime të anëtarëve të krimit të organizuar.

Vlerësime ka marrë edhe konsolidimi i mëtejshëm i luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Ndërkohë, raporti evidenton se sasia e bimëve narkotike të shkatërruara gjatë vitit 2019 është më e madhe se ajo e vitit 2018.

“Rezultatet paraprake të fushatës së monitorimit nga ajri të drejtuara nga italianët tregojnë një rritje të plantacioneve të identifikuara të kanabisit si dhe të bimëve narkotike të çrrënjosura dhe shkatërruara. Ky trend mund t’i atribuohet gjithashtu evoluimit të mënyrës së veprimit nga organizatat kriminale (kultivimit në shkallë të vogël dhe në fusha të frangmentuara, shpesh të fshehura në zona me bimësi të dendur apo malore,” thuhet në raport.

Si rezultat, 90, 175 bimë kanabisi u shkatërruan në vitin 2019, krahasuar me 35.985 të shkatërruara në vitin 2018. Sipas Komisionit, shifrat mbeten të papërfillshme krahasuar me vitin 2016, duke shënuar një ulje prej 88%.

Check Also

Si e vrasim të vërtetën!

Nga Irena Beqiraj Jam rritur duke menduar se e vërteta me shumë gjasa del nga …

Sot bëhet një vit nga tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë ndër dekada

Ishte ora 03:56 mëngjesin e 26 nëntorit të kaluar, kur një lëkundje e fuqishme me …

Malltezi: Rama, Ahmetaj, Blushi, Koka e Zoto janë kapur duke vjedhur 430 milionë euro, s’e mbulojnë dot me mediat e blera

Anëtari i kryesisë së PD-së, Malltezi, ka denoncuar ato që i quan pseudomedia lidhur me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *