Rama përshkallëzon “luftën” e tij kundër medias në telefonat celularë

Përdoruesit e rrjetit celular Vodafone morën papritur një mesazh të regjistruar gjatë ditës së Enjte nga kryeministri Edi Rama që i këshillon ata se si të mbrojnë veten nga koronavirusi – dhe media.

“Laj duart, mos lëviz nga shtëpia për qejf, hap dritaret sa të mundesh, ruhu nga media,” thuhet në mesazhin nga Edi Rama ku kryeministri prezantohet “Edi jam”.

Pavarësisht se sa telefonata bënin përdoruesit e telefonit, atyre iu desh të dëgjonin mesazhin sërish dhe sërish dhe nuk kishte mënyrë për ta heshtur atë.

Përdoruesit e rrjetit Telekom Albania morën një mesazh pak më të ndryshëm me teks SMS ku përdoruesit këshilloheshin të “mbronin veten nga informacioni i rremë”.

Një pjesë e përdoruesve të rrjetit celular Albtelecom filluan të marrin një mesazh të ngjashëm me Vodafone të Premten.

Këshilli Shqiptar i Medias protestoi ndaj mesazheve të kryeministrit duke argumentuar se ajo përbën një tentativë për të gjetur armikun për koronavirusin te media dhe jo te “paaftësia e qeverisë për të menaxhuar situatën”.

“Ne gjykojmë që personalizimi i komunikimit nga Kryeministri është shumë i rrezikshëm. Përveçse kjo e kthen komunikimin në një fushatë politike, marrja nga Kryeministri e pozicionit të atij që “këshillon” publikun është jo-etike dhe e gabuar. Informacioni shëndetësor duhet shpërndarë përmes institucioneve e jo individëve, përmes profesionistëve e jo-politikanëve,” thuhet në deklaratë.

Media është një shënjestër e vjetër e kryeministrit socialist, i cili përgjatë viteve ka parë imazhin e tij të bëhet pis nga lajmet mbi lidhjet me krimin e organizuar, mbi kontratat kontroverse publike të dhëna për kompanitë vendëse pa garë reale dhe skandale të tjera që përfshijnë keqpërdorimin e fondeve publike.

Rama shpesh është përpjekur të shmangë fajin duke zhvendosur vëmendjen në një luftë kundër medias për të pretenduar se të gjitha akuzat kundër tij janë gënjeshtra të falsifikuara.

Në një rast ai e cilësoi Zërin e Amerikës si një “media që flet nga kazani” ndërsa më vonë hodhi në gjyq tablloidin gjerman BILD për shpifje në lidhje me disa përgjime prokurorie që rrodhën në media dhe që tregojnë bashkëpunim të ngushtë mes politikanëve socialistë dhe figura të krimit në blerje votash dhe në presion ndaj zyrtarëve publikë për të votuar për partinë.

Nëntorin e kaluar, ndërsa vendi u përball me një krizë tjetër të shkaktuar nga tërmeti – dhe i përballur me pikëpyetje mbi shkallën e përgatitjes së qeverisë përballë katastrofave natyrore – Rama kërcënoi media pa emër se do t’i mbyllte, duke pretenduar fuqi të jashtëzakonshme ndaj atyre që “përhapin panik”.

Shqipëria po përballet tani me një nga krizat më të rënda në historinë e re të vendit ndërsa ekonomia është e paralizuar për shkak të masave të ndërmarra për pengimin apo ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit.

Rama është i njohur gjithashtu si person që në rast krizash, të vendit apo të qeverisë së tij, jep këshilla për mediat se si ajo duhet të sillet.

Kështu, në Tetor 2017, ndërsa qeveria e tij përballej me pikëpytje për lidhjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me një bandë famëkeqe trafikantësh droge, Rama  deklaroi se misioni i medias duhet të jetë “ndërmjetësimi me opinionin publik” ndërsa Dhjetorin e kaluar, ndërsa vendi përjetoi pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, Rama sugjeroi se media duhej të kishte për mision forcimin e frymës së solidaritetit njerëzor duke “kontrolluar të ftuarit nëpër emisione”.

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *