Punë ka, por shqiptarët duan të ikin Jashtë

Sado absurde që duket, ky është fakti. Nuk është vetëm te ne, është edhe në rajon. Po këtu te ne që ankohen të gjithë për punë, nga Facebook-u në kafene. Prandaj ne e kaluam ligjin që të jemi gati që rindërtimin ta kemi pa probleme të fuqisë punëtore, t’i sjellim punëtorët nga jashtë. Nuk kemi rrugë tjetër, sado absurde të duket. Të vijnë të tjerët nga fundi i botës të punojnë në Shqipëri, se këtu të gjithë duan rroga shteti

Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama nga Durrësi, një ditë pas konferencës së donatorëve. Sipas z. Rama forca e punës në Shqipëri nuk mjafton për të përballur fluksin e punës që krijohet nga 1.15 miliardë dollarë. Nuk ka megjithatë deri më sot asnjë studim, asnjë dosje zyrtare apo të dhënë që ta mbështesë këtë gjë. Zoti Rama prezantoi në vitin 2017 projektin “1 miliardë për rindërtim”, por nuk foli asokohe për nevojën e forcave të huaja të punës.

Lidhur me spekullimin e tij se shqiptarët duan të gjithë një rrogë shteti, kjo është sa joserioze për një kryeministër, aq edhe e pavërtetë.

Në dy vitet e fundit ka patur njotime për 1000 vende të lira pune në Administratën Publike, ndërkohë që është konstatuar se ndër arsyet e dështimit të reformës administrative – territoriale është edhe cilësia e stafeve që punësohen që nuk i përgjigjen qoftë objektivave për rritjen e cilësive të shërbimit, aq edhe realizimit të projekteve. Në korrik të vitit 2018 , gjatë prezantimit të projektit të 100 fshatrave, z. Rama deklaroi se projektet që ka marrë nga Bashkitë ishte 10 herë më i vogël se numri total i tyre. Çka na thotë se megjithë përpjekjet ose të kualifikuarit i rrinë larg punës në shtet, ose politikat e zbatuara janë tërësisht korruptive dhe nuk japin rezultat.

Por pretendimi i z. Rama nuk gjen mbështetje as në shifra konkrete. Në një përgjigje zyrtare të Departamentit të Administratës Publike të dhjetori 2019, raportohet se për vitin 2017 nga shërbimi civil janë larguar me dorëheqje 191 nëpunës, kurse në vitin 2018, 229 nëpunës. Për vitet 2017-2019 numri i proceseve gjyqësore ndaj vendimeve për largim ka qenë vetëm 40.

Siç mund të shihet nuk ka ndonjë vrull për të hyrë në punë shteti, ndërkohë që politika e thithjes së ekselentëve as nuk dihet sesi ka ecur. Mungesa e fuqisë punëtore mund të vijë nga tjetër drejtim. Nga Emigrimi. Në një kronikë të sotme, TVT raporton se fluksi i njerëzve që kërkojnë vizë në ambasadën gjermane është i lartë dhe shtohet përditë. Shqipëria është alternativa e fundit, shprehet një prej të rinjve.

Dhe ky është realiteti të cilin z. Rama e injoron, ose e interpreton si shprehje të lirisë. Problemi që lind këtu është serioz. Kryeministri thjesht bën një deklaratë, pa referuar asnjë dokument. Ne nuk dimë edhe se nga është kërkesa për punësim në Shqipëri, nga cilat vende. Dimë po ashtu se përvit, fondet e investimeve publike të parashikuara nuk përdoren të gjitha dhe riadresohen në buxhetin pasardhës për shkak të mosrealizimeve. Shqipëria është një vend që është thënë shpesh se nuk arrin të përfitojë nga projektet IPA të BE-së për mungesë aftësie në projekte. Atëherë si do të zgjidhet kjo krizë politikash me importin e krahut të punës? Le të theksojmë këtu se ndërtimi nuk kërkon punëtorë të kualifikuar, por krahë pune dhe teza e z. Rama – deri diku e drejtë – se punë ka, por nuk ka profesionistë, nuk vlen në këtë rast.

Shumëkush mund të mendojë se kjo që po ndodh është politikë rindërtimi, rehabilitimi që patjetër do sjellë të mira materiale të shpërndara. Punësim. Por z. Rama dje këtë e quajti Politikë Zhvillimi. Mirëpo ne e kemi fare të pabesueshme sesi një vend që po boshatiset, aplikon politika zhvillimi reale duke marrë punëtorë nga jashtë.

Punë ka, por shqiptarët nuk duan të punojnë. Ata po zgjedhin të punojnë jashtë. Kush e beson një tezë të tillë?

Ndoshta e beson z. Rama me të vetët. Ose kjo është kërkesë e donatorëve. Nëse është kështu, atëherë duhet të na nxjerrë një dokument zyrtar se ku e bazon këtë që thotë dhe artikulon. Ose përndryshe na duhet të dyshojmë se Konferenca e Donatorëve passjell me vete edhe pranimin nga Shqipëria të një kuote refugjatësh, pikërisht atë kategori që sot Europa nuk e pranon më. Është dyshim vetëm, por i arsyeshëm ama me mjegullën që përhap vetë kryeministri.

Check Also

Atentati ndaj 42-vjeçarit në Lezhë policia pyet disa dëshmitarë

Policia e Lezhës ka shoqëruar disa persona në lidhje me atentatin e të martës në …

Venecia kritikon socialistët për ndryshimet e njëanshme në kushtetutë

Komisioni i Venecias shprehu keqardhje për procedurën e ndjekur nga Partia Socialiste dhe mbështetësit e …

Mirel Mërtiri, padi kundër BIRN Albania për dëm ‘moral dhe ekzistencial’

Me pretendimin se raportimi për lidhjet e tij me koncesionet e trajtimit të mbetjeve urbane …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *