Pse dështoi dhe Topi me FRD-në? Një përgjigje që varet nga Rama

Tre lajme politike ka prodhuar Bamir Topi qyshse u largua nga Presidenca e s’u kthye më në PD (dhe as që mund të kthehej pas një presidence gjysmë rebele ndaj Berishës) dhe themeloi një parti të re – FRD: e para ishte një aleanca në nivel lokal në Tiranë në zgjedhjet e 2015, duke u rreshtuar krah Erion Veliajt; e dyta një libër me përjetime politike në të cilën goditi ashpër Bujar Nishanin; dhe e treta, akti i fundit i dorëheqjes, për shkak se nga partia e tij, pa dijeninë e tij, u firmos një marrëveshje koalicioni me Bashën, i pahonepsshëm për të.

Eshtë një akt me shumë pikëpyetje ky i dorëheqjes nga kreu i partisë, pasi dikush nga bashkëpunëtorët – siç ofrohet për lexim të thjeshtuar – ia shkrep të bëjë aleancë me Bashën duke përdorur siglën e partisë. Më logjike, edhe si praktikë politike, do kishte qenë jo dorëheqje por ndëshkimi i atij ose atyre që e bënë këtë proçkë duke injoruar kryetarin.

Por më pikëpyetëse është vetë FRD-ja e Topit, sigurisht, bashkë me këtë të fundit, që përbën, së paku deri më tani, një dështim të radhës në sagën e krijimit të partive të reja për t’ju kundërvënë atyre tradicionale, inisiativa të individëve me një profil të njohur politik, ardhur nga forcat e mëdha. Së fundi, kemi dhe dy prej tyre – Bindjen e Patozit dhe Bashkimin e Topallit.

Topi nuk ka qenë ndonjë potencial i fuqishëm politik, por ka patur ca cilësi të preferueshme për të qenë faktor politik; një sharm qytetar, shoqëruar nga një artikulim jo i varfër, deri diku simpatik, dhe që në finale ofronte një model emancipues dhe larg shijes së abuzivizmit apo korruptimit politik.

Madje themelimi i FRD-së së tij u pa dhe si një projekt, ndoshta dhe i suportuar nga ndërkombëtarët, ndonëse pa shenja të tilla, për të qenë Topi, apo forca e tij, ajo që do dublonte PD-në e degraduar nën Berishën, për të qenë në finale, ai dhe ajo (pra Topi dhe FRD-ja), rivalë të PS-së dhe Ramës. E gjitha kjo në funksion të emancipimit politik. Por nuk ndodhi. FRD-ja e Topit, veç çastit, madje çastit e jo kohës kur u krijua, nuk u imponua dot në asgjë. Ajo pothuajse ishte harruar deri kur mbrëmjen e së mërkurës doli lajmi se Sali Shehu, ish-deputet i PD-së në kohën e qeverisjes së Berishës dhe një ndër më të afërtit e Topit, u shfaq në selinë e ish-partisë së tij për të nënshkruar marrëveshje koalicioni me Bashën.

Pra, ç’shpjegim ka ky dështim, që lidhet me emrin e Bamir Topit, që për më tepër ftohet hera-herës në studio për të dhënë opinione politike? Përgjigja gjendet gjithnjë te personi më shumë se sa te konteksti. Është paaftësia nuhatëse, imponuese, diktuese, organizuese, fantazuese, frymëzese dhe impresionuese.

Dhe nëse është fjala për kontekstin, do duhej të provohej se a do mundej Rama të kishte sukses nëse në politikë nëse do futej me një sigël të tij e jo me atë të PS-së. Pasi siç dihet, me profilin jo politik por atë të një personazhi publik me aureolë kulturore por dhe kritik politik, arrinte, gjykuar nga interesi i madh publik ndaj gjuhës shkallmuse në nivelet më të larta ekspresive të ligjërimit, të ishte faktor konkurues e sfidues ndaj forcave tradicionale, ndonëse pa provën e votës. Kur pastaj mbërriti dhe prova e votës, në bilancin nga viti 2000 e deri më sot kur ai është aktiv në politikë, ka një përputhshmëri mes treguesve të votueshmërisë ndaj tij me interesin publik para të qënit personazh politik.

Eshtë me diferencë të dukshme në të dyja në planin e konkurueshmërisë me të ngjashëm.

Check Also

Rama sulmon Metën pas SMS-ve të Gonxhes me biznesmenin: Harrove të publikosh videon ku del vëllai i Monikës

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar presidentin Ilir Meta, nga një takim me banorët e njësisë …

Indeksi i 2021-shit, Shqipëria humb 15 vende në tërheqjen për investime, çalojmë në shërbime financiare

Indeksi Global i Mundësive 2021 e rendit Shqipërinë të 78-n në botë për tërheqje investimesh …

“BE-ja do sjellë në Shqpëri 145 mijë doza vaksina anti-covid në periudhën maj-gusht” – Von der Leyen e shkruan shqip mesazhin

Nga maji deri në fund të gushtit në Shqipëri do vijnë 145 mijë doza vaksine …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *