Pas vendimit të parlamentit, Shqipëria përballet me një tjetër goditje ndaj lirisë së medias

Gazetarët në Shqipëri kanë reaguar me shqetësim ndaj një vendimi nga parlamenti i vendit për të kufizuar hyrjen në seancat e asamblesë vetëm për televizionin publik dhe agjencinë shtetërore të lajmeve, duke e quajtur atë goditjen e fundit ndaj lirisë së medias nën Partinë Socialiste në pushtet.

Ndërsa njoftonte vendimin në fillim të qershorit, parlamenti tha se rregullorja e re e medias u hartua në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, të cilit Shqipëria dëshiron të bashkohet, një pretendim që delegacioni i BE-së në Tiranë e mohoi.

Gazetarët që nuk janë pjesë e televizionit publik ose e agjencisë shtetërore të lajmeve të Shqipërisë do të marrin vetëm pamje video të seancave të parlamentit dhe nuk do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në asamble. Por disa kanë reaguar të alarmuar, duke thënë se parlamenti ishte një nga institucionet e fundit të mbetura ku gazetarët mund të takonin kontakte, të bënin pyetje dhe të merrnin përgjigje që nuk ishin hartuar paraprakisht nga zyrat e shtypit.

“Në fakt, kjo na ndalon të shikojmë ngjarjet me sytë tanë, të shohim se cilët deputetë janë në mbledhje, si votojnë ose si negociojnë ata”, tha gazetarja Esiona Konomi, e cila mbulon rregullisht parlamentin.

“Duke qenë se pamjet video do të prodhohen vetëm nga asambleja, kjo krijon rrezikun që videot të censurohen për shkak të defekteve teknike, ose për qëllime manipuluese politike. Kemi pasur raste të tilla gjatë pandemisë.”

Juxhin Mustafaraj, i cili gjithashtu raporton për parlamentin, tha për BIRN se ky ishte vazhdimi i një procesi kufizimi në qasje që nisi gjatë izolimit për shkak të COVID-19 të vitit 2020: “Do të jetë një derë tjetër e mbyllur, pas zyrës së kryeministrit, gjykatave, prokurorisë”, tha ai.

“Kontroll mbi fluksin e informacionit”

Mikrofonë të televizioneve shqiptare të vendosura pranë një boksi zëri në Tiranë, gjatë një konference për shtyp. Foto: BIRN

Mbikëqyrësit e lirisë së medias janë shqetësuar gjithnjë e më shumë për gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, i cili në prill fitoi një mandat të tretë në detyrë.

Peizazhi mediatik është i dominuar nga një numër i vogël pronarësh të fuqishëm të lidhur ngushtë me elitën politike. Gazetarët përballen rregullisht me abuzime verbale nga politikanë, përfshirë Rama, dhe shumë prej tyre përdorin vetë-censurë.

Në vitin 2018, Rama zbuloi një paketë legjislative “anti-shpifje” për të rregulluar mediat online në Shqipëri, por u përball me një stuhi kritikash nga mediat lokale, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së. Ai shkoi përpara, duke fituar miratimin e parlamentit, por qeveria u tërhoq vitin e kaluar pas konsultimeve me Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës.

Pavarësisht zmbrapsjes, qasja në informacion është kufizuar gjithnjë e më shumë që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në fillim të vitit 2020.

“Nga fillimi i pandemisë, qeveria shqiptare vendosi kontrollin mbi rrjedhat e informacionit”, sipas një raporti të botuar vitin e kaluar nga Konrad Adenauer Stiftung dhe Qendra për Studim të Demokracisë me bazë në Sofje.

“Mediat masive nuk kishin asnjë mënyrë për të monitoruar ose verifikuar të vërtetën në lidhje me pasojat shëndetësore të pandemisë, përveç shifrave zyrtare që ofroheshin.”

Inva Hasanaliaj, një gazetare që punon për Faktoje në Shqipëri, tha se zyrtarët publikë të ngarkuar me shpërndarjen e informacionit ishin shpesh shumë të vështirë për t’u arritur dhe institucione publike të tilla si ministritë e shëndetësisë, transportit dhe energjisë dhe financave rregullisht dështojnë të përgjigjen.

Sipas ligjit, institucionet publike në Shqipëri janë të detyruara t’u përgjigjen gazetarëve dhe çdo qytetari tjetër brenda 10 ditësh, me email ose postë. Ata gjithashtu duhet të kenë një “koordinator” të ngarkuar për të siguruar informacionet dhe kontaktet e të cilit duhet të publikohen në faqen e internetit të institucionit.

Por Lorin Kadiu, redaktor i Citizens Channel në Tiranë, tha që gazetarët ndonjëherë prisnin me muaj të tërë për të marrë informacione dhe në fund ato mbërrinin jo të plota.

“Institucione të tilla si Bashkia e Tiranës vazhdimisht refuzojnë të përgjigjen dhe kanë filluar të mos i marrin seriozisht kërkesat e gazetarëve, duke u kërkuar atyre që të paraqiten fizikisht në sportel për të marrë informacione”, tha Kadiu.

“Shumë herë e kemi humbur betejën për shkak të mungesës së kohës dhe kapacitetit për të ndjekur deri në fund kërkesën për informacion, i cili me ligj duhet të ishte publikuar pa qenë nevoja të paraqitej ndonjë kërkesë.”

Check Also

Los Anxhelos rikthen maskat, Biden: Vala e re e pandemisë, tek të pavaksinuarit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i pyetur nëse amerikanët do të …

Reforma në drejtësi, Xhafaj: 24 orë para miratimit, diskutohej të binte qeveria. Sot ka të penduar nga ata që e kaluan

22 korriku i këtij viti shënjon 5 vjetorin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, themelin ligjor …

Dionis Biba, personazh i njohur i rrjeteve sociale, u kap brenda shtëpisë së barit, dënohet me 15 muaj në Angli

Dionis Biba është një personazh i njohur i rrjeteve sociale pasi përmes videove në Instagram …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *