Negociatat, pse nuk ndodhin para prillit 2022

Nën shqetësimet e përhapjes së pandemisë, vendet e Bashkimit Europian po diskutojnë pak, ose aspak çështjen e zgjerimit dhe sidomos hapjen formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Risia këtë herë është se negociatat janë “harruar” edhe në Tiranë, ku janë lënë në hije nga përplasja e brendshme në Partinë Demokratike mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. I pari ka thirrur më 11 dhjetor një Kuvend Kombëtar, i dyti ka thirrur të njëjtin Kuvend një javë më pas.

Rastësisht në mes të dy Kuvendeve do të mbahet samiti i radhës i udhëheqësve të Bashkimit Europian, ku në agjendë janë edhe negociatat dhe mundësia e vakët e caktimit të një date për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo temë ka kaluar prej shpërthimit të pandemisë në një çështje të nivelit të dytë në BE. Nga Bullgaria sinjalet janë që vetoja ndaj Shkupit mbetet në fuqi për çështje që lidhen me kulturën dhe gjuhën. Kërkesa bullgare konsiderohet e papranueshme në Shkup, që duket se pas ndryshimit të emrit për hir të heqjes së vetos greke nuk është i gatshëm që të bëjë të tjera lëshime të këtij lloji.

Në Shkup, pas konfirmimit të LSDM-së në Qeveri me një mazhorancë solide, pas zgjedhjeve lokale, ku kjo parti humbi thellë ndaj opozitës, mbërrin zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Europën, Gabriel Escobar.

Programi i qeverisë së re bazohet në nëntë pika, ku pika e parë lidhet me integrimin. “Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mobilizojë të gjitha kapacitetet e shtetit dhe shoqërisë me qëllim hapjen e negociatave me BE-në, përfundimin me sukses të të gjithë kapitujve dhe anëtarësim të plotë në BE si qëllim strategjik, në afat kohor sa më të shkurtër”, thuhet në të.

Escobar ripërcolli edhe nga Shkupi mesazhin e Uashingtonit për Bullgarinë, që të heqë veton dhe ta shtyjë procesin e anëtarësimit në fazën tjetër.

Bullgaria nga ana tjetër, në një lëvizje që është interpretuar si gjetje për të zbutur presionin ndërkombëtar që ka për këtë bllokim, ka propozuar zyrtarisht në Bruksel që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe të nisin negociatat e anëtarësimit me Tiranën. Kërkesa është pritur e mikluar në Tiranë. Presidenti Ilir Meta e ka përshëndetur, ndërsa nga Ministria e Jashtme kanë heshtur.

“Përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyçe të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003. Do të vazhdoj të mbështes dhe inkurajoj çdo hap, që na çon sa më parë drejt anëtarësimit europian, në përmbushje të objektivit tonë strategjik kombëtar”, shkruan Meta.

Ministria e Jashtme ndërkohë e ka kaluar në heshtje qëndrimin bullgar, ndërsa është i njohur qëndrimi i vendeve më të mëdha të BE-së, përfshirë këtu edhe Gjermaninë që këmbëngulin që të dyja vendet të ecin bashkërisht në rrugën e integrimit europian.

Udhëheqësit e BE-së do ta takohen në një samit më 16 dhe 17 dhjetor. Pritshmëritë për caktimin e një date për negociatat janë thuajse zero. Përveç vetos bullgare, edhe zhvillimet e brendshme në Gjermani dhe Francë nuk ndihmojnë në këtë drejtim.

Në Berlin, qeveria e re e socialdemokratëve e ka shpalosur mes pikave të programit mbështetjen për zgjerimin, por mbetet për t’u testuar qëndrimi i saj në lidhje me ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Në Paris nga ana tjetër kanë filluar të ndjehen ethet e zgjedhjeve presidenciale që mbahen më 10 prill të vitit të ardhshëm dhe presioni i populistëve ekstremistë dhe euroskeptikëve ndaj Presidentit Macron rritet vazhdimisht.

Zgjerimi i BE-së mbetet një kartë e preferuar e ekstremistëve. Për këto arsye, vetoja bullgare mund të marrë miratimin në heshtje të Presidentit francez dhe data e hapjes së negociatave të shtyhet përtej 10 prillit të vitit të ardhshëm.

Prandaj, në këto ditë, i vetmi zë që flet për zgjerimin dhe negociatat është ai i Komisionerit Oliver Varhelyi.

“Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e Europës dhe duhet të diskutojmë me ta për të ardhmen e Europës. Është e ardhmja jonë e përbashkët dhe zgjerimi i BE-së është një fitore dypalëshe dhe investim për paqedn, sigurinë, zhvillimit dhe demokracinë”, tha ai në një konferencë me temë e ardhmja e Europës të zhvilluar në Budapest.

Check Also

Vlerësimi i “The Economist”: Bilanci real i pandemisë, 12 mijë viktima në Shqipëri

Bilanci i pandemisë në Shqipëri mund të jetë shumë herë më i lartë nga sa …

Escobar: Do të shpallim persona të tjerë “non grata” në rajon

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar u shpreh sot në …

Protesta e 8 janarit, Berisha thirret nesër në Prokurori, pasnesër Basha

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti demokrat Flamur Noka do të thirren nesër në Prokurori, në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *