Ndjesë dhe falënderim ndaj infermiereve tona të vyera

Nga Prof. Dr. Isuf Kalo

Të nderuar kolegë infermierë. Sot është Dita Botërore e shëndetit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur t’ju përkushtoj këtë ditë juve Infermierëve të palodhur kudo që jeni në botë. Ndjesë që nuk kemi një këngë aq të bukur plotë mirënjohje si ajo për ne mjekët që ta këndonim edhe për juve në këtë ditë nderimi ndaj jush. Dhe sa keq që lufta në të cilën ju jeni përfshirë në vijat e para kundra virusit vrastar COVID -19 nuk u lejon as juve as neve që ta festojmë siç e meritoni.

Ndjesë edhe që nuk kemi titull “mjeshtre e madhe punës ”, as “Infermiere nderi “ apo ndonjë dekoratë të posaçme profesionale që t’ju akordonim në këtë ditë të shënuar. Ndjehemi të turpëruar që nuk ju kemi njohur në tërë dimensionet e kontributeve dhe të virtyteve tuaja në përballjet që keni patur me sëmundjet dhe vdekjen në mbrojtje të shëndetit dhe jetës të qytetarëve tanë; të Evropës e të botës. Gjithçka ka qenë pasojë e mendësive, e varfërisë kulturore e padrejtësive jo të qëllimshme jo keqdashëse ndaj jush por që fatkeqësisht jua ka  kufizuar hapësirat e veprimit. Si trajnerët e obseduar pas lojtarëve “yje“ bashkësia njerëzore ka besuar që fitoret arrihen vetëm me ata, duke injoruar kontributin tuaj në  “golat ” e shënuara nga shëndetësia.

Megjithëkëtë në asnjë çast ju nuk ka patur shpërfillje as diskriminim ndaj jush apo integritetit tuaj. Qasjet e gabuara të derivonëshme ndaj rolit infermieror kanë rrjedhur prej prapambetjeve që kemi trashëguar si popull e si bashkësi në mënyrën e vlerësimit të meritave dhe të kontributeve në përgjithësi. Meritokracia si në shumë profesione të tjera ka patur mangësira edhe në mjekësi. Ka patur anakronizëm, orientalizëm e maniera ballkanike në të.

Për fat të mirë Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri sivjet një xhest domethënës e korrigjues. Ajo jua përkushtoi datën 7 prill ditën Botërore të shëndetit pikërisht juve: Infermierëve “të devotshëm” . Përfaqësuesi i zyrës së saj në Shqipëri Dr. Raul Gonzales në këtë ditë të shënuar ju drejtoi 29 mijë infermiereve tona urimet dhe falënderimet më të ngrohta në emër të asaj Organizate prestigjioze. Ai me mirënjohje të thellë theksoi se edhe ”aktualisht në luftë me Covid -19,  infermierët po kontribuojnë madje edhe me jetën e tyre”. Vetvetiu bashkë me urimet dhe mirënjohjen e tij janë edhe urimet e të gjithë mjekëve, ato të ministrisë tonë të shëndetësisë dhe të mbarë qytetarëve tanë.

Një heroinë që inicioi ndryshimin

Roli thelbësor i infermierëve në sistemet shëndetësore të sotme nuk do mund të kuptohej në gjithë dimensionet e tij pa infermieren heroinë Florence Naghtingal. Kjo vajzë 16 vjeçare e një familje të pasur angleze zgjodhi me dëshirë rreth160 vjet më parë, si mision e vokacion hyjnor në shërbim të shëndetit dhe jetës njerëzore pikërisht profesionin e infermieres. “Falënderoj zotin që u bëra infermiere“ pat thënë shumë vite më pas me mirënjohje ajo për sadisfaksionet e jashtëzakonshme  që i dhuroi ky profesion fisnik.

Florence Naghtingali e rikonceptoi dhe guxoi që ta zgjeronte rolin e infermieres në bashkësinë e bluzave të bardha me dimensione të reja të panjohura më parë. Ajo themeloi dhe institucionalizoi “Infermieristikën”( Nursing ) si profesion i veçantë me objektivat dhe përgjegjësitë specifike, që do ruante bashkëveprimin e ngushtë me profesionin mjekësor por jo domosdoshmërisht të varej e të komandohej për çdo aspekt prej tij. Ajo theu mitin e famës në mjekësi si privilegj vetëm i mjekëve profesorëve dhe akademikëve të mëdhenj. Si reformatore dhe eksperte e menaxhimit të sistemeve shëndetësore ne Angli dhe jashtë saj, Florence Naghtingal u shndërrua në idhull. Dhjetëra portrete, skulptura, libra, poema monografi, filma dhe drama i janë dedikuar asaj. Të rrallë janë njerëzit që janë shpërblyer për veprën e tyre gjatë jetës dhe pas saj me aq mirënjohje dhe adhurim sesa ajo.

Ditë kujtese

Por në ditë të tilla çdo vend ka obligimin që të kujtoj dhe nderoj “Florencat” e tij. Ato nuk kanë munguar por ndodh që për fat të keq jo të gjitha patën shijuar nderimet dhe mirënjohjen qytetare të koleges së shquar angleze. Një infermiere heroinë të tillë shqiptare njoha shumë vonë edhe unë fal shkrimeve të të afërmve të saj dhe të mikut tim, Dashnor Kaloçi.

Ajo quhej Melpomeni Dilo. Pat lindur në Gjirokastër në vitin 1912 në një familje të fisme intelektuale. Dhe si Florenca zgjodhi me pasion profesionin e infermieres. Ajo do ishte ndër të parat që do të kryente në Tiranë me rezultate të shkëlqyera një shkollë 3-vjeçare për infermieri me drejtoreshë një zonje franceze Madame Gabriela Laverngie. Në vitin 1929 fill pasi mbaroi shkollën ajo doli vullnetare për të ndihmuar të sëmurët e prekur nga një epidemi e rëndë gripi në Shqipëri. E caktuan të kujdesej për një batalionin ushtarak “Erzeni“. Ajo fitoi admirimin e tyre falë aftësive, humanizmit dhe përkushtimit profesional të saj në shenjë mirënjohje ata e dekoruan me një medalje argjendi. Më pas Melpomeni e pasionuar pas profesionit mundi të përfitonte një bursë një vjeçare për specializim në Francë në fushën e kujdesit neonatal ndaj foshnjave të porsalindur. Kujdesi ndaj nënave shtatzëna dhe të porsalindura u bë qëllimi jetës së saj.

Në kthim nga Parisi ajo së bashku me dy shoqet infermiere të saj Nadire Kasoruho dhe Bedije Asllani me iniciativën e tyre u lidhën me Kryqin e Kuq ndërkombëtar dhe mundësuan ngritjen në 15 prill 1937 në ambientet e spitalit të atëhershëm civil maternitetin e parë në Shqipëri. A nuk i ngjan ajo Florence Naghtingalit?

Por Melpomeni nuk ishte thjesht profesioniste e shkëputur nga jeta dhe pa interesa për problemet sociale dhe ekonomike të bashkë qytetarëve të saj. Instikti patriotik e bëri atë të kryente një akt mbresëlënës për atë kohë. Në 7 Prill 1939 kur nga sheshi Skënderbej i Tiranës po përgatiteshin të niseshin vullnetarët në Durrës për të penguar pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italianë me ata u bashkua edhe një vajzë e brishtë me bluzën e bardhë të infermieres. Ishte e vetmja femër që po shkonte jo vetëm të kontribuonte me ata burra si infermiere, por edhe si luftëtare me armë në dorë. Ata që e kanë përjetuar atë skenë mallëngjehen kur kujtojnë dhe përshkruajnë se si qytetarët e panjohur të Tiranës i puthnin Melpomenit jo vetëm duart por dhe bluzën e bardhë. Sa shumë krenari dhe nder i shtoi ajo profesionit të dashur të saj?

Melpomeni i kreu detyrën si infermiere patriote edhe gjatë viteve të luftës antifashiste duke strehuar dhe mjekuar partizanë dhe klandestinë të plagosur. Me të gjithë veprën dhe kontributet e saj të shquar profesionale intelektuale dhe patriotike ajo meritonte të vihej me nderim në altarin tonë kombëtar. Për fat të keq nuk ndodhi kështu. Lufta e klasave me absurditetin e saj biografik e ndëshkoi atë pa asnjë faj. Vetëm si motër e dy vëllezërve të dënuar nga pushteti i pasluftës. Infermierja heroinë Melpomeni Dilo vdiq e decepsionuar e pa punësuar e braktisur nga shteti i atëhershëm në moshën 59 vjeçare.

Megjithë shembulli dhe virtytet e saj për fat të mirë nuk kanë humbur. Koleget, infermieret tona të sotme po shkëlqejnë duke kryer edhe ato akte të ngjashme heroizmi vetflijimi, të frymëzuara me të njëjtin pasion dhe përkushtim në luftën e re që po zhvillojnë sot tek ne dhe në botë kundra koronavirusit të egër.

Ditë reflektimi

Në një ditë të tillë është e natyrshme që edhe të reflektojmë, për gjithçka ato që ne kemi krijuar dhe arritur në profesionin infermieror. Dhe përçka ndofta duhet bërë më mirë.

Një hop sasior dhe cilësor i dukshëm është bërë tek ne lidhur me numrin e infermierëve në shëndetësinë tonë ashtu edhe për cilësinë e tyre në kuptimin e aftësive profesionale. Numri i tyre ka arritur në afro 29 mijë. Shtatë Universitete publike dhe nëntë Universitete jo publike të akredituara i pajisin ata me diploma të arsimit të lartë si profesionistë në degët e infermierisë të përgjithshme, fizioterapistë , teknik imazheriste, teknik laboratori, infermier mami. Jo pak prej tyre kanë kryer edhe Masterin Profesional e shkencor. Prej vitit 2008 është krijuar tek ne Urdhri Infermieror me mision arritjen e standardeve të larta etike e profesionale nëpërmjet statutit deontologjik dhe edukimit profesional të pandërprerë. Udhëheqja e mëparshme dhe ajo e re e tij kanë ndërmarrë një sërë iniciativash energjike për fuqizimin e rolit dhe të zërit të tij. Ndërkohë kërkesat e shoqërive të sotme për kujdes të specializuar infermieror janë në rritje, të pandalshme sepse popullata po moshohet pa ndalur dhe ndryshimet ekonomiko sociale e demografike si edhe të stilit të jetës po rritin pandalshëm sëmundshmërinë.

Në këtë kontekst një orientim i ri i planifikuar bazuar në pritshmëritë e kërkesave është i nevojshëm. Personave të moshuar u duhen sot infermierë me njohuri geriartrike, personave adult dhe fëmijëve obezë apo me diabet të cilët po shtohen me shpejtësi në numër u duhet me njohuri dietetike dhe aftësi komunikuese e edukative. Atyre të paralizuar apo me problem osteoartikulare  u duhet masazhiste e fizioterapiste . Të sëmurëve rëndë në faza terminale u duhen infermierë reanimatorë dhe psikologë për mbështetje emocionale. Popullatës në përgjithësi i duhen infermierë të afta për injeksione apo për mjekime mikrokirurgjikale të plagëve kurse grave shtatzëna apo lehona u duhen infermierë e mami. Për konsultoret e tyre dhe të foshnjave.

Të gjitha këto shërbime specifike nuk janë monopol i infermierëve por është fakt që ato kryen me kompetencë dhe profesionalizëm shumë më të lartë nga infermierët sesa nga ne mjekët. Prandaj edhe kërkesat për ato në tregun Europian të shërbimeve shëndetësore janë gjithmonë në rritje. Disa mangësi, ndryshime e mos përputhje në kurikulat dhe sylabusët tek një numër i Universiteteve tona ku ato diplomohen, nuk e ka penguar emigrimin e tërheqjen e infermierëve tona drejt vendeve të Evropës perëndimore. Ato vështirë se do të mund të pengohen edhe me ndonjë bonus apo rritje modeste të pagës. Them se është koha që të studiohen më thellë e pa paragjykime disa faktorë opsional që e shtynë këtë kontigjent drejt emigrimit.

Disa pyetje që kërkojnë përgjigje

Ato natyrisht janë opsionale dhe parciale pa mundur dot të rrokin të gjithë spektrin e problematikës.

– Përse ndërkohë që thuajse të gjitha infermieret tona janë tashmë me arsim të lartë dhe disa edhe me tituj shkencor thuajse asgjë nuk ka ndryshuar apo zgjeruar në profilin e detyrave dhe kompetencave që ato kryenin përpara arsimimit? Ato përgjithësisht vazhdojnë të kryejnë po ato që kanë patur. Përse u vlen atyre diploma që morën me aq mundim?

-Përse thuajse asnjë( apo shumë shumë rrallë) ndonjë prej tyre është promovuar në poste administrativë të larta të strukturave shëndetësore, ndërkohë që emërimet në poste të tilla kanë qenë kryesisht partiake apo pa ndonjë eksperiencë mjekësore? A nuk mund ta bënte një infermiere me arsim të lartë, me gjuhë të huaja, me master të mbrojtur dhe me eksperiencë të suksesshme profesionale ta kryej më mirë detyrën e drejtuesit të një spitali p.sh rajonal?

-Përse infermieria nuk konsiderohet ende si profesion specifik autonom dhe jo domosdo kontigjent i, apo ndihmës i varur nga mjekët duke shërbyer në një numër të madh me detyra shkresore burokratike si sekretare të mjekëve të familjes? A nuk mund ta bëj këtë detyrë monotone jo profesionale në vend të tyre ndonjë person tjetër çfarëdo pa arsim mjekësor? A nuk humbim kështu pa i shfrytëzuar disa potenciale njerëzore profesionale që ato kanë fituar dhe mbartin?

-Përse ndërkohë që kemi me shumicë infermierë ende nuk kemi një “infemieristikë” në kuptimin profesional të pavarur, ku të ofrohen me ekskluzivitet nga vetë ato shërbimet specifike në kompetencë të provuar të tyre? A mund të shërbente kjo për t’u krijuar atyre ndjenjën e autorësisë dhe të kënaqësisë profesionale çka mund t’i mbante më fortë të lidhura me vendin tonë?

-Përveç Urdhrit tonë të Infermierëve që u ka dhënë disa infermierëve të shquar ndonjë certifikatë mirënjohje për punën e mirë pas viteve 1990 përse asnjë infermieri si individ dhe as si ekip i nuk u është akorduar dekorim as dhe një medalje për punën e kryer me aq devocion dhe sakrifica? Lavdet për meritat përkushtimin dhe heroizmin që po shprehen tani që ato po përballen me vetëmohim të pashoq në luftën me koronavirusin a thua nuk i kanë patur edhe më parë apo nuk kemi dashur t’i vëmë re?

-Përse edhe propozimi i bërë më pas nga Urdhri infermieror për dekorimin e 12 infermierëve më të dalluar të seleksionuar nga i gjithë vendi dështoi në heshtje, nuk u mor parasysh pa asnjë argument?

-Përse me infermierët dhe me Urdhërin profesional apo përfaqësues të tjerë të tyre nuk është diskutuar në mënyrë të hapur pa paragjykime me mirëkuptimin mes palëve paga e përligjur dhe ajo e pretenduar për punën që ata kryejnë në kuptimin e meritave, stresit, vështirësive dhe rreziqeve që ata përjetojnë?

Ndjesë dhe urime

Mbase përgjigjet e sinqerta ndaj pyetjeve të mësipërme apo edhe të tjera të mundshme, do të ndihmonin të kuptojmë se diçka mund të bëhet më mirë në dobi të këtij kontingjenti jetësor të shëndetësisë. Dhe qe t’ju urojmë infermierëve tona të shkëlqyera në ditën kushtuar atyre sukses.

Check Also

Si e vrasim të vërtetën!

Nga Irena Beqiraj Jam rritur duke menduar se e vërteta me shumë gjasa del nga …

Sot bëhet një vit nga tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë ndër dekada

Ishte ora 03:56 mëngjesin e 26 nëntorit të kaluar, kur një lëkundje e fuqishme me …

Malltezi: Rama, Ahmetaj, Blushi, Koka e Zoto janë kapur duke vjedhur 430 milionë euro, s’e mbulojnë dot me mediat e blera

Anëtari i kryesisë së PD-së, Malltezi, ka denoncuar ato që i quan pseudomedia lidhur me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *