Mazhoranca drejt zgjedhjes së Presidentit që dëshiron

Kuvendi e quajti të hënën të ezauruar edhe raundin e tretë të votimit për president, ndonëse nuk u zhvillua proces votimi, pasi nuk kishte asnjë kandidaturë.

“Votimi i tretë konsiderohet i ezauruar,” u shpreh kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ndërsa shtoi se Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet për të caktuar datën e votimit të katërt për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Mazhoranca dhe opozita nuk bënë tentativa serioze për bisedime që do të çonin drejt zgjedhjes së një presidenti konsensual në tre raundet e para, të cilët imponojnë zgjedhjen me shumicë të cilësuar votash.

Pas djegies së tre raundeve të para i hapet rruga mazhorancës që të zgjedhë presidentin që ajo dëshiron në raundin e katërt, ku kërkohet një shumicë e thjeshtë prej 71 votash.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha pas seancës se partia e tij do të bënte më në fund një propozim konkret për president në raundin e kartërt dhe se do të synohej që ai të merrte edhe votat e opozitës.

“Ne nuk do ta lëmë vendin pa president, por duke ndjekur procesin e duke dialoguar me secilin që do të bashkëpunojnë,” tha Balla, duke shtuar se synimi është që “presidenti të jetë një autoritet moral dhe të mos jetë i PS-së, por i gjithë shqiptarëve”.

Balla akuzoi opozitën se nuk mori përgjegjësinë e saj për të marrë pjesë në proces me propozime konkrete.

Një pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike që u përfshi në bisedime nuk ishte e pranishme në seancën plenare të raundit të tretë.

Kryetari i grupit, Enkelejd Alibeaj e cilësoi raundin e tretë një shans të humbur për t’i dhënë shqiptarëve një institucion që do të kishte legjitimitetin e palëve. Më herët ai i kishte ofruar mazhorancës një propozim për negociata politike për të finalizuar me një emër që të ishte mbi palët.

“Dokumenti ynë nuk ishte për të ecur me axhendë individuale, por të përbashkët. Të ishte një proces në dritë të diellit, jo kulisave,” tha ai pas seancës. Alibeaj bëri të ditur se grupimi që ai drejton nuk do të bojkotojë raundin e katërt.

Sipas Kushtetutës kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Procesi i votimit është i fshehtë dhe në tre raundet e para president zgjidhet një kandidat që merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se dështon zgjedhja e presidentit dhe në raundin e fundit, Kuvendi shpërndahet dhe mbahen zgjedhje të reja parlamentare.

Check Also

Ilir Meta pagoi 700 mijë dollarë në një kompani offshore, për të lobuar për LSI-në

Pak ditë më parë gazeta austriake “Kronen Zeitung” publikoi një lajm për lobimin e Ilir …

Dy emrat e rinj për President: Një poet disident dhe një mjek-gjeneral!

Duket qartë se opozita nuk do të dërgojë një kandidat të sajin në raundin e …

Putin dhe Vuçiç pakt për gazin, Kurti i çon “selam” BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Vuçiçit dhe Putinit …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *