Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë në vitin 2015.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut pas kërkesës drejtuar këtij Këshilli nga dy intelektualë lokalë.
Burime nga Kukësi bëjnë me dije se vendimi është nxitur nga kryebashkiaku Safet Gjici.
Ky i fundit, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Qarkut tha se heqja e titullit është më së e arsyeshme për shkak të fushatës mediatike dhe politike që sipas tij Veton Surroi po bën kundra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Ai shkruan se vendimi është një lajthitje kolektive.
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë!
Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve. Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave!
Boll me këtë absurd!” shkruan Rama.
Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 (në foto) me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, vlerësoi Surroin me titullin “Nderi i Qarkut” me motivacionin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.