Ja kush fshihet pas kompanisë fantazmë që fitoi tenderin për “Duty Free” në Rinas

Tenderi për të përzgjedhur kompaninë që do të menaxhojë hapësirën tregtare të zonës jashtë doganore të Aeroportit të Rinasit ka futur në qorrsokak institucionet shqiptare prej më shumë se një viti dhe është gati të nxjerrë në dritë afera të shumta abuzive.

Më pak se një javë më parë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të Tiranës, pranoi kërkesën e kompanisë “Albania Duty Free Distribution”, për të shfuqizuar vendimin e Ministrisë së Financave që i ndaloi aktivitetin kompanisë në fjalë,  me pronare bashkëshorten e gjyqtarit, Gjin Gjoni, Elona Çaushi.

“Albania Duty Free Distribution” kishte humbur tenderin një vit më parë dhe i kishte mbaruar kontrata me TIA-n, që në datën 27 gusht, ndërkohë që përfaqësuesit e kompanisë pretendojnë se u është ndërprerë pa të drejtë kontrata. Sipas tyre, kontrata do të rinovohej automatikisht dhe ADFD nuk ishte lajmëruar paraprakisht nga TIA për anulimin e saj.

Ndërkohë tenderin e ri për kontrollin e dyqaneve pa taksa në Rinas në shkurt të 2019-ës, fillimisht rezultoi se e fitoi kompania e famshme polake “Baltona”. Por teksa një gjë e tillë u mësua në mënyrë jo zyrtare nga mediat në vend, në qershor të 2019-ës u mësua se fituese ishte shpallur kompania amerikane “International Cruise Duty Free” (ICDF).

Këtu qartazi, gjërat fillojnë të bëhen të dyshimta dhe manipulimet qartazi mbajnë firmën e ish-drejtorit të Tirana International Airport, Rolf Castro Vasquez. Ky është vetëm abuzimi i radhës i Castro-s (tashmë i larguar nga detyra), emri i së cilit është lakuar me dhjetra herë për skandalet e pafundme në aeroportin e Rinasit.

Një prej tyre është monopolizimi i bizneseve në aeroport. Ka qenë pikërisht Castro Vasquez ai që i ka përqëndruar pjesën më të madhe të këtyre bizneseve: dy bare, një restorant, një “Bussines Lounge” dhe tre dyqane në dorën e një gruaje të vetme: Aliona Zeqirit.

Dhe pikërisht këtu fillon skandali i vërtetë. Burime ekskluzive për “gazetareforma.com”, bëjnë me dije se Aliona Zeqiri është dhe emri që fshihet pas kompanisë ICDF, e cila nuk ka kurrëfarë eksperience në fushën e Duty Free në aeroporte, ndryshe nga shumë prej kompanive pjesëmarrëse në tender. Sakaq, në dokumente pronar i kompanisë ICDF rezulton shtetasi amerikan Lucio Souto me origjinë argjentinase, i cili mesa duket është thjesht një kukull për të mbuluar aferën e radhës në Rinas.

Gazeta Reforma

Check Also

Rama: OSBE, mision i suksesshëm, tani duam Këshillin e Sigurimit në OKB

Shqipëria e vlerëson të suksesshme Presidencën e OSBE-së, pavarësisht vështirësive që dolën përgjatë këtij viti …

18 të vdekur, 801 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët e fundit kanë ndërruar …

SPAK dërgon për gjykim çështjen ndaj ish-drejtorit të Tatimeve Korçë

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, njoftoi të premten se kishte dërguar për gjykim në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *