Qytetare duke blere sasi te medha ushqimesh ne marketet e Tiranes, pas lajmit qe dy persona jane prekur nga koronavirusi COVID-19 ne Shqiperi. Njerezit kane nxituar te blejne ushqimet baze dhe produktet e tjera kryesisht te paketuara. /r/n/r/nCitizens buy large quantities of food in the markets of Tirana, following news that two people have been affected by the coronavirus COVID-19 in Albania. People have been rushing to buy basic foods and other packaged products.

Dyndje më e madhe se për Vitin e Ri: frika nga Covid-19 zbraz raftet e dyqaneve

Dyqanet në Durrës dhe qytete të tjera të vendit, u përballën me një kërkesë të pazakontë për produktet bazë të shportës ushqimore të hënën, pasi Ministria e Shëndetësisë konfirmoi zbulimin e dy rasteve të parë të infektimit me sëmundjen Covid – 19.

“Sot në orën 9 të mëngjesit ishim në punë dhe morëm vesh për rastet e zbuluara në Shqipëri me virus”, tha Afërdita, nënë e 4 fëmijëve, teksa priste bashkëshortin në rrugën ‘Kristaq Rama’ në Durrës. “Ajo mos raftë [koronavirusi] se po ra të shuan,” shtoi 40-vjeçarja, duke e krahasuar virusin me tërmetin e 26 nëntorit, ndërsa i shoqi u duk me dy qese të mëdha me ushqime. Për çiftin durrsak ky nuk ishte pazari i zakonshëm i të hënës.

Mbrëmjen e së dielës Ministria e Shëndetësisë njoftoi zbulimin e dy rasteve të para të regjistruara me koronavirus në Shqipëri.

“Konfirmohen dy raste të importuara me COVID-19 në Shqipëri,” njoftoi Ministria e Shëndetësisë në faqen e saj në Facebook.

“Gjendja e dy të prekurve, babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione”, shtoi njoftimi, duke ekspozuar kështu “pacientin 0” që ka importuar virusin nga shteti fqinj.

Që nga dita e dielë numri i pacientëve të prekur me Covid-19 është rritur në 10 persona, ndërkohë qeveria ka mbyllur shkollat, çerdhet dhe kopshtet për dy javë dhe ka mbyllur kufijtë ajrorë dhe detarë me Italinë.

Këshilli i Ministrave vendosi të hënën që Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Plepa të Durrësit ta kthejë në karantinë për trajtimin e personave të prekur nga virusi, në rast të zgjerimit të numrit të të prekurve. Aktualisht Spitali Infektiv pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përshtatur si karantinë me 76 shtretër për trajtimin e të prekurve nga koronavirusi.

Një ngarkesë të shtuar pohuan edhe autoritet shëndetësore në Durrës, pasi një numër të lartë personash paraqiten në spital edhe për një temperaturë të thjeshtë, me ankthin mos është një nga simptomat e virusit vdekjeprurës.

Koronaviruset janë një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda.  Ato janë të përhapur në shumë lloje të  kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre.

Koronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin 1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm, ndërsa dy prej tyre kanë patogjenitet të lartë – SARS – CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme.

Ndërkohë, Koronavirusi i ri COVID- 19 e ka burimin nga qytetit Wuhan, provinca Hubei, në Kinë, ku u zbulua në dhjetor 2019. Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19  mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i të infektuarve në të gjithë botën deri pasditen e së hënës arriti në 110 mijë, me rreth 4 mijë raste të reja të shënuara në 24 orët e fundit, ndërkohë që raportohen 3809 viktima për shkak të kësaj sëmundje.

Qytetarë duke blerë ushqime dhe detergjentë në një supermarket në Durrës. Foto Geri Emiri

Italia fqinje rezulton si vendi më i prekur në Europë, duke shënuar 366 të vdekur nga virusi dhe 7375 persona të prekur. Qeveria italiane e ka shpallur të gjithë vendin zonë të kuqe, duke i kërkuar qytetarëve të izolohen në shtëpi.

Ndërkohë në Shqipëri ku numri i të prekurve është shumë më i ulët, qytetarët po përgatiten gjithashtu për mundësinë e izolimit duke blerë ushqime dhe ilaçe. Në rrugën Hafiz Ali Podgorica në Durrës, ku kanë adresën dhe tre nga supermarketet më të mëdha të qytetit bregdetar, të hënën trotuari  ishte bllokuar nga pirgu i kartonëve që kanë tejmbushur kazanët plehrave.

“As për Vitin e Ri nuk ka pasur dyndje sa kësaj radhe”, shpjegoi Marinela Hajmerraj, menaxhere e supermarketit ‘Diambe’. “Ka qenë dyndje jashtëzakonisht shumë e madhe. Ditët e tjera ka pasur lëvizje normale,” shtoi ajo.

Qytetarët kanë rendur kryesisht drejt produkteve bazë të shportës, të cilat rezistojnë edhe në kohë.

“Tek artikujt ushqimor më shumë kërkojnë miell, vaj, makarona, oriz, ushqimet kryesore,” shpjegoi Hajmerraj.

Ndërkohë në Tregun e Fruta-Perimeve fruti mbret është padyshim portokalli, por edhe limoni nuk mbetet pas. Sipas shitësve ka një kërkesë të shtuar për agrumin që përmban Vitaminë C dhe ndihmon për t’u mbrojtur nga virozat.

Shitësit treguan se një pjesë e mirë e portokalleve importohet nga Italia dhe Greqia dhe shtuan se të martën do të mësonin nëse nga grosistët do të ketë lëvizje të çmimit të frutave, kryesisht  të portokallëve dhe limonëve.

Kërkesa e rritur papritur për produkte ushqimore ka sjellë paqartësi edhe për kapacitetet e grosistëve për t’iu përgjigjur tregut.

“Nuk e di se si është gjendja e magazinës ushqimore sepse ka shumë kërkesë,’ tha Hajmerraj, duke shtuar se “sot kemi ndenjur me orar të zgjatur, të shohim nesër.”  “Më shumë kërkojnë dezinfektues për duart dhe letrat”, shtoi ajo.

Ngjashëm me supermarketet fluks të shtuar ka pasur edhe në farmaci. Të moshuarit janë evidentuar si popullata më e rrezikuar nga virusi, për shkak të sëmundjeve kronike që bartin dhe lehtësisë së depërtimit nga virusi në sistemin e dobët imunitar.

Qytetare duke ecur maska mbrojtëse në fytyrë, për shkak të frikës ndaj koronavirusit COVID-19, pranë Shërbimit Infektiv në Qendren Spitalore Universitare Nënë Tereza, QSUT, i cili është kthyer në karantinë. | Foto : LSA

“Kryesisht kanë ardhur ata që kanë të moshuar dhe fëmijë në shtëpi”, tregoi farmacisti Raimond Bineri, duke rikujtuar klientët e ditës së hënë. “Marrin nga 2-3 shurupë kundër gripit, për ulje të temperaturës, që t’i kenë në shtëpi në rast izolimi dhe përhapjes së sëmundjes”, shtoi ai.

Maskat janë një tjetër produkt i kërkuar. Në mesin e muajit shkurt çmimi i tyre “lajthiti”, duke u disafishuar aq sa Prokuroria e Tiranës nisi hetimet kryesisht për abuzimet me çmimet.

“Një maskë e thjeshtë që kushtonte 20 lekë sot shkon 100 lekë,” tha Bineri. “Nuk i marr fare, se na nxihet fytyra me klientët se i njohim shumicën dhe nuk mundemi të durojmë reagimin e tyre kur mësojnë çmimin, se nuk të vijnë më”, përfundoi farmacisti, i cili prej 17 vitesh e ushtron profesionin e tij pranë Pallatit të Sportit në Durrës.

Check Also

COVID, Italia, Macron, marrëdhënia me pushtetin, Rama rrëfehet për Forbes

Kryeministri Edi Rama deklaron se Shqipëria është një nga vendet më pak të prekura nga …

12 të vdekur, 832 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 12 pacientë të prekur nga Covid-19, 5 …

Akuzat e rënda për shantazh dhe korrupsion ndaj kreut të AKSHE. Një histori që ka përfshirë 4 ministra e ish-ministra

Kur dëgjon për herë të parë që në një kodër të thellë të Vorës, dikur …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *