Çështja “Çili”, PD-ja i vë “gjobë” Sokol Sadushit

Partia Demokratike akuzon kandidatin për Gjykatën e Lartë, Sokol Sadushin se është “funksionari i lartë i drejtësisë” që është takuar me botuesin Henri Çili dhe i ka premtuar atij ndërhyrje për kërkesat e dy të dënuarve për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha.

PD thotë se Ardian Dvorani reagoi publikisht duke mohuar të jetë ai personi që është takuar me Çilin, dhe një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe Sokol Sadushi.

Sipas PD-së, emërimi i Sokol Sadushit në krye të Gjykatës së Lartë pritet të ndodhë në mars, “kohë në të cilën, sipas prokurorisë, drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë do të kryente takimin e rradhës për favorin e paligjshëm”.

Reagimi i plotë i PD:

Ardian Dvorani deklaroi një ditë më parë se nuk është ai personi që prokuroria e identifikon në dosjen penale si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë, që ka premtuar favore të paligjshme për një dosje në Gjykatën e Lartë.

Në mungesë të zbulimit të emrit nga policia dhe prokuroria, që vazhdojnë të punojnë me dy standarde, Sokol Sadushi duhet t’i japë fund heshtjes dhe të japë shpjegime publike për pozicionin e tij.

Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë. Si kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i tij pritet të ndodhë në mars, kohë në të cilën, sipas prokurorisë, drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë do të kryente takimin e rradhës për favorin e paligjshëm.

Është koha që Sokol Sadushi të flasë! Heshtja nuk e ndihmon dot gjatë!

Ndërkohë, ndonëse nuk e përmend emri e Henri Çilit, Partia Demokratike publikon një fragment, që duket se i përket dosjes së Prokurorisë, ku shpjegohet takimi i tij me drejtuesin e lartë të organit të drejtësisë për ndikimin e paligjshëm.

Sadushi: Nëse takimi me funksionarin e drejtësisë ekziston, prokuroria të nxjerrë emrin

Kreu i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, hedhur poshtë mundësinë që të jetë ai zyrtari i lartë i drejtësisë që është takuar me pronarin e UET-së, Henri Çili, për të ndikuar në dosjet e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm. Kandidati për gjyqtar i Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë, ku këto çështje janë në rekurs dhe presin gjykim, shprehet se prokuroria duhet të bëjë publik emrin e funksionarit dhe detajet e këtij takimit në fjalë.

Deklaroj me përgjegjësinë time të plotë se, me Z. Henri Çili prej shumë kohësh nuk kam pasur asnjë komunikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në ambiente publike apo private, për asnjë çështje, përfshirë ato që implikojnë personalitetin tim dhe, për më tepër, që lidhen me çështje gjyqësore penale. Çdo deklarim i bërë ndaj personit tim mbi këtë ngjarje nuk përputhet me të vërtetën, sikurse jam i bindur se do të rezultojë në përfundim të procesit penal. Në rrethana të tilla, kur çështja dukshëm është me interes publik, sugjeroj se nëse është i vërtetë fakti mbi takimin e realizuar me “një funksionar të lartë të drejtësisë“, do të ishte me vend që organi i prokurorisë të sqarojë opinionin publik mbi detajet e këtij takimi. Informimi i opinionit publik i shërben, gjithashtu, ruajtjes dhe forcimit të autoritetit të pushtetit gjyqësor dhe forcon klimën e besimit në organet që ushtrojnë ndjekjen penale”, thotë Sadushi.

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *