“Censi 2020” në Shqipëri, grekët shtojnë presionin në Bruksel

Eurodeputetët grekë kanë shtuar dozat e presionit ndaj Komisionit Europian, prej të cilit kërkojnë që të përdorë ndikimin që ka që Shqipëria të heqë nga projektligji për regjistrimin e popullsisë parashikimet për gjobitjen e të gjithë atyre qytetarëve që gënjejnë në vetëdeklarimin e kombësisë.

Media mëson se dy deputetët e Parlamentit Europian, Emmanouil Fragkos dhe Manolis Kefalogiannis i kërkojnë Komisionit masat që po merr si financuesi kryesor i realizimit të censit në Shqipëri, për t’u siguruar, që sipas tyre, ky cens të zhvillohet në përputhje të plotë me rekomandimet e Këshillit të Europës.

“Është e ditur që autoritetet shqiptare po përpiqen që të ulin numrin e minoriteti grek, që sipas tyre është vetëm 58 mijë. Në të vëretë, autoritetet shqiptare po mundohen që të kufizojnë minoritetin grek vetëm në jug të Shqipërisë, duke përjashtuar zona të tjera si Korça dhe Himara, ku ka një numër domethënës grekësh etnike”, thotë eurodeputeti Fragkos në letrën dërguar KE-së.

Eurodeputeti që ka dalë nga partia “Zgjidhja greke”, një forcë ultranacionaliste e ekstremit të djathtë pretendon se numri i grekëve etnikë në Shqipëri është mbi 300 mijë dhe i kërkon Komisionit Eurpian që të ndërhyjë për të mbrojtur të drejtën e vetëvendosjes mbi kombësinë, që është e sanksionuar edhe në deklaratën e të drejtave të njeriut.

Manolis Kefalogiannis, eurodeputeti tjetër që ka dalë nga radhët e partisë Demokracia e Re, që sot është në pushtet thotë se Greqia mbështet anëtarësimin vendeve të Ballkanit Perëndimor, përsa kohë ato plotësojnë kushtet e nevojshme.

Mes këtyre kushteve ai rendit edhe respektimin e të drejtave të minoritetit grek dhe qorton procesin e regjistrimit të kryer në 2011.

“Censusi i 2011 në Shqipëri u qortua nga të gjitha minoritetet dhe nga Këshilli i Europës për parregullsi serioze. Një census i ri do të organizohet këtë vit në Shqipëri. Qasja që do të bëhet për cështje si kombësia, gjuha mëmë dhe besimi fetar mbetet për t’u ndjekur me interes të madh”, thotë ai.

Dy eurodeputetët e pyesin Komisionin Europian mbi mekanizmat që do të përdorë për të detyruar, sipas tyre, Shqipërinë që të respektojë rekomandimet e Këshillit të Europës dhe të kryejë një proces regjistrimi popullsie të ndershëm dhe të paanshëm.

Komisioni i ka kthyer përgjigje përmes Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi. Komisioneri thotë se KE po monitoron nga afër të gjithë procesin e hartimit të ligjit për censin 2020.

“Komisioni pret nga Shqipëria që të kryejë një census në përputhje me standardet ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare janë këshilluar që në veçanti të sigurojnë që të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës të merren parasysh në ligjin për censin”, thotë Komisioni.

Mes rekomandimeve që ka dhënë për Shqipërinë, Këshilli i Europës pesë i ka vlerësuar si emergjente. Nga këto pesë, rekomandimi numër dy lidhet drejtpërdrejtë me shqetësimin e eurodeputetëve grekë.

“Të respektohet parimi i vetëidentifikimit, ndalimi i varësisë ekskluzive tek të dhënat e arkivës dhe të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile si provë për të verifikuar vërtetësinë e vetëdeklarimit të qytetarëve që u përkasin minoriteteve, tërheqja nga legjislacioni e sanksioneve për përgjigjet e gabuara për pyetjen mbi kombësinë, si dhe lejimi i qytetarëve që të vetëidentifikohen të lirë”, thuhet në këtë rekomandim.

Neni i gjobitjes me 100 mijë lek për deklarim të rremë u prezantua në ligjin e censusit në vitin 2011, si mekanizëm për të parandaluar qytetarët me kombësi shqiptare që të vetëdeklaroheshin grekë në këmbim të një pensioni dhe të favoreve të tjera financiare dhe ekonomike që vinin nga Athina. Formularët e vetëdeklarimit krahasoheshin me të dhënat në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe nëse gjehej mospërputhje, qytetari që kishte gënjyer në formularin e regjistrimit gjobitej.

I njëjti mekanizëm është ruajtur edhe në projektligjin për censusin 2020, që ndodhet në kalendarin e Kuvendit. Neni 22 pika a) e projektligjit thotë se “refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar…ose dhënia e informacionit të rremë dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lek.

Check Also

Si e vrasim të vërtetën!

Nga Irena Beqiraj Jam rritur duke menduar se e vërteta me shumë gjasa del nga …

Sot bëhet një vit nga tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë ndër dekada

Ishte ora 03:56 mëngjesin e 26 nëntorit të kaluar, kur një lëkundje e fuqishme me …

Malltezi: Rama, Ahmetaj, Blushi, Koka e Zoto janë kapur duke vjedhur 430 milionë euro, s’e mbulojnë dot me mediat e blera

Anëtari i kryesisë së PD-së, Malltezi, ka denoncuar ato që i quan pseudomedia lidhur me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *