Bizneset e vogla dynden për “pagën e luftës”, por shumica kthehen duarbosh

Luani, pronari rreth të 50-ave i një dyqani kinkalerie pranë shkollës “Qamil Guranjaku” në Elbasan e mbylli biznesin e tij që në ditët e para të karantinës dhe bashkë me familjen, qëndroi në pritje të ndihmës qeveritare, që kryeministri Edi Rama e ka quajtur “pagë lufte”.

Por ndonëse biznesi i tij i vogël i përmbush të gjitha përkufizimet, Luani e gjeti veten në listën e të refuzuarve.

“E mbyllëm si të gjithë, pasi kishim frikë. Por edhe po ta kishim hapur, kujt i shkon mendja tek mallrat tona. Ne dëgjuam kryeministrin. Jemi nën 14 milionë lekë (xhiro vjetore) dhe jemi biznes i vogël familjar. Duhet të përfitonim, por jemi refuzuar,” thotë ai i zemëruar.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama tha se deri më 9 prill kishin përfituar mbi 49 mijë biznese dhe 86 mijë punonjës. Ndërsa vazhdoi të grindej me komentues që kërkonin ndihmë, ai premtoi zgjerimin e listës së bizneseve që do të përfitonin, por pa dhënë detaje.

Opozita akuzoi qeverinë të enjten se po i diskriminonte bizneset duke i skualifikuar padrejtësisht. Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se vonimi në nxjerrje të VKM-së ka lënë pa mbuluar një pjesë të bizneseve që mbyllën punën dhe ndërprenë kontratat e punësimit.

Refuzimet e shumta dhe sinjalet konfuze nga qeveria mbajnë në pasiguri me qindra biznese të vogla dhe punonjësit e tyre të papaguar.

Eksperti kontabël Mikel Alla është angazhuar prej ditësh në bërjen e aplikimeve për bizneset e vogla që operojnë në qytetin e Elbasanit. Ai i tha BIRN se sipas aktit normativ të qeverisë, vetëm 20-30% e bizneseve me qarkullim deri në 14 milionë lekë në vit përfitojnë nga ndihma e qeverisë, pasi pjesës tjetër i është lejuar në teori të zhvillojë aktivitet edhe në kushtet e shtetrrethimit.

“Po cila nga këto biznese ka punuar në këto kushte? Veç tregtisë së barnave dhe mallrave ushqimore, shumë aktivitete të cilat lejohen, por që varen nga aktivitete të tjera (të mbyllura) apo qoftë për shkak të detyrimit të qytetarëve për të mos dalë realisht kanë stopuar,” tha Alla për BIRN.

Sipas Allës, mbi 30 për qind e atyre që kishte ndihmuar të aplikonin ishin refuzuar, ndërkohë që një pjesë e bizneseve po bënin ankim në një situatë të paqartë.

Dyndje në banka

Radhë në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Foto: LSA

Bashkia e Elbasanit numëron 15 persona të infektuar me COVID-19 që prej shpërthimit të epidemisë në Shqipëri. Por kriza ka përfshirë pothuajse gjithë qytetin e Shqipërisë së Mesme, ku operojnë rreth 6 mijë biznese të vogla.

Pjesa dërrmuese e tyre e kanë mbyllur plotësisht aktivitetin prej një muaji –që kur qeveria vendosi regjimin e ndalim-qarkullimit si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Procedurat për të përfituar “pagën e luftës” kanë sjellë probleme shtesë në qytet.

Numri i madh i bizneseve që duan të përfitojnë nga ndihma e qeverisë krijuan radhë shqetësuese në bankat e nivelit të dytë në qytetin e Elbasanit, ku duhej të hapnin llogaritë bankare. Në pritje të radhës qysh në orët e para të mëngjesit, qytetarët kanë pasur mungesë të maskave dhe distancimi i këshilluar fizik ka qenë thuajse i pamundur për t’u respektuar.

Përfituesit më të shumtë të pagës së luftës janë baret e restorantet si dhe parukeritë nën kufirin 14 milionë lekë.

Ndër ta, Daniela, e cila zotëron një dyqan të vogël parukerie në lagjen 5 Maji po pret prej ditësh të regjistrohet në bankë për të marrë pagesën. Ajo i tha BIRN se ndihma, edhe pse e pamjaftueshme, është e domosdoshme për mbijetesën e familjes së saj.

“Orari i shkurtër nuk na lejon që të rrimë dhe të presim që radha të mbarojë e pastaj të vijmë. Kemi fëmijët pa ushqim, pasi ne mbahemi me lekët që krijon biznesi,” thotë gruaja.

Ajo thotë se përveç ushqimeve, i duhet të paguajë qiranë, faturat e ujit dhe të dritave.

“Prandaj na duhen këto lekë sa më shpejt dhe nuk presim dot”, thotë gruaja.

Bashkëshortët Moli kanë një biznes të vogël veshjesh, i mbyllur edhe ai prej një muaji, ndërsa gjenden në radhë për të përfituar ndihmën e premtuar nga qeveria.

“Frikë kemi shumë, por edhe paratë na duhen. S’kemi ç’bëjmë, do rrezikojmë,” thotë gruaja, ndërsa qëndron përpara bankës.

“Kemi ardhur të hapim llogari në bankë. Nuk e dimë nëse do e marrim pagesën. Kemi shpresë se po. Ne paguajmë dhe qira për dyqanin. Deri tani nuk dimë se si do bëjmë me pagesën e qirasë. Jemi në dilemë, por dihet që paga që na jep qeveria për një familje normale me shpenzimet e kësaj periudhe janë të pamjaftueshme, por janë diçka. Shpresojmë ta marrim një herë pastaj shohim,” thonë burrë e grua duke plotësuar njëri-tjetrin.

Eksperti kontabël, Mikel Alla thotë se të gjitha bizneset po vrapojnë të hapin llogari bankare, pavarësisht listës së përfituesve –një situatë që sipas tij mund të shmangej me një organizim më të mirë.

“Do të duhej që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të përgatiste vetë listën e bizneseve përfituese dhe pagën ta niste përmes shërbimit postar,” sugjeroi Alla. “Subjektet që mendojnë se janë penalizuar, mund të kishin të drejtën e ankimimit për mospërfshirje dhe kjo evitonte këtë situatë që po hasim tani,” përfundoi ai./Birn

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *