Presidenti Aleksandër Vuçic ka rikthyer sot në tryezë shkëmbimin e territoreve duke deklaruar se e cilëson si zgjidhjen më të mirë për konfliket mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai akuzoi Kosovën se nuk është e gatshme për zgjidhje kompromisi me Serbinë dhe se konflikti i ngrirë midis dy vendeve vazhdon.
Duke folur për një televizion lokal serb, Vuçiq tha se ideja e përkufizimit të kufijve, e përfolur edhe më herët, paraqet një zgjidhje, me të cilën Serbia do të ishte “po aq e kënaqur dhe po aq e pakënaqur sa edhe shqiptarët”.
Ideja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, që Vuçiq e ka cilësuar si “përkufizim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, është bërë publike për herë të parë në verë të vitit 2018.
Ajo ka nxitur reagime të shumta si në Kosovë dhe në Serbi, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar.
Autoritetet në Kosovë e kanë hedhur poshtë një ide të tillë, duke thënë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Ai ka paralajmëruar po ashtu Kosovën të mos anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare duke thënë se do ta presin surpriza të pakëndshme.
“Nëse Kosova përpiqet të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, do të marre befasi të shumta. Unë nuk jam vetëm duke iu drejtuar Kosovës, por edhe mentorëve të saj”, tha ai.