Trump emëron Richard Grenell si kreun e Inteligjencës Kombëtare

Zyrtarë serbë dhe kosovarë kanë uruar Richard Grenell – i cili shërbeu si i dërguari i SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë – për emërimin e tij të ri si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, ku ai do të mbikëqyrë punën e rreth 17 agjencive.

Presidenti Donald Trump e emëroi Grenellin në rolin e tij në Ballkan vjeshtën e kaluar dhe që atëherë ai ka luajtur një rol kyçnë mbikëqyrjen e rifillimit të lidhjeve të transportit midis Serbisë dhe Kosovës.

Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Djuriç, tha se Grenell po bënte një lëvizje të rëndësishme në karrierën e tij. “Ky emërim është një hap i rëndësishëm në karrierën e frytshme të ambasadorit dhe e riafirmon atë si një patriot të vendit të tij dhe një profesionist. Të uroj fat!” shkroi Djuriç në Twitter.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu e quajti vendimin e Trump një “zgjedhje të shkëlqyer”.

“Një zgjedhje e shkëlqyer nga Donald Trump për të emëruar Richard Grenell si drejtorin në detyrë të Inteligjencës Kombëtare. Ambasadori Grenell ka bërë një punë të shkëlqyer si i dërguari special për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Rick, të uroj shumë suksese në misionin tënd të ri për të mbajtur më të sigurt SHBA-në dhe botën”, shkroi Thaçi në Twitter.

Presidenti Trump e njoftoi vendimin e tij të enjten. “Jam i lumtur të njoftoj se ambasadori ynë i respektuar në Gjermani, @RichardGrenell, do të bëhet drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare. Rick e ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të”, shkroi Trump në Twitter.

Trump e emëroi Grenell, njëherësh ambasadorin amerikan në Gjermani, si të dërguarin e tij në dialogun e bllokuar Beograd-Prishtinë në fillim të tetorit 2019. Që atëherë, ai është përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike midis dy vendeve.

“Ne kemi nënshkruar 3 marrëveshje ekonomike në 4 muaj. Një për linjën ajrore, një për linjë hekurudhore dhe një për autostradë”, shkroi Grenell në Tëitter pasi zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një marrëveshje për të rifilluar shërbimet hekurudhore midis dy vendeve në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të mbajtur më 14 shkurt.

Trump vlerësoi punën e tij në sigurimin e një marrëveshje për të rivendosur fluturimet tregtare midis Beogradit dhe Prishtinës.

Në pesë muajt e tij në këtë post, Grenell ishte aktiv në terren, duke vizituar si Beogradin ashtu edhe Prishtinën dhe duke i nxitur të dy palët të ndryshojnë kursin. Ai e këshilloi Beogradin të ndërpresë fushatën e tij për të bindur vendet që të tërheqin njohjen e Kosovës dhe Prishtinën të revokojë taksat që ajo ka vendosur për mallrat nga Serbia.

“Ne kemi ardhur për t’ju lidhur. Nuk kam ndonjë axhendë apo ide. Nuk do t’ju bëj presion. Dua t’ju lidh, në mënyrë që ekonomitë tuaja të rriten, të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë, të qëndroni këtu dhe të keni shpresë. Përpiqem të përqendrohem në krijimin e një dinamizmi në ekonomi dhe dua t’jua lë juve në dorë politikën”, tha Grenell në Beograd pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në janar.

Emërimi i Grenellit nga ana e Trump ishte i papritur, pasi në gusht 2019 Departamenti i Shtetit kishte njoftuar tashmë emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësuesin Special të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Check Also

Brukseli paralajmëron Francën për “lirinë e mediave”

Gazetarët francezë dhe organizatat për lirinë e mediave janë duke e kundërshtuar një projektligj të …

Punonjësit me Covid-19/ Plas kaosi në aeroportin e Shanghai-t

Aeroporti më i madh ndërkombëtar i Shanghait u përfshi nga kaosi kur autoritetet urdhëruan një …

Bill Gates parashikon se kur do të përballemi me pandeminë e radhës

Bill Gates, bashkëthemeluesi i Microsoft, ka parashikuar se njerëzimi do të përballet sërish me një …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *