Raporti: Pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve i vështirë, por i domosdoshëm

Një raport i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, vë në pah që 79 për qind e shqiptarëve të anketuar besojnë deri diku se pajtimi ndëretnik është i mundshëm, ndërsa vetëm 47 për qind e serbëve e besojnë një gjë të tillë.

Sipas anketimit të kryer përgjatë vitit 2019, mbi 60 për qind e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë thonë se marrëdhëniet në mes të dy komuniteteve vazhdojnë të jenë të tensionuara edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës, ndërsa pajtimin e shohin si diçka të domosdoshme rreth 88 për qind prej tyre, me të vetmin përjashtim në Mitrovicën e Veriut ku 60 për qind e banorëve nuk e shohin pajtimin si të nevojshëm.

Sipas rezultateve nga anketa me titull “Pajtimi dhe bashkëjetesa në Kosovë, perceptimet e komuniteteve etnike”, 41 për qind e serbëve besojnë se arsyeja kryesore e tensioneve është mungesa e përpjekjeve nga shqiptarët sa i përket integrimit të tyre në shoqërinë e Kosovës, ndërsa vetëm 3 për qind e shqiptarëve e besojnë të njëjtën. Shqiptarët kanë më shumë gjasa të flasin për ndikimin e Beogradit, rreth 30 për qind, qëndrimin e liderëve serbë rreth 24 për qind ose mosgatishmërinë e vet serbëve për t’u integruar rreth 26 për qind, si shkaqet kryesore të marrëdhënieve të tensionuara ndëretnike.

Përfaqësuesja e përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Maria Suoko, tha se kërkohet komunikim më i madh në mes të dy komuniteteve për ta kuptuar dhe pranuar njëri tjetrin.

“Një pengesë të cilën ne duhet të ndihmojmë që të tejkalohet është pengesa e gjuhës. Të rinjtë në Kosovë nuk e flasin gjuhën e njëri tjetrit, dhe derisa gjuha angleze përdoret si gjuhë e përbashkët, mos komunikimi në gjuhën e njëri tjetrit është një pengesë”, tha ajo.

Sipas të gjeturave të këtij raporti vetëm 5.2 për qind e shqiptarëve dhe vetëm 1.4 për qind e serbëve të Kosovës vlerësojnë se marrëdhëniet në mes të të dyja palëve nuk janë aspak të tensionuara. Ndërsa rreth 70 për qind e tyre e shohin si të rëndësishëm përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në procesin e pajtimit në mes tyre.

Christina Davis, nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtarë e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, e vlerësoi si shqetësuese nevojën për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar.

“Derisa ndihma ndërkombëtare mund të ndihmojë në krijimin e mundësive për komunikim ndëretnik, më duket mjaft shqetësuese që 78 për qind e të anketuarve e shohin ende përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar si shumë të rëndësishme. Kjo mund të tregojë se Kosova është ende shumë e varur nga komuniteti ndërkombëtar për të arritur pajtimin. Pajtimi fillon me individët”, tha ajo.

Të dhënat e këtij raporti tregojnë se derisa 79 për qind e shqiptarëve deri diku besojnë se pajtimi është i mundshëm, vetëm 47 për qind e serbëve e besojnë të njëjtën. Ndërkaq më shumë se 50 për qind e shqiptarëve besojnë se pajtimi nënkupton edhe kërkim faljen, derisa vetëm 14 për qind e serbëve pajtohen me një gjë të tillë.

Check Also

Presidenti ukrainas, thirrje për masa më të ashpra ndaj Moskës

Raketat goditën kryeqytetin Kiev të premten ndërsa forcat ruse vazhduan të avancojnë. Ndërkohë autoritetet ukrainase …

Serbia nuk u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë – mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten mbrëma se Serbia nuk do t’u bashkohet …

Stoltenberg: Rusia i ka dhënë fund paqes në Europë, synimet e Kremlinit nuk mbarojnë me Ukrainën

Sekretari i përgjithshëm i NATO Jens Stoltenberg, pas samitit të Aleancës doli në një konferencë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *