Përveç COVID-19, Kosova përballet edhe me një krizë kushtetuese

Zgjedhje të reja apo qeveri të re? Kjo është zgjedhja me të cilën përballet shteti më i ri i Europës. Kosova rrezikon të përballet gjithashtu me atë që premton të jetë kriza më e madhe e kujdesit shëndetësor dhe ekonomike.

Një javë pasi qeveria e Albin Kurtit u rrëzua me një votim mosbesimi të kërkuar nga partneri i saj i vogël në koalicion, liderët politikë janë të ndarë në mendime përsa i takon faktit nëse Kushtetuta kërkon apo jo mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kurti dëshiron zgjedhje të parakohshme, duke pretenduar një fitore tjetër për partinë e tij Vetëvendosje pasi ajo doli fituese në votimet e fundit në tetor të vitit të kaluar.

Megjithatë, presidenti Hashim Thaçi ka bërë thirrje për një qeveri “uniteti” për t’u përballur me pandeminë COVID-19, me gjasa duke synuar një rikthim në pushtet të Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, të cilën ai e drejtoi deri kur mori postin e presidentit katër vjet më parë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, megjithatë dëshiron që Thaçi t’ia japë asaj mandantin që të përpiqet të formojë aleancën e vet qeverisëse.

Në diskutim, thonë ekspertët ligjorë, janë interpretime të ndryshme të Kushtetutës së Kosovës.

Por prapaskena është një stuhi e përsosur presionesh të brendshme dhe të jashtme, me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara që nuk flasin më me një zë për Kosovën dhe kërcënimin e afërt të aktakuzave për krime lufte që rrezikojnë të prekin një numër të madh figurash politike të profilit të lartë.

Presidenti pretendon detyrimin “për të shmangur zgjedhjet”

Agim Veliu. Foto: Atdhe Mulla.

Qeveria e koalicionit e Kurtit ra më 25 mars, gjoja për shkak të shkarkimit nga ana e tij një javë më parë të ministrit të brendshëm Agim Veliu, anëtar i LDK-së, pas mosmarrëveshjeve për mënyrën se si të luftohej përhapja e koronavirusit COVID-19. Qeveria kishte vetëm 51 ditë në detyrë.

Thaçi hapi konsultime me drejtuesit e partisë të mërkurën, duke takuar Kurtin dhe liderin e PDK-së Kadri Veseli.

Pas takimit, Thaçi ishte enigmatik në lidhje me lëvizjen e tij të radhës.

“Baza ime do të jetë respektimi i plotë i votës së 6 tetorit duke marrë parasysh plotësisht mocionin e mosbesimit”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit, të fituara nga Vetëvendosja e Kurtit. “Veprimet e mia do të jenë transparente, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat e mëparshme.”

Në një intervistë televizive më vonë atë ditë, megjithatë, ai u tregua më i drejtpërdrejtë.

“Ka dy mundësi: njëra është mbajtja e zgjedhjeve të reja, tjetra është detyrimi që unë kam si president për të shmangur zgjedhjet në rrethanat e pandemisë dhe për të krijuar një qeveri të re,” tha ai për televizionit T7. “Partia me shumicë votash ka mundësinë e parë. Pas kësaj, shohim e bëjmë.”

Kurti ka mbetur i vetëm

Shanset e Kurtit për të siguruar një shumicë të re në parlament janë pothuajse të pakta. Megjithatë, çështja është nëse Kushtetuta lejon që Thaçi t’ia kalojë mandatin partisë që zuri vendine  dytë në zgjedhjet e vitit të kaluar – LDK-së së Isa Mustafës.

Kurti thotë se Kushtetuta është e qartë: Thaçi duhet të shpërndajë parlamentin dhe të caktojë zgjedhje të reja pasi të ketë kaluar pandemia.

“Kushtetuta e Kosovës thotë se pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi, duhet të mbahen zgjedhje të reja”, tha ai pas takimit me Thaçin të mërkurën.

“Ne jemi të bindur që Kushtetuta, në kontekstin aktual politik, nuk krijon asnjë mundësi për një qeveri të re, por vetëm për zgjedhje të reja.”

Kurti vuri në dukje se zgjedhje kishte pasur edhe pas mocioneve të suksesshme mosbesimi në vitin 2010 dhe 2018.

“Presidenti nuk duhet të merret me emrat e njerëzve ose partitë politike. Ai duhet të merret me datën e zgjedhjeve. ”

Por Kurti duket i vetëm në këtë.

Thaçi, Mustafa dhe Veseli të gjithë kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjejedhe të reja, duke argumentuar se Kosova nuk mund të lejojë të humbasë kohë në një moment krize kombëtare, me numrin e rasteve të konfirmuara të COVID-19 që vazhdojnë të shtohen dhe që kërcënon të mbingarkojë një shëndet publik ku kanë munguar gjithmonë investimet.

“Nuk e dimë se kur do të kalojë kjo pandemi”, tha Veseli të mërkurën.

“Vullneti i votuesve është gjëja më e rëndësishme, por të flasësh për zgjedhje në këto rrethana është hipokrizi, pasi ne nuk mund t’i vendosim njerëzit në rrezik dhe të kërkojmë mbajtjen e zgjedhjeve brenda 45 ditësh”, tha ai, duke iu referuar afatit të përcaktuar me Kushtetutë. PDK-ja e Veselit ishte në qeveri për 12 vjet para se Kurti të merrte pushtetin.

Megjithatë, Mustafa e ka përjashtuar mundësinë e një aleance me PDK-në, ka thënë se LDK-ja do të përpiqej të siguronte një shumicë votash me ndihmën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Nismës Socialdemokrate, NISMA, AKR-në e Behgjet Pacollit dhe ligjvënësit që përfaqësojnë pakicat etnike të Kosovës. Ai nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e afrimit të Vetëvendosjes në aleancë.

Thaçi ka të drejtë apo e ka gabim?

Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Foto: Wikimedia Commons.

Enver Hasani, një ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha se Thaçi kishte dalë jashtë mandatit të tij të kufizuar si president.

“Presidenti e ka gabim sepse diskursi që po mban ai po kultivon është përjashtues dhe paragjykues”, tha Hasani për televizionin KTV të mërkurën.

“Kryeministri Kurti dhe kreu i parlamentit Veseli kanë të drejtë të kenë mendimet e tyre, por presidenti nuk mund të sillet si ndonjë lloj kapadaiu”, tha ai. “Presidenti po largohet nga roli i tij. Ai nuk mund ta formësojë apo drejtojë vullnetin e tij politik.”

Por Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës në Prishtinë, tha se Thaçi ishte brenda të drejtave të tij për të mbajtur konsultime me drejtuesit e partive pas rënies së një qeverie.

“Mendoj se të gjitha opsionet janë të hapura për presidentin, duke përfshirë edhe mundësinë që Vetëvendosja të shohë nëse ata mund të krijojnë një qeveri me partnerë të tjerë të koalicionit, siç e ka parashikuar Kushtetuta”, tha Spahija për BIRN.

Por çështja është nëse Thaçi duhet t’i kufizojë konsultat e tij vetëm në Vetëvendosjen.

Duke pasur parasysh ato që thonë partitë e tjera, “çështja mund të duhet të çohet në Gjykatën Kushtetuese” tha Spahija për BIRN.

Check Also

Brukseli paralajmëron Francën për “lirinë e mediave”

Gazetarët francezë dhe organizatat për lirinë e mediave janë duke e kundërshtuar një projektligj të …

Punonjësit me Covid-19/ Plas kaosi në aeroportin e Shanghai-t

Aeroporti më i madh ndërkombëtar i Shanghait u përfshi nga kaosi kur autoritetet urdhëruan një …

Bill Gates parashikon se kur do të përballemi me pandeminë e radhës

Bill Gates, bashkëthemeluesi i Microsoft, ka parashikuar se njerëzimi do të përballet sërish me një …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *