Më shumë vende hyjnë në karantinë ndërsa përhapja e COVID-19 përshpejtohet

Udhëheqësit në Australi, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar i bënë thirrje qytetarëve të vet për qetësi ndërsa blerjet nën panik nëpër supërmarkete zbrazën rafte dhe në disa raste, u shoqëruan me grindje mes blerësve që luftuan për mallra të nevojës së përditshme si makarona, oriz apo letër higjenike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se numri i të infektuarve në të gjithë botën arriti në gati 143 mijë vetë ndërsa 9,769 raste u shënuan vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Gjatë ditës së djeshme, 438 vetë humbën jetën si pasojë e virusit duke e rritur numrin total të viktimave në 5,393 vetë. Sëmundja gjendet tashmë e përhapur në 135 vende dhe territore.

Spanja është bërë vendi i rradhës ku përhapja e virusit detyroi qeverinë të urdhërojë mbyllje të përgjithshme të popullsisë në shtëpi, një hap që u ndoq dje edhe nga Franca. Numri i infeksioneve dhe i viktimave në Itali vijon të rritet pavarësisht se italianët janë karantinuar sakaq prej shumë ditësh. Gjatë ditës së djeshme në Itali pati 2,547 infektime të reja dhe 252 të vdekur. Numri total i të infektuarve arriti në 17,660 persona. Në Spanjë numri i personave të identifikuar me COVID-19 arriti në 4,231 vetë me një rritje dramatike prej 1,266 vetësh duke u bërë një vatër e re infeksionesh në kontinentin Europian. Qeveria e Spanjës u kritikua se ishte vonuar në marrjen e masave duke lejuar vijimin e ngjarjeve sportive apo manifestimeve politike deri para pak ditësh. Të Shtunën, qeveria e Spanjës urdhëroi të 47 milionë banorët e saj të mos dalin nga shtëpia me përjashtim të rasteve kur kanë nevojë të blejnë ushqime, të shkojnë në punë apo të shkojnë në spital. Ndalimet janë caktuar fillimisht për dy javë, maksimumi i lejuar nga kushtetuta për qeverinë për imponimin e një gjendjeje të jashtëzakonshme por në Spanjë duket se ka konsensus politik për të shtyrë ndalimet edhe më gjatë në rast se do të jetë e nevojshme.

Bashkë me Spanjën, nën kritika për ngurrim në marrjen e vendimeve ekstreme është edhe Britania e Madhe, ku deri më sot kufizimet konsistojnë në këshilla për popullsinë për të mos marrë pjesë në aktivitete masash.

Franca, ku numri i të infektuarve ka arritur në 3,640, urdhëroi mbylljen e menjëhershme të kafeve dhe restoranteve, shpirti i jetës sociale të vendit. Të 67 milionë banorët e vendit u urdhëruan të qëndrojnë në shtëpi pasi numri i të infektuarve u dyfishua në një hark kohor prej 72 orësh.

Në rajonin e Ballkanit duket se Shqipëria ka numrin më të lartë të infektuarve, 38 vetë.

Në Lindjen e Mesme, Irani është qendra më e madhe e infeksionit me 11 mijë vetë të raportuar nga qeveria e vendit në OBSH, shifra e tretë më e lartë në botë pas Kinës.

Në Kinë, vendi ku sëmundja filloi dhjetorin e kaluar, numri i infektimeve brenda vendit ka shënuar një nivel minimal gjatë ditëve të fundit, por vendi po përballet me shtimin e rasteve të infeksioneve të sjella nga jashtë vendit.

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *