Mbyllet edhe Stambolli, nga Shqipëria nuk ngrihet më asnjë avion

Porta e vetme ajrore nga ku mund të largoheshin shtetas të huaj dhe shqiptarë nga Shqipëria u mbyll. Turqia njoftoi pezullimin e të gjitha fluturimeve ndërkombëtare, si masë e përforcuar për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit në vend.

Pjesë e ndalimeve bën pjesë edhe aeroporti i Stambollit, i vetmi nga ku deri ditën e premte kishte fluturime me Rinasin në Tiranë.

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan njoftoi ditën e premte pezullimin pa afat të të gjitha fluturimeve ndërkombëtare, si ato me destinacion Turqinë, edhe ato që nisen nga aeroportet turke me destinacion vendet e tjera të botës.

Turqia ka raportuar deri ditën e premte rreth 5700 raste me koronavirus dhe 92 të vdekur si pasojë e këtij virusi. Masa kufizuese janë vendosur edhe për lëvizjet brenda vendit, duke përfshirë lejet për të lëvizur mes qyteteve, mbylljen e parqeve dhe zonave arkeologjike përgjatë fudjavë.

“Kohëzgjatja e këtyre masave do të varet nga vendosmëria e popullit tonë për të ndjekur udhëzimet. Me shpresën e Zotit, do ta tejkalojmë këtë të keqe në kohën më të shkurtër të mundshme nëse të gjitha masat zbatohen me përpikmëri”, deklaroi Erdogan.

Aeroporti i Stambollit ishte aeroporti i fundit dhe i vetmi që vijonte operimin me Shqipërinë. Duke shfrytëzuar këtë rrugë, Ambasada Amerikane në Tiranë u ka bërë disa herë thirrje shtetasve të vet që ta përdorin këtë linjë për t’u larguar nga Shqipëria dhe për t’u rikthyer në SHBA.

Me mbylljen e kësaj rruge, SHBA doli me një njoftim të dytë këtë të shtunë.

“Të gjitha fluturimet nga Shqipëria janë të pezulluara. Ambasada Amerikane po punon për të identifikuar rrugë alternative për shtetasit amerikanë që duan të largohen nga Shqipëria”, thuhet në njoftim.

“Lasgushi” do të rikthejë në atdhe shqiptarët e bllokuar nëpër botë

Shqiptarët që kanë mbetur të bllokuar në Europë për shkak të pandemisë së koronavirusit do të riatdhesohen nga “Air Albania” duke filluar që prej javës së ardhshme.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se i gjithë operacioni do të nisë ditën e hënë me leje të posaçme fluturimesh “charter”.

“Të hënën nisin fluturimet për t’i sjellë në atdhe. Nesër publikojmë politikat përkatëse, ku do të bëjmë imbarkimin e personave. Këto misione do të jenë pa pagesë nga ana e individëve. “Lasgushi” do të sjellë njerëzit tanë në shtëpi”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se i kishte kërkuar kompanisë “Air Albania” që i gjithë operacioni i riatdhesimit të kryhej pa pagesë.

“Air Albania është kompania e flamurit kuqezi. I kam kërkuar kompanisë që të marrë përsipër barrën e kthimit të shqiptarëve dhe të mos kërkojë lek për kryerjen e këtij misioni humanitar., Gatishmëria e kompanisë ka qenë e menjëhershme”, tha ai.

Rama njoftoi gjithashtu se Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit po punon për sigurimin e lejeve speciale për fluturimet e këtij lloji.

Check Also

Si e vrasim të vërtetën!

Nga Irena Beqiraj Jam rritur duke menduar se e vërteta me shumë gjasa del nga …

Sot bëhet një vit nga tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë ndër dekada

Ishte ora 03:56 mëngjesin e 26 nëntorit të kaluar, kur një lëkundje e fuqishme me …

Malltezi: Rama, Ahmetaj, Blushi, Koka e Zoto janë kapur duke vjedhur 430 milionë euro, s’e mbulojnë dot me mediat e blera

Anëtari i kryesisë së PD-së, Malltezi, ka denoncuar ato që i quan pseudomedia lidhur me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *