Shefja e Fondit Monetare Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva bëri me dije se 20 vende të tjera kanë kërkuar ndihmën e FMN, për shkak se situata e krijuar nga koronavirusi ka ndaluar ekonomitë e tyre.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të FMN, Georgieva deklaroi se fondi është gati për të aktivizuar 1 trilion dollarë për të ndihmuar vendet anëtare që ta kapërcejnë këtë krizë.
Ajo nuk i identifikoi me emër vendet që kanë kërkuar mbështetje, por tregoi se Irani ishte vendi i fundi që aplikoi për një hua emergjente në FMN.
“Ndërkohë që virusi përhapet, çështja për një stimul global të sinkronizuar dhe koordinuar është bërë më e fortë nga ora në orë”, u shpreh Georgieva.
Mesazhi i shefes së FMN vjen disa orë përpara takimit të saj me liderët e G7, disa prej të cilëve po kalojnë momente të vështira me koronavirusin në vendet e tyre.