Gjermania thirrje Kosovës të përqendrohet te COVID-19, jo te ndarjet

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tha për BIRN se liderët politikë në Kosovë “mbajnë një përgjegjësi politike” për rënien e qeverisë muajin e kaluar me një votim mosbesimi, duke e çuar kështu vendin drejt një krize të thellë politike në të njëjtën kohë kur ata duhet të jenë duke u marrë me pandeminë e koronavirusit.

Përpjekjet për ta portretizuar rënien e qeverisë si rezultat i një mosmarrëveshje midis SHBA-së dhe vendeve të BE-së janë të gabuara, tha ai në një intervistë me shkrim për BIRN.

Pyetje: Pas rënies së qeverisë javën e kaluar, Kosova po përballet me një krizë tjetër politike në të njëjtën kohë me pandeminë e koronavirusit. Cila do të ishte gjëja më e mirë që BE-ja mund të bëjë për Kosovën tani?

Përgjigje: Bëni saktësisht atë që po bën tani BE-ja, duke i ofruar një mbështetje të konsiderueshme Kosovës në këtë periudhë tejet sfiduese në të cilën ajo po përballet me krizën e COVID-19. Unë e mirëpres shumë përgjigjen e menjëhershme të BE-së me 5 milionë euro për pajisje mjekësore dhe duke rishpërndarë fondet IPA (të para pranimit) për të përballuar pasojat e mëtejshme socio-ekonomike të pandemisë. E gjithë kjo arrin deri në 68 milionë euro, të cilat, për habinë time, kaluan pothuajse pa u vënë re këtu. Dhe shtetet anëtare si ne po përparojnë gjithashtu në këtë drejtim, pavarësisht krizave të rënda në të gjitha vendet tona dhe kritikave të vazhdueshme ndaj BE-së nga njerëz dhe grupe të ndryshme. Por ne si europianë do të vazhdojmë t’i qëndrojmë pranë popullit të Kosovës dhe do të përpiqemi të ofrojmë shpresë me mbështetjen tonë. Sa i përket situatës politike, i takon para së gjithash atyre që mbajnë përgjegjësi politike në këtë vend që ta zgjidhin situatën.

Pyetje: Rënia e qeverisë po shihet nga disa në Kosovë si rezultat i një përplasjeje midis BE-së dhe SHB.-së mbi formatin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe ndarjen e sugjeruar të Kosovës, si bazë e një marrëveshjeje të mundshme.

Përgjigje: Është shumë e lehtë të fajësosh komunitetin ndërkombëtar për lajmet e këqija. Në vend të kësaj, politikanët duhet të tregohen të përgjegjshëm për veprat e tyre: Të gjithë atyre që u zgjodhën këtu më 6 tetor të vitit të kaluar iu besua vullneti i votuesve, qytetarëve të Kosovës si sovran. Kështu që ata nuk mund ta delegojnë përgjegjësinë dhe detyrën e tyre për të vepruar në përputhje me të tjerët.

Pyetje: Pse Gjermania, me Francën, i kërkuan Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, partnerit në koalicionin qeverisës,të rishikonte vendimin e saj për të nisur një mocion mosbesimi ndaj qeveri në prag të seancës parlamentare?

Përgjigje: Në Paris dhe Berlin ne jemi të besimit se nisma e mocionit të mosbesimit nuk ishte në kohën e duhur dhe aspak e dobishme për Kosovën ndërsa ajo po përballet me koronavirusin. Kudo në botë, gjithashtu edhe në Gjermani, qeveritë e koalicionit shtrënguan radhët përballë kësaj sfide të paprecedentë. Kështu që nuk ishim në të njëjtin mendim për këtë mocion dhe ia bëmë këtë të ditur lidershipit të LDK-së, duke u përpjekur të shmangnim situatën në të cilën gjendemi tani.

Pyetje: A po shkakton pasiguri për momentin Dërguari i Special i SHBA-së për negociatat për paqe në Serbi dhe Kosovë, Richard Grenell?

Përgjigje: Edhe një herë, është shumë e lehtë t’ua heqësh përgjegjësinë për këtë aktorëve politikë këtu në Kosovë dhe ta shndërrosh këtë në një lloj gare të komunitetit ndërkombëtar. Njerëzit këtu mbajnë një përgjegjësi politike dhe nuk mund të justifikohen duke ngritur gishtin ndaj të tjerëve. Është e turpshme të përpiqesh të bësh ndarje publike midis SHBA-së dhe BE-së, ne si miq të Kosovës jemi këtu së bashku me objektivin tonë të përbashkët afatgjatë të Kosovës si një vend plotësisht sovran dhe të njohur në integritetin e saj territorial dhe funksionalitetin e saj si shtet. Dhe me qëllimin e integrimit të plotë Euro-Atlantik, pikë.

Kështu që, as kritikat ndaj BE-së dhe as ato ndaj SHBA-së nuk janë të dobishme në planin afatgjatë.

Pyetje: A ka ende një mungesë komunikimi midis BE-së dhe SHBA-së në lidhje me lehtësimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë? Pse ishte përgjigja e BE-së aq e kufizuar në shtrirje?

Përgjigje: Më vjen keq, por nuk shoh ndonjë mungesë përgjigjeje apo komunikimi. Ne të gjithë jetojmë dhe punojmë me kufizimet e krijuara për shkak të COVID-19 dhe për këtë arsye, mendimi im personal, zyrtarët nga Brukseli ishin jashtëzakonisht aktivë javët e kaluara, nëse shikoni thjesht nismën e Komisionerit Varhelyi për Ballkanin Perëndimor. Ose finalizimin e emërimit të Miroslav Lajcak si përfaqësuesi i ri i BE-së për dialogun.

Pyetje: Miroslav Lajcak pritet të fillojë mandatin e tij së shpejti si Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. A ekziston ndonjë strategji për hapat e ardhshëm për të rifilluar dialogun që kolapsi nën drejtimin e ish-Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini?

Përgjigje: Sigurisht që ai është duke u përgatitur, por do t’ju sugjeroja që për këtë më mirë të pyesni atë, pasi është ai që do të bëjë hapat e ardhshëm. Më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë jehonë fjalëve të ministrit të jashtëm gjerman Heiko Maas sot. Ai tha qartë se në këtë fazë kritike, është mirë që kemi Miroslav Lajcak, një përfaqësues të fortë të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Ai u tregua i bindur se zoti Lajcak do të jetë një zë i fortë politik për BE-në në rajon dhe në mënyrë specifike do ta çojë para dialogun. Ai theksoi se dialogu i udhëhequr nga BE-ja është rruga e duhur përpara, sepse ne të gjithë ndajmë një kauzë të përbashkët që do të ndihmojë për të kapërcyer në mënyrë gjithëpërfshirëse shumë çështje të hapura. Ai nënvizoi rëndësinë e hapit të madh të besimit që ndërmori qeveria në detyrë e Kosovës ndaj Beogradit me heqjen e tarifave 100 për qind, gjë e cila tani duhet të çojë në hapa të mëtejshme, nga të dyja palët. Ministri Maas nënvizoi se Miroslav Lajcak do të ndihmojë shumë në këtë drejtim.

Pyetje: Presidenti i Kosovës e kundërshtoi me forcë emërimin e Miroslav Lajcak sepse ai vjen nga një vend, Sllovakia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa shumë të tjerë në Kosovë thonë se ky është një sinjal se BE-ja po mban anë. A është e vërtetë kjo?

Përgjigje: Thashethemet që thonë se BE-ja po mban anë vetëm për faktin se Miroslav Lajcak e ka origjinën nga një vend që nuk e njeg Kosovën keqinterpretojnë qëllimisht dhe në mënyrë të gabuar mekanizmat e BE-së. Në detyrën e tij të re, zoti Lajcak nuk përfaqëson Sllovakinë, por BE-në me 27 vendet e saj anëtare, 450 milionë banorët dhe me zonën më të madhe ekonomike të botës. Dhe si ambasador i një shteti anëtar krenar që i përket kësaj familjeje, mund të them se z. Lajcak gëzon besimin e plotë të qeverisë time për detyrën e tij të re, ku ai gjithashtu do të përfaqësojë Gjermaninë si shtet anëtar.

Dhe i takon BE-së dhe vendeve anëtare të zgjedhin personelin e saj në funksione drejtuese, siç i takon edhe Kosovës nga ana tjetër. Këtu, siç u shpreh kancelaria Merkel javën e kaluar, ne mezi presim të shohim Kosovën të rifillojë dialogun nën drejtimin e qeverisë së saj. Qeveria në detyrë sapo ka bërë një hap të madh përpara me heqjen e tarifave. Një veprim ky i mirëpritur si nga Brukseli ashtu edhe nga vendet anëtare, përfshirë edhe nga Gjermania. Tani është e rëndësishme të rifillojnë bisedimet dhe gjithashtu të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura.

Pra, le të shohim përpara me optimizëm teksa lundrojmë në këtë periudhë të vështirë. Duke qenë se unë përdor shpesh hashtagun #inthistogether, besoj fuqimisht se mund të ecim përpara në shumë fusha nëse klasa politike në Kosovë vepron në interesin më të mirë të qytetarëve të saj. Si Kuint, ne parashtruam disa ide për këtë në deklaratën tonë të përbashkët përpara zgjedhjeve gushtin e kaluar, me motiv kryesor sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Check Also

Vetizolohet kryeministri kroat

Kryeministri kroat Andrej Plenković është vetizoluar pasi bashkëshortja e tij u infketuar me koronavirus. “Kryeministri …

Britania siguron 2 milionë doza të vaksinës Moderna

Britania ka siguruar 2 milionë doza të vaksinës antikovid të prodhuar nga Moderna, njoftoi qeveria …

Vuçiç mirënjohës ndaj Rusisë për tanket dhuratë: Po forcojmë ushtrinë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shprehu, të shtunën, mirënjohje për presidentin rus Vladimir Putin dhe Rusinë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *