Bujqësia pa punëtorë, Greqia i kërkon Shqipërisë hapjen e kufijve

Greqia i ka kërkuar Shqipërisë që të konsiderojë hapjen e kufirit për punëtorët sezonalë në bujqësi. Në këtë periudhë, përllogaritjet e Ministrisë së Agrikulturës thonë se ky sektor ka nevojë për të paktën 50 mijë punonjës.

Ministri grek i Agrokulturës, Makis Voridis deklaroi ditën e premte se pjesa dërrmuese e punonjësve të kualifikuar në bujqësi mbërrijnë nga Shqipëria dhe një zgjidhje e shpejtë e këtij problemi kërkohet me ngut nga fermerët.

Voridis thotë se koha nuk pret dhe nëse nuk plotësohen nevojat e minimale për krah pune të fermerëve grek brenda 10 ditëve të para të muajit maj, ekonomia vendase do të humbasë miliona euro të ardhura nga eksporti i munguar i fruta-perimeve. Ministri grek zbulon se po diskutohet me palën shqiptare për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët.

“Mbyllja e kufijve me Shqipërinë është një shqetësim i madh, pasi nga Shqipëria mbërrijnë punëtorët e bujqësisë më të kualifikuar. Po punojmë për të gjetur një zgjidhje, që do të respektonte masat dhe protokollet kundër përhapjes së virusit”, tha ai.

Autoritetet greke propozojnë që të organizojnë vetë transportin e emigrantëve, marrjen përsipër të kryerjes së testeve anti-Covid19 për rastet e dyshuara dhe procedura të thjeshtuara në dogana, ku hyrja dhe leja sezonale për të punuar në bujqësi të jepet drejtpërdrejt. Por, që e gjitha kjo të ndodhë, Greqia thotë se duhet një marrëveshje me palën shqiptare dhe koha nuk pret.

“Kuptohet që duhet të organizojmë udhëtimin e punëtorëve. Procedura do të jetë e thjeshtë. Punëtorët mund të qëndrojnë në karantinë për 5-7 ditë, ose t’u kryejmë analizat dhe më pas ata të dalin në punë. Fermerët janë dakord dhe ne jemi duke punuar me institutin e epidemiologjisë që të sigurojmë testet për këta persona. Por, ajo që nevojitet dhe është urgjente është një marrëveshje me Shqipërinë për hapjen e kufijve në mënyrë të koordinuar dhe që të respektojë masat kundër përhapjes së koronavirusit”, deklaroi Varidis.

Të premten, Kryeministri Edi Rama pranoi se ishte në diskutime me palën greke mbi këtë temë dhe se Qeveria po shqyrtonte mundësinë e hapjes së kufijve për punonjësit sezonalë në Greqi dhe Malin e Zi.

Alarmin mbi mungesën e fuqisë punëtore e ngritën në qeverinë greke shoqatat e agrokulturës, që paralajmëruan se nëse Shqipëria nuk hap kufijtë, mijëra hektarë me fruta sezonale dhe mijëra hektarë me perime do të kalben nëpër ara, duke i shkaktuar vendit një dëm të madh financiar.

Sipas këtyre shoqatave, ky treg ka nevojë për të paktën 50 mijë punonjës që të shpëtohet. Greqia është një ndër eksportueset më të mëdha në vendet e tjera të Bashkimit Europian të fruta-perimeve.

Check Also

BE miraton konkluzionet, konferenca e anëtarësimit shtyhet për në mars

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratojnë të hënën përfundimet për procesin e zgjerimit, …

Merkel s’premton negociata për Shqipërinë: Shpresoj me Maqedoninë

Kancelarja gjermane Angela Merkel shpreson që të hapë konferencën ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut qysh …

Shpërndarja e mandateve të deputetëve, Tirana i merr dy Dibrës dhe Gjirokastrës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur projektvendimin për shpërndarjen e mandateve në 12 qarqet e …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *