Një 78 vjeçar nga Durrësi, gjendja shëndetësore e të cilit tre ditët e fundit është përkeqësuar është viktima e 16 e Covid 19 në Shqipëri. Bilanci vjen duke u rritur, ndërkohë që viktima, sipas të dhënave gjeti vdekjen mëngjesin e sotëm. I moshuari ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Ndërkohë, burime nga Infektivi i Tiranës bëjnë me dije se viktima e 16 e koronavirusit në Shqipëri prej ditësh kishte shfaqur shenja të sëmundjes. Ai mori mjekimet e para në Spitalin e Durrësit dhe në momentin kur gjendja e tij po përkeqësohej, mjekët vendosën dërgimin e tij në Infektivin e Tiranës.
Por luftën nuk ka mundur ta fitojë, edhe pse mjekët bënë të pamundurën. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit.