Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID-19, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infektiv dhe Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren.
Në një konferencë për median, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se ka shkuar në 55 numri i personave të infektuar me koronavirus.
25 raste janë të shtruar në spitalin infektiv.
Janë testuar në 24 orët e fundit 42 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19, 2 prej të cilëve janë mjekë.
Deri në këto momente janë testuar 605 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 55 raste.
Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi” kanë dalë pozitiv edhe 2 raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar në total 8 mjekë dhe infermierë pozitivë.