“Teatri”- Tërheqja nga koncesioni rrëzoi barrierën që pengonte shembjen

Tërheqja e Bashkisë së Tiranës nga ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar me koncesion nuk do të thotë se ky institucion është tërhequr nga shembja e godinës së teatrit ekzistues, që kundërshtohet prej thuajse dy vitesh nga një grup artistësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile.

Në njoftimin e shpërndarë për media, Bashkia e Tiranës thotë vetëm se nuk kishte rënë dakort me palën private për realizimin e këtij projekti.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës thotë se do t’i kërkojë Qeverisë që teatri i ri të ndërtohet me fondet e buxhetit të shtetit dhe ndërtimi i tij do të nisë brenda këtij viti. Nëse teatri i ri do të ndërtohet me fondet publike, atëherë Bashkisë së Tiranës i zgjidhen duart për të shembur godinën e vjetër, që deri më tani mbahet peng nga padia që Presidenti Ilir Meta ka dorëzuar në korrik të 2019 kundër ligjit për ndërtimin e Teatrit të ri.

Objekti i padisë është “shfuqizimi si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të ligjit nr.37/2018 për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Gjykata Kushtetuese nuk mund të merrte vendim për pranimin ose jo të padisë pa plotësuar kuorumin prej katër anëtarësh. Me t’u plotësuar ky kuorum në nëntor të 2019, ky institucion mori në shqyrtim kërkesën dhe vendosi që ta pranojë atë, duke pezulluar ligjin deri në një vendim përfundimtar për të.

“Pezullimin e zbatimit të ligjit nr.37/2018 për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje të hyjë në fuqi”, thuhet në vendimin që Gjykatë Kushtetuese i ka dorëzuar edhe Qeverisë.

Së bashku me të, Kushtetuesja i ka kërkuar ekzekutivit edhe vënien në dispozicion brenda datës 22 janar të një komenti me shkrim mbi argumentet e paraqitura për realizimin e këtij projekti. Është e paqartë nëse Qeveria e ka dorëzuar apo jo një koment të tillë, por e qartë është se Gjykata Kushtetuese nuk e ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Megjithatë, padia e Presidenti Meta nuk është kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, por kundër rrugës së zgjedhur për prishjen e tij. Tani, me vendimin për ta ndërtuar këtë godinë me fondet publike zgjidhet një rrugë tjetër për shembjen e kësaj godine, që nuk është objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese.

Ligji special për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar u miratua në qershor të 2018 dhe përmes tij, Kuvendi autorizonte Bashkinë e Tiranës që të negocionte me kompaninë Fusha Sh.P.K., që kishte paraqitur më herët një ofertë të pakërkuar.

Oferta e kompanisë ishte ndërtimi i teatrit në këmbim të marrjes së truallit shtetëror për ndërtimin e rreth 90 mijë metra katrorë. Projekti shkaktoi protestën e artistëve dhe të shoqërisë civile, që u ankuan tek Komisioni Europian se ligji i miratuar shkelte barazinë në tendera dhe binte ndesh me marrëveshjen e stabilizim-asociimit.

Komisioni e gjeti me vend ankesën e artistëve dhe kërkoi nga Qeveria shqiptare që të rishikojë ligjin dhe të hapë garën edhe për kompani të tjera. Qeveria bëri disa ndryshime në ligj, por sërish kopsitja e tyre paracaktonte si fitese kompaninë Fusha.

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *