Për vrasjen e 31-vjeçarit Tauland Gjikaj (Beqiraj, Manaj), policia e Vlorës ka arrestuar 44-vjeçarin Hansi Jonuzi dhe ka shpallur në kërkim Skedjan Gabrani dhe Elton Hajnaj, si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.

Pista kryesore e hetimeve dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës.

31-vjeçari u ekzekutua me armë zjarri mesditën e së mërkurës në qytetin e Vlorës.

Autoritetet sekuestruan edhe makinën me të cilën udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes, si dhe armën me të cilën ekzekutuan 31-vjeçarin.

Tauland Gjikaj ishte një emër i njohur për drejtësinë. Ai kishte qenë hetuar dhe dënuar për armëmbajtje pa leje dhe vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa mësohet se përdorte disa emra.

Gjikaj kishte qenë i përfshirë në një përplasje me armë zjarri të ndodhur në vitin 2018 në lagjen 28 Nëntori në Vlorë, ku mbetën të plagosur 3 persona.